LEZHË- Veshur me uniformën e policisë së shtetit shqiptar, nënkomisarit 45-vjeçar Saimir Hoxha, baba i 2 djemve të vegjël, i është ndërprerë jeta në mes në krye të detyrës, nga një plumb ne zemër i shkrepur nga një 21-vjeçar në Ishull Lezhë pak pas orës 10 të mëngjesit të sotëm.

Nënkomisari Saimir Hoxha i cili do të shpallet ‘Dëshmor i Atdheut” pasi u vra në krye të detyrës nga Aldi Rama, një djalë me precendentë penalë, me një jetë të trazuar, fëmijë i 2 prindërve të divorcuar, i rritur nga gjyshi. Vetë i riu ndërroi jetë në spital, pasi qëlloi veten me të njëjtën armë që vrau efektivin, pas 6 orësh në arrati nga forcat RENEA  dhe FNSH. Teksa Report TV po ndiqte live hap pas hapi operacionin, 21-vjeçari bënte përpjekjet e fundit për t’iu shmangur fatit që tashmë vetë e kishte shkruar. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës, siç u pa në pamjet e sjella nga Report Tv, por gjendja e tij ishte e rënduar, për pasojë i intubuar u dërgua drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar mjekësore. 21 vjeçari ka qëlluar veten me pistoletë në fyt.

Ngjarja e rëndë nisi me vrasjen e Hoxhës në orën 10:30 në zonën e kenetës “Laguan Vain. 4 policët, mes tyre edhe Saimir Hoxha, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge. Rrugës nëpër kënetë, përballë u shfaqet makina ku ishte 21 vjeçari i cili qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ishull Lezhë, bashkë me 3 shokët e tij. Efektivët e policisë ua kanë bërë me dorë që të ndalojnë makinën, por ata s'e kanë bërë një gjë të tillë. Kur nënkomisari Hoxha dhe bashkë me efektivët e tjerë i kanë bërë postbllok makinës, Aldi Rama shtiu me armë drejt tyre. Plumbi zuri nënkomisarin Hoxha kurse efektivët e tjerë ranë në kanal. Aldi Rama ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të pyllit, kurse policia mundi të arrestojë dy personat që ishin në makinë me Aldi Ramën në momentin e ngjarjes, Kristian Sherrin dhe Armando Markun. Ndërkohë raportohet se në makinë ka qenë dhe një person i katërt, i cili është ende në arrati.

Saimir Hoxha, 44 vjec baba i dy fëmijëve, vëllai i kryegjyqtares së Pukës, mori një plumb vdekjeprurës në krah të majtë të zemrës dhe megjithëse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetoi. Policia vuri si shpërblim për këdo që dërgonte informacion mbi vendodhjen e autorit, 20 mijë euro. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat RENEA dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj. Në mbështetje të forcave këmbësore, shkuan edhe dy helikopterë. Dyshimet e para ishin se i riu u fsheh në një vilë në mes të Vainit, por policia nuk e gjeti aty. 2 persona të tjerë janë arrestuar për këtë ngjarje, të cilët kanë qenë në automjet me autorin e krimit. 

Aldi Rama ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për herë të parë për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa në vitin 2020 është ndaluar sërish parë mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

 

 

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:22
Vrasja e nënkomisarit, babai i një prej të arrestuarve: Një person i katërt është ende në arrati! I vuri pistoletën në kokë Aldi Ramës që të mos ndalonte makinën

Report Tv ka zbardhur dëshminë e babait të një prej personave që ishte në makinë me Aldi Ramën në momentin kur ky i fundit qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë. Babai i Armando Markut, i cili u arrestua sot, ka deklaruar se në automjet ishin 4 persona dhe se njëri prej tyre është ende i lirë. Sipas tij, ky person i ka vënë armën në kokë Aldi Ramës dhe djalit të tij që të mos ndalonte makinën, kur i ka dalë përballë postblloku i policisë.

Ora 21:20
​​​​​​Pa me sy vrasjen e nënkomisarit, dëshmia e shefit të krimeve Lezhë: Bëmë postbllok, i dolëm para makinës së Aldi Ramës! Ai qëlloi, ne ramë në kanal

Shefi i Krimeve në Lezhës Leonard Palushi i cili ka parë me sy vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha ka treguar si ka ndodhur ngjarja. Ai thotë se kanë pasur informacion për të kërkuarin Xhulio Vokrri dhe i kanë bërë postbllok makinës së Aldi Ramës së bashku me shokët e tij. Të gjithë policët i kanë dalë para makinës, por Aldi Rama nuk ka ndaluar. 21 vjeçari ka qëlluar në drejtim të tyre dhe plumbat kanë kapur efektivin Hoxha, kurse policët e tjerë kanë përfunduar në kanal.

