Të premten në orën 17.00, në sheshin Skënderbej në Tiranë është thirrur protestë masive ku do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës. Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës.

Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

“E mbështes këtë protestë, ashtu siç kam mbështetur çdo protestë që është thirrur për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe më gjerë nuk kanë kërkuar kurrë asgjë tjetër përveç drejtësisë, drejtësisë së vërtetë dhe respektimit të parimeve më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, siç e dini, Kosova, më konkretisht ish-krerët që tani përballen në Hagë, pikërisht sepse kanë pasur besim në drejtësi, janë paraqitur para saj”.   

Tash po bëhen 5 vite pa asnjë ndryshim në drejtësinë ndërkombëtare, por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet e mëdha të të drejtave të njeriut të respektohen dhe u japim plotësisht të drejtat e tyre sa herë ata protestojnë në kërkim të këtyre standardeve. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë dhe çliruar Kosovën nga okupimi që ka zgjatur për shekuj, dhe luftë që ka pasur mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm që sulmoheshin nga ushtria serbe”, tha Osmani para mediave. 


Lajmi kryesor:

PD 'bojkoton' protestën për UÇK-në në Tiranë: S’mund të jemi krah Ramës! PS: Kjo nuk është partiake! Osmani: Lufta ishte e drejtë