Qyteti i Kavajës tronditet sërish nga një vrasje me armë. Mbrëmjen e sotme rreth orës 18:00 pronari i një lokali qëlloi për vdekje klientin. Viktima është Marius Ismaili 26-vjeç, ndërsa autori është Xhevdet Lecini 60-vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 2 në Kavajë në katin e parë ku Lecini kishte lokalin, në të njëjtin pallat ku banon Marsida Qatja (lexo ketu cfare ndodhi ne 10 tetor).

Të dy të dehur, pasi kishin pirë për 7 orë, fillimisht Lecini dhe Ismaili kanë debatuar me njëri tjetrin, ndërsa më pas pronari i lokalit ka shkuar në shtëpi, në katin e tretë të pallatit ka marrë armën e gjahut që kishte me leje dhe në momentin që ka hyrë në lokal e ka qëlluar me një plumb pas koke të riun duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, autori nuk ka bërë rezistencë, por është dorëzuar vetë në polici.

Të dy, autori dhe viktima nuk janë të panjohur për policinë e qytetit të Kavajës. Një burim nga grupi hetimor i tha Report Tv se viktima kohët e fundit ka qenë shoqëruar disa herë në polici pasi dyshohej se ishte shpërndarës droge, ndërsa në vitin 2012 ka qenë i arrestuar për vjedhje dhe tentativë vrasje së bashku me një tjetër person. Probleme me drejtësinë më parë ka pasur edhe autori, por në kohën e komunizmit, ku ka qenë i arrestuar për plagosje, por Lecini pretendonte se e kishte bërë për vetëmbrojtje.

Raportuan për Shqiptarja.com gazetarët Artur Korriku, Arsen Rusta dhe Xhensila Kodra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:37
Vrasja në Kavajë, flet autori: Kishim 7 orë që pinim, u errësova dhe e qëllova

Report Tv zbardh dëshminë e autorit të vrasjes në Kavajë mbrëmjen e sotme. Xhevdet Lecini 60-vjeç me duart në kokë i shokuar për atë që ndodhi është shprehur para grupit hetimor se me viktimën dhe një tjetër person kishin që prej orës 11:00 të paradites së sotme dhe deri kur ndodhi ngjarja që pinin së bashku në lokal, ndërsa shkak i ngjarjes ka qenë një debat që degjeneroi nga sharjet në përdorimin e armës. "Kemi qenë të pirë, ishim prej orës 11:00 në tavolinë. Nuk e di si ndodhi, u errësova dhe e vrava" mësohet se ka thënë Lecini. Autori e kishte banesën në katin e tretë, ndërsa lokalin ku shiste edhe mish në katin e parë të pallatit.