Dje teksa kthehesha nga Vlora, rastisa në një aksident rrugor, sapo kalon rrethrrotullimin e Lushnjes. Një makinë ishte përplasur me anësoret dhe pas disa saltrove kishte përfunduar përmbys rreth 20 metra poshtë rrugës me shoferin brenda. Kureshtarët ishin të shumtë. Makinat po ashtu. Policia mbërriti shpejt, më vonë edhe autoambulanca. Ngjarja kishte ndodhur në drejtimin Rrogozhinë –Lushnje.

Rastësia është mbreti i botës. Më rastisi diçka që jo pak herë e kam shprehur në media. Sjellja e qytetarit shqiptar me shtetin e tij. Teksa kryeja detyrën e gazetarit duke filmuar me celular qytetarët që ndihmonin të plagosurin (megjithëse nuk lejohet, sepse mund ta dëmtojnë) dhe mjekët që kryejnë veprimet e para, pas shpinës sime po ndodhte një tjetër ngjarje.

Një makinë, mes morisë së automjeteve të ndaluara, kërkoi të kalonte. Policia ia ndaloi, edhe duke i shpjeguar situatën, sepse rruga duhej e lirë për të kaluar ambulanca. Por sërish nga qytetari, me një makinë me targa italiane dhe me familjen, është tentuar të kalohej. Në këtë moment shefi i komisariatit të Lushnjes (kështu thanë dëshmitarët e tjerë) i ka kërkuar një prej uniformave të kontrollonte dokumentat e makinës së qytetarit.

Ky i fundit nuk ia ka dhënë. Eshtë tentuar sërish dhe sërish e njëjta përgjigje. Kjo ka sjellë acarimin e punonjësve të policisë dhe shefit të komisariatit (civil), i cili ka thirrur edhe forcat e tjera që ndodheshin aty (ndërhyrja e shpejtë) dhe i ka urdhëruar ta çojnë në komisariat qytetarin. Pas një debati që zgjati mbi dhjetë minuta dhe arsyet që jepte qytetari pse duhej të kalonte, këmbënguljes së uniformave për dokumentat, përdorjes së duarve, por pa goditje, dokumentat më në fund u dorëzuan së bashku me patentën, apo më saktë u morën...Ne të tjerët vazhduam qarkullimin për të liruar rrugën...

Kjo ishte fabula. Habia ime më e madhe është: si ka mundësi që një qytetar shqiptar kundërshton uniformat e shtetit në kërkesën më të thjeshtë, kontrollin e dokumentave të makinës. Nuk po merrem fare me guximin për të thyer një urdhër policie në një ngjarje për të mos qarkulluar. Jo. Po pyes sërish, a vallë kaq antishtet jemi ne shqiptarët. Ai shefi i komisariatit i bëri një pyetje: kështu sillesh dhe në Itali? E pra, a sillemi kështu dhe jashtë ne? A jemi kaq “të fortë” sa t’u themi uniformave nuk t’i jap dokumentat për minuta me rradhë?

Më vijnë në mend shkrime të disa analistëve shqiptarë kundër policisë shqiptare, sidomos kundër uniformave rrugore. A mos vallë shkrime të tilla, që i bëjnë bashkë “të zinjtë” dhe të bardhët mes uniformave, nuk janë gjë tjetër veçse adrenalina që elektrizon kundërshtuesit. Si mund të mos ushqesh sadopak ndjenjën e shtetit tek qytetarët, ndjenjën për uniformat që tek e fundit janë në shërbimin tonë.

Jo vetëm uniformave të policisë. E njëjta mizerje është edhe për uniformat e bardha, mjekët. Vetëm korrupsioni ka mbirë në gojën e analistëve e gazetarëve. Kanë të drejtë. Por do të kishin akoma më shumë të drejtë sikur të mos ngjallnin kaq urrejtje tek qytetarët, por ta zbusnin sadopak, sepse ka edhe mjekë që rrinë mbi tetë orë në operacione e risjellin në jetë njeriun.

Sigurisht që bëjnë detyrën, por ka lloj lloj mënyrash për ta bërë atë, ashtu sikurse e bëjnë analistët, duke dhënë faktet vetëm përgjysëm, gjysmën e zezë. E pikërisht këto fakte përgjysëm, ndikojnë akoma më shumë në mentalitetin tonë antishtet, e që përkthehet pastaj në ulërimën tonë se s’kemi shtet. Ne nuk e ndohmojmë aspak shtetin tonë.

Nuk është shteti i atyre, apo i këtyre. Eshtë i yni. Uniformat janë tonat. Nëse brenda një uniforme sot gjendet një Gjin, apo një Mark, nesër do të jetë një Andon, apo një Idajet. Por uniforma do të jetë e njëjta, e shtetit shqiptar. Më vjen çudi se si atyre që shkruajnë kundër uniformave rrugore, u rastis gjithmonë “polici arrogant” dhe kokoroç...

Unë nuk e di se si do të silleshin policët e Italisë, Gjermanisë, Greqisë, apo SHBA-së në një rast të tillë. Por m’u duk se ai shefi i policisë atje u soll butë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)