Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në zonën e Kamëz në Tiranë ku një person, i identifikuar si Ardian Baloshi, ka mbetur viktimë. Autori është identifikuar si Sadik Llanaj, i cili është larguar nga vendngjarja me automjet dhe është i armatosur.

Ngjarja ka ndodhur në rrugë në afërsi të një kalçetoje ndërsa rrethanat e konfliktit janë ende të paqarta. Viktima është dërguar në spitalin e Traumës nga persona të rastit, ndërsa ka ndërruar jetë ende pa mbërritur.

Për shkak të rrezikshmërisë që autori paraqet pasi është i armatosur, në operacionin për kapjen e tij marrin pjesë dhe forcat RENEA.

"Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.

Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.

Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju  informojmë në vijim për çdo gjë që  lidhet me këtë ngjarje", thuhet në njoftimin e policisë.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Vrasja në Paskuqan/ Drejtori i Policisë së Tiranës: Viktima është dërguar në spital nga kalimtarë të rastit, autori është larguar me automjet, është i armatosur

Drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba ka sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në zonën e Paskuqanit pranë një kalçetoje. Torba u shpreh se viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital ku është dërguar nga kalimtarë të rastit.

Autori është i armatosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Ngjarja ka ndodhur në rrugë pranë një kalçetoje.

“Në spital e Traumës ka shkuar pas shenjka jete Ardian Balloshi rreth 27 vjeç. Nga konstatimet dëmtimet i ka pasur me armë zjarri. Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit, është gjykuar që në operacion të marrë pjesë dhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë. Janë të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet. Nuk ka të plagosur të tjerë. Viktima është dërguar në spital me automjet privat nga qytetarë të rastit”, tha Torba.