Katër të rinjtë kanë qenë duke konsumuar alkool në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj, kur një veprim i pakujdesshëm dyshohet se çoi në plagosjen e rëndë të 17-vjeçarit.

Sipas burimeve, në një moment Sylaj ka marrë pistoletën që e kishte të tijën pa leje për t’ua treguar shokëve, por pa qenë në dijeni se arma kishte fishek në fole, ia ka drejtuar 17-vjeçarit dhe arma është shkrepur. I mituri ka marrë plagë të rënda në kokë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet në gjendje kritike.

Pas ngjarjes, 19-vjeçari dhe dy të rinjtë e tjerë, 20 dhe 22 vjeç, të tronditur nga ajo që kishte ndodhur, e kanë nxjerrë të plagosurin në oborrin e banesës private dhe kanë kërkuar ndihmën e ambulancës. Në dëshmitë e para ata kanë pretenduar se kishin dëgjuar një të shtënë arme jashtë dhe se shoku i tyre ishte gjetur i plagosur në oborr.

Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ata kanë ndryshuar versionin, duke pranuar se plagosja kishte ndodhur brenda banesës, gjatë momentit kur 19-vjeçari po u tregonte armën. Sipas burimeve, 19-vjeçari Rigers Sylaj është djali i një ushtaraku.

Për rastin, përveç 19-vjeçarit, në pranga kanë rënë edhe 20-vjeçari me inicialet A. V. dhe 22-vjeçari me inicialet H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Njoftimi i plotë i policisë:

Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari.

Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre.

Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.

Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore:

-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

lajm në pëditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.