Sherri mes fqinjve për një mur rrethues përfundoi në një tragjedi të rëndë mesditën e së hënës në zonën e Bathores në Kamëz. 40 vjecari Ngushëllim Manzi, efektiv i policisë ushtarake qëlloi me armë zjarri ndaj vëllezëvre Islamaj, duke lënë të vdekur dy prej tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘Petrela’, në afërsi të repartit ushtarak të Zall Herrit. Konflikti nisi verbalisht mes autorit të dyshuar dhe tre vëllezërve të cilët kishin nisur punimet për ndërtimin e murit rrethues të banesës së tyre. Fqinjët tregojnë se situata u tensionua në momentin kur pranë oborrit mbërriti betonierja, ndërsa 40 vjeçari Manzi po kundërshtonte hedhjen e betonit.

Debati mes fqinjëve degradoi me shpejtësi duke bërë që efektivi Manzi të shkrepte armën e shërbimit duke qëlluar me breshëri drejt tre vëllëzërve. Nga të shtënat ndërroi jetë në vend njëri prej tyre, 30 vjeçari Selam Islamaj, i cili sipas policisë mori plagë tejshpuese. I plagosur vëllai më i madh, 48 vjeçari Nazmi Islamaj u transportua me urgjencë drejt spitalit por rrugës humbi jetën për shkak të hemorragjisë. Me një plumb në gjoks, në gjendje kritike për jetën ndodhet vëllai tjetër 44 vjeçar, Shefqet Islamaj, i cili po trajtohet në spitalin e Traumës.

Vetëm disa minuta pas ngjarjes shërbimet e forcave Shqiponja dhe policia lokale rrethuan zonën. Autori i dyshuar, polici ushtarak, Ngushëllim Manzi, u vu në pranga si dhe iu sekuestrua arma e shërbimit. Policia dhe prokuroria po marrin në pyetje të afërm famijarë për të zbardhur konfliktin dhe shkaqet që e cuan në këtë ngjarje të rëndë.

"Nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.

Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj", njoftoi sot policia.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:12
FOTO/ Këta janë dy vëllezërit që u vranë nga polici ushtarak në Kamëz, pas sherrit për murin rrethues

1792429632_selamnazmi.jpg

Personat në foto janë Selam Islamaj, 30 vjeç, dhe Nazmi Islamaj, 48 vjeç, dy vëllezërit që mbetën të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Bathore të Kamzës. Ata u qëlluan nga fqinji i tyre, efektivi i Policisë Ushtarake Ngushëllim Manzi, pas një konflikti për ndërtimin e një muri rrethues. Vëllai i tretë, Shefqet Islamaj, mbeti i plagosur rëndë.