"Bëmë postbllok pasi kishim informacion për të kërkuarin Xhulio Vokrrin. Saimir Hoxha, unë dhe 2 policë i dolëm para makinës së Aldi Ramës. Rama nuk ndaloi dhe qëlloi, vrau Hoxhën, ne të tjerët përfunduam në kanal", tha ai.

 

Ora 20:53
Në makinë me Aldi Ramën kur vrau nënkomisarin Saimir Hoxha, kapen 2 shokët e autorit! Kolegët e policit qëlluan 9 herë

Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme 2 personat të cilët ndodheshin në makinë me Aldi Ramën, në momentin kur ky i fundit qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha. Kristian Sherri dhe Armando Marku, u shoqëruan menjherë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa mbëmjen e sotme iu komunikua arresti. Të tre të rinjtë rezultojnë përdorues hashashi dhe të përfshirë në trafik droge. Ndërkohë nga hetimi paraprak rezulton se kolegët e Saimir Hoxhës kanë qëlluar 9 herë ndaj Ramës, i cili arriti të largohej. Ndërkohë nga hetimi paraprak rezulton se kolegët e Saimir Hoxhës kanë qëlluar 9 herë ndaj Ramës, i cili arriti të largohej. Në momentin kur ndodhi ngjarja, Saimir Hoxha shoqërohej nga 4 kolegë, të cilët menjëherë kanë kërkuar ndihmën e FNSH, kanë neutralizuar 2 shokët e autorit dhe më pas kanë tentuar t'i japin ndihmën e parë nënkomisarit, duke bërë që Aldi Rama të largohej.

Ora 20:28
Vrau efektivin në Lezhë, Aldi Rama qëlloi veten me pistoletë në fyt, plumbi i doli përtej! Ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma

Aldi Rama, autori 21 vjeçar i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë, gjatë operacionit për kapjen e tij mësohet se e ka qëlluar veten me pistoletë në fyt dhe plumbi i doli përtej. Autori ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma dhe shpresat që të mbijetojë janë shumë të pakta.

Ora 19:16
Vrasja e nënkomisarit Hoxha, VIDEO e operacionit nga toka dhe ajri për kapjen e autorit! 21 vjeçari u gjet pas 6 orësh kërkime

 

Policia e shtetit ka sjellë një video me pamje të operacionit nga toka dhe ajri për gjetjen e 21 vjeçarit Aldi Rama, autor i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë. Aldi Rama u gjet pas 6 orësh kërkime nga RENEA. Ai kishte qëlluar edhe veten me armë dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje kritike për jetën.

Ora 17:24
VIDEO/ Qëlloi efektivin dhe më pas veten, autori 21 vjeçar mbërrin te Trauma në Tiranë i intubuar

21 vjeçari Aldi Rama autori i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha, nga urgjenca e Lezhës ku ishte i intubuar dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore pasi qëlloi veten me armë gjatë operacionit për kapjen e tij. Në video shihet momenti kur ai mbërrin te Trauma.

 

 

Ora 17:05
VIDEO/ Qëlloi veten pasi vrau efektivin, momenti kur 21 vjeçari mbërrin në urgjencën e Lezhës me barrelë dhe i rrethuar nga policët! Ka dëmtime në kokë

LEZHË- Ky është momenti kur 21 vjeçari Aldi Rama autor i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha ka mbërritur në urgjencën e spitalit rajonal Lezhë, pasi gjatë aksionit të policisë për kapjen e tij ai ka qëlluar edhe veten me armë. I riu është pa ndjenja dhe ka marrë plagë të shumta. Bluzat e bardha kanë ndërhyrë menjëherë për t'i dhënë ndihmën e parë por gjendja e tij është kritike. Autori ka dëmtime edhe në kokë.

Ora 16:17
SHÇBA: Kemi nisur hetimin për veprimet e policëve para dhe pas vrasjes së efektivit Saimir Hoxha

1632833564_aldirama.jpg

Report Tv ka mësuar se SHÇBA ka nisur hetimin për veprimet e policëve para dhe pas vrasjes së efektivit Saimir Hoxha. Kjo sepse në operacionin për kapjen e Aldi Ramës, kanë qenë një grup i përbërë prej 4 personash, mes tyre edhe Saimir Hoxha, i cili u ekzekutuar nga 21-vjeçari.

Cili ishte reagimi i efektivëve të tjerë të policië pasi ekzekutimit të kolegut të tyre, pse nuk arritën që ta arrestonin në flagrancë, si arriti Aldi Rama që t'u ikte...pikërisht këto dhe disa pyetje të tjera priten që të marrin një përgjigje nga hetimi i SHÇBA-së.

Ora 16:15
Pamje ekskluzive/ Vendi ku u gjend në gjendje të rëndë autori 21-vjeçar i vrasjes së efektivit të Policisë

 

Report Tv sjell videon nga vendi i ngjarjes, ku u gjend në gjendje të rëndë, Aldi Rama, i cili më herët vrau efektivin e Policisë, Saimir Hoxha.Në vendngjarje janë dy ambulanca, të cilët po bëjnë të mundur transportimin e tij drejt spitalit. 

Ora 15:47
Autori i vrasjes së efektivit në Lezhë , arrestohet i plagosur Aldi Rama! Tentoi vetëvrasjen, 21-vjeçari në gjendje shumë të rëndë

1632833910_ramahoxha.jpg

Autori i vrasjes së efektivit në Lezhë , arrestohet i plagosur Aldi Rama! Tentoi vetëvrasjen. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se ai ka qëlluar 2 herë veten e tij. Ai është plagosur, e ndërsa në vendngjarje ka shkuar edhe ambulanca për t’i dhënë ndihmën e parë. Mësohet se 21-vjeçari është në gjendje shumë të rëndë për jetën. 

"Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Policisë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në "Lagunen Vain". 

Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama  nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur  me armën e  tij. Aktualisht po transportohet  nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën. 

Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular", njofton Policia. 

Ora 14:59
Me pistoletë në tavolinë, në adoleshencë dilte në foto me kryeministrin Rama kur ky vizitonte Lezhën, dalin fotot e vrasësit të oficerit të Krimeve

 

Aldi Rama, 21-vjeç, po kërkohet 'këmba-këmbës" nga forcat e policisë pasi është autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të Krimit në Lezhë, Saimir Hoxha. Forca të shtuara të policisë dhe një helikopter janë duke kërkuar për kapjen e tij.

Por ndërsa tani Aldi u shfaq si autori i një krimi tejet të rëndë, vite më parë ai ka pozuar edhe krah kryeministrit Edi Rama, kur ky i fundit ka bërë foto me të pranishmit gjatë një vizitë në Lezhë në vitin 2016 dhe kur Aldi Rama ishte adoleshent.

Ora 14:57
Ishte me nënkomisarin e vrarë, Shefi i Krimeve në Policinë Lezhë jep detajet: Po kërkonim të arrestonin dikë tjetër

1632830289_Screenshot1.jpg

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Shefi i Krimeve që ka qenë bashkë me efektivin e vrarë gjatë operacioni, mësohet të jetë shprehur se: se kishin informacion se autori Aldi Rama shoqërohej me, Xhulio Vokrrin që kish plagosur më herët Paulo Bushin (Ndoj), 25 vjeç, ngjarje e ndodhur më 17 shtator në Manati të lezhës.

Pra policia shkoi të arrestonte Xhuli Vokrrin.

Ora 14:34
Në burg që 18-vjeç, me prindër të divorcuar dhe i rritur nga gjyshi, kush është autori që vrau policin në Lezhë

1632823068_1632822919aldo.jpg

21-vjeçari Aldi Rama është identifikuar si autor i vrasjes se nënkomisarit të Policisë Lezhë, Saimir Hoxha mëngjesin e sotëm në Vain të Lezhës.

Po kush është Aldi Rama?

I riu, i cili po kërkohet 'këmba-këmbës' nga forcat RENEA në zonën e Vainit në Lezhë, është rritur nga gjyshi i tij, pasi prindërit i kishte të divorcuar që në 2012. Në moshën 18-vjeçare në 2019, Aldi Rama bëri burg për të parë i akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisin. Ai u akuzuar për vjedhjen e telefonit të të dashurës së tij dhe iu gjetën cigare kanabis në banesën e gjyshit me të cilin jetonte. Ai gjithashtu u kallëzuar nga e dashura e tij për dhunë fizike, por që më pas kjo çështje u pushua nga gjykata.  Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta

Oficeri i policisë, Saimir Hoxha shefi i krimeve dhe një efektiv tjetër i Lezhës, i janë afruar makinës së autorit, për të ushtruar një kontroll mbi bazën se kanë të bëjnë me një person të dyshimtë, por menjëherë ka qëlluar Aldi Rama duke lënë të vdekur policin. Oficeri i policisë ka qenë me jelek identifikues të punonjësit të policisë, por jo me antiplumb.

