Barush alias Bajram Bregu, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, është personi i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës pasi ditën e djeshme qëlloi në ajër me armë zjarri dhe arriti të arratisej. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras teksa Barush Bregu ishte pasagjer në një automjet që drejtohej nga Ervis Baba, tashmë i arrestuar. Ky i fundit nuk iu bind urdhrit të patrullës për të ndaluar për kontroll. Së bashku me të është arrestuar dhe 1 i mitur që ishte gjithashtu pasagjer.

Lagja e Kirasit e njohur si bastion i grupit Lici, dje u ‘blindua’ nga forca të policisë që zhvilluan kontrolle me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij, por pa sukses. Dyshimet e policisë janë se Bregu mund të ketë shfrytëzuar komunikimin e brendshëm mes oborreve dhe bahçeve të shtëpive në Kiras, të cilët dyshohet se kanë dyer të ndërmjetme gjë që ka favorizuar atë që të arratiset.

Barush Bregu është gjithashtu shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër më 8 shtator 2025, i dyshuar si personi që i siguroi armën autorit Ragip Gila. Bregu njihet si një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.

Dinamika e ngjarjes

