ELBASAN- Krimi ka tronditur sërish Elbasanin, ku një atentat i mirëorganizuar ka shënuar 2 viktima. Ngjarja u regjistrua në Bradashesh, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i luleve, pranë një karburanti, ku viktimë në vendin e ngjarjes mbeti Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku, i cili ndërroi jetë në spital.

Çollaku bashkë me Bitrin, kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje. Plumbat i morën jetën në vend Bitrit, ndërsa Çollaku mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë në spital. Automjeti, tip 'Volvo' i përdorur nga autorët u gjet i djegur disa minuta më pas në fshatin Balldre, një skemë e përsëritur nga ekzekutorët edhe në atentate të tjera të ndodhura në vend. 

Kamerat e sigurisë së karburantit pritet të zbardhin më shumë detaje si ndodh ngjarja, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit. Në Elbasan kanë mbërritur edhe forcat RENEA, FNSH dhe Departamenti i Policisë Kriminale. 

Po kush janë dy shënjestrat e këtij sulmi mafioz?

Rezulton se si Bitri dhe Çollaku kanë qenë persona me precedentë të mëparshëm penal dhe me lidhje me bandat që veprojnë në Elbasan. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, u hetua si i lidhur drejtëpërdrejtë me vrasjen e Everest Çakës në maj të këtij viti. Ndërkohë, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për "Shfrytëzimit të prostitucionit" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit". Subashi ka qenë edhe subjekt i OFL ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë iu kërkua deklarimi i pasurisë.

Lulzim Bitri rezulton mik i ngushtë i Talo Çelës, teksa në vitin 2018 u arrestua, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale. Ka dyshime se vrasja e dyfishtë mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, por hetimet vijojnë ende.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:11
Atentati në Elbasan ndaj Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut, dalin foto dhe video e automjetit që përdorën autorët, i vunë flakën në fshatin Balldre

 

 

Report Tv ka siguruar foto dhe video të automjetit tip 'Volvo' që përdorën autorët në atentatin ndaj Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut dhe që më pas u vunë flakën në fshain Balldre, për të fshehur gjurmët. Sikurse mund të shihni dhe në foto, automjeti, i rrethuar me rreth të kuq, është shkrumbuar tërësisht, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të mbledhur provat që mund të kenë mbetur.

1633382033_1633381988Capture.jpg

Rrethuar me rreth të kuq automjeti i djegur i autorëve
Ora 21:30
Iu bë atentat mbrëmjen e sotme në Elbasan, Lulzim Bitri lidhje të ngushta me Talo Çelën! Ardian Çollaku i hetuar për vrasjen e Everest Çakaj 6 muaj më parë

Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku, të cilët ranë pre e një atentati mbrëmjen e sotme në Elbasan, rezultojnë pjesë e grupeve kriminale në këtë qytet. Bëhet me dije se Lulzim Bitri kishte lidhje të ngushta me Talo Çelën, i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj si dhe për grabitjen në Rinas.

Ndërkohë rezulton se Ardian Çollaku (Subashi), i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, është hetuar për vrasjen e Everest Çakës, ngjarje e ndodhur më 11 maj të këtij viti, ku dyshohet se Çakaj ka patur lidhje direkte në ekzekutimin. Po ashtu bëhet me dije se pas dënimit në Itali, Çollaku nuk u shkëput nga veprimtaria kriminale, ndërsa vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Ka dyshime se ai ka bashkëpunuar edhe me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë më 29 dhjetor 2018 në Bradashesh.

Lulzim Bitri ndërroi jetë mbrëmjen e sotme, ndërsa Ardian Çollaku mbeti i plagosu rëndë, pasi u qëlluan me breshëri automatiku në Bradashesh, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i luleve. Dyshohet se ata janë vrarë për larje hesapesh, por hetimet vijojnë ende për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Ora 20:53
VIDEO/ Atentati në Elbasan, Ardian Çollakun pësoi vdekje klinike, dërgohet te Trauma në Tiranë

Ardian Çollaku, 48 vjeç, mbeti i plagosur nga atentati në Elbasan në zonën e njohur si rrethrrotullim i Luleve. Ai është dërguar në spitalin e Elbasanit ku ka pësuar vdekje klinike dhe është nisur drejt Tiranës, ku ka mbërritur në spitalin e Traumës

Ora 20:00
Atentati në Elbasan, identifikohet viktima tjetër, i përfshirë në një vrasje në Tetovë

Report Tv ka mësuar emrin e viktimës së dytë nga atentati në Elbasan, i cili është identifikuar si Lulzim Bitri 43-vjeçari, nga Elbasani. Edhe ky ishte një person me precedent të mëparshëm penal, pasi akuzohej për vrasjen e një personi në Tetovë të Maqedonisë së veriut në 2018. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale.

 

Ora 19:47
Atentati në Elbasan, kush është Ardian Çollaku, i dënuar me mbi 23 vite burg në Itali për prostitucion dhe subjekt i OFL

Report TV mëson se personi i plagosur rëndë në atentatin në Elbasan është Ardian Çollaku. Ky emër nuk është i panjohur për policinë, pasi më parë ka vuajtur dënimin për prostitucion dhe armëmbajtje pa leje në Itali. Ardian Subashi Çollaku, 48 vjeç , u dërgua në spitalin e Elbasanit, por ka pësuar vdekje klinike dhe po dërgohet në Tiranë. Ardian Subashi (Çollaku) ka qenë edhe subjekt i OFL-së.

Kush është Ardian Subashi (Çollaku)? Në 2015 ai ishte arrestuar në Elbasan me qëllim ekstradimin në Itali. Autoritet italiane e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për veprat penale te "Shfrytëzimit të prostitucionit" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit". Është ende e paqartë nëse Çollaku është ekstraduar apo jo drejt Italisë.