Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ndarë në rrjetet sociale një pikturë të një të riu që vuan dënimin, të cilën e ka vendosur përballë skrivanisë së tij si një kujtesë për të vepruar drejt edhe në momente të vështira.
Ai ka ndarë historinë e Florianit, piktorit që vuan dënimin në Institutin e të Miturve në Kavajë, duke shkruar se në çdo penelatë ka reflektim dhe thirrje për t’u parë si njeri. Ministri shprehet se kjo pikturë i kujton që fëmijët e të rinjtë nuk duhen braktisur kurrë as kur gabojnë.
“Një telajo, disa ngjyra… dhe një botë emocionesh.
Kjo pikturë e Florianit, një i ri i privuar nga liria është dhurata më e veçantë dhe kuptimplotë, e cila qëndron tashmë përballë skrivanisë time, me 1 milion arsye për të bërë gjithmonë gjënë e drejtë dhe të duhur, pavarësisht sfidave apo momenteve më të dobëta që na servir jeta, gjërave të mbrapshta që kemi trashëguar, duke përfshirë mendësitë atavike, presionin shoqëror apo moralizimin mbi ‘nderin’ dhe ‘hakën’!
Floriani ishte vetëm 4 vjeç kur humbi thuajse gjithçka…një tragjedi familjare e mbërthyer në një sagë gjakmarrjeje, e cila vite më pas do të përfshinte dhe vetë atë, ndonëse ende me forcën e gjykimit, emocionet dhe brishtësinë e një të mituri përballë presionit shoqëror mbytës, moralizimit të dalë boje dhe ‘gjyqeve’ publike të tjetrit, të cilat për fat të keq mbeten ende sot e kësaj dite, sporti i preferuar kombëtar për të shumtë midis nesh!
Në çdo penelatë ka reflektim, pendesë, shpresë dhe një thirrje të heshtur për t’u parë jo si gabim, por si njeri!
Pas mureve të larta dhe dyerve të mbyllura të Institutit për të Miturit në Kavajë, ka kaq shumë ëndrra që kërkojnë dritë.
Kjo pikturë është një kujtesë se fëmijët dhe të rinjtë nuk duhen braktisur kurrë — as kur gabojnë. Sepse besimi, kujdesi dhe ngrohtësia njerëzore në momentin e duhur mund të ndryshojnë më shumë se një jetë.
Faleminderit Florian për këtë mesazh të paçmueshëm, i cili buron nga talenti yt që rrjedh në deje dhe nga forca shpirtërore për të lënë pas të shkuarën dhe pikturosh të ardhmen me ngjyrat që vetëm ti do të zgjedhësh, ashtu si në këtë kujtim plot shpresë dhe dritë, të cilin do ta ndaj me një kënaqësi të veçantë dhe shumë besim tek ty me këdo që mirëpres në Ministrinë e Drejtësisë”, shkruan Lamallari.
Reagimi i ministrit vjen një ditë pas vdekjes të 20-vjeçarit rumun në burgun e Shkodrës.
Nicolae Ionnut Erion Deliver, i cili ndodhej në Shkodër, u konstatua me parametra të ulët jetësorë. Ai u dërgua në spitalin e Koplikut, por më pas ndërroi jetë. I ndjeri ndodhej në burg që prej moshës 18-vjeçare për vjedhje dhe shitje narkotikësh.
Komente