Autori është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, ka braktisur makinën rreth 1 km nga vendi ku qëlloi. Forcat RENEA kanë lokalizuar autorin në zonë dhe me mjetet speciale, një helikopter që patrullon gjatë gjithë kohës në zonë dhe një qen special po punon për kapjen e 21-vjeçarit, ndaj të cilit është vënë edhe një shpërblim prej 20 mijë euro kush jep informacione për të.

Ora 14:09
RENEA 'këmba këmbës' për kapjen e 21-vjeçarit që vrau policin në Lezhë! Efektivët hipin në maj të çatisë, lokalizohet autori, qëlloi helikopterin e policisë

 

RENEA po vijon kontrolle të imtësisht madje me forcat e saj më speciale për kapjen e 21-vjeçarit që vrau nënkomisarin Saimir Hoxha. Report Tv është e pranishme me kamerat e saj gjatë aksionit të policisë, ndërsa është edhe lokalizuar pasi ai ka qëlluar me armë drejt helikopterit që po patrullon në zonën e Vainit të Lezhës

Ora 13:56
Në kërkim të 21 vjeçarit që vrau nënkomisarin, policia ka informacion, lokalizon autorin

 

Burime për Report Tv ka bërë me dije se policia ka lokalizuar vendin se ku ndodhet autori i vrasjes së policit 45-vjeçar, Saimir Hoxha.

Aldo Rama është larguar nga makina e tij, të cilën e braktisi 1 km larg vendngjarjes.

Ora 12:53
Shpërblim 20 mijë euro për këdo ka informacion për 21-vjeçarin vrasës të oficerit të krimeve, policia kërkon ndihmë

 

Policia vendos 20 mijë euro  shpërblim për këdo qytetar që jep informacion për vendndodhjen e autorit.

"Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën. Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit  ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt.   Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853", thuhet në njoftimin e policisë.

 

1632826623_ALDORAMA.jpg

Ora 12:19
21 vjeçari vrasës i policit braktisi makinën 1 km larg vendngjarjes! Helikopteri i Ministrisë së Brendshme patrullon në kërkim të autorit

 

Të tjera detaje mësohen nga ngjarje e rëndë që tronditi Lezhën paraditen e sotme. Autori 21-vjeçar i vrasjes së oficerit të policisë ka braktisur makinën e tij vetëm 1 kilometër nga vendi i ngjarjes.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv shikohet se si helikopteri i Ministrisë së Brendshme patrullon në Ishull Lezhë në kërkim të autorit.

Ora 11:57
Vrasja e policit në Lezhë, policia njoftim zyrtar: Autori 21 vjeç, i dënuar më parë për drogë

1632823454_aldorama.jpg

Policia e Lezhës ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me vrasjen e efektivit, ku autor është identifikuar Aldo Rama, 21 vjeç , i cili ka qenë i dënuare dhe më parë për drogë.

"Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale", thuhet në njoftimin e policisë.

(Kliko këtu për lexuar vendimin e plotë)

Ora 11:33
Qëlloi për vdekje oficerin e policisë gjatë aksionit anti kanabis, zbulohet autori

 

1632822915_aldo.jpg

Aldo Rama, personi që shihni në foto, është autori i dyshuar për vrasjen e oficerit të policisë sot në Lezhë gjatë një operacioni anti kanabis. Autori është në kërkim.

Ora 11:28
U vra gjatë aksionit anti-kanabis, ky është nënkomisari që u ekzekutua në Lezhë

1632821343_saimirhoxha.jpg

Report Tv ka siguruar një foto të nënkomisarit Saimir Hoxha, i cili u vra ditën e sotme gjatë një aksioni të RENEA-s anti-kanabis në Lezhë. Nën komisari Saimir Hoxha, 45-vjeç, ka qenë me 4 kolegë të tij kur kanë ndaluar një automjet i cili dyshohet me targa të vjedhura dhe i kanë bërë me shenjë të ndalojnë. Ata kanë hasur menjëherë me të shtënat e armëve nga makina.  Autori Aldo Rama 21 vjeç ka qenë në makinë, jashtë banesës së tij. Autori ndodhej në masë arresti në shtëpi për drogë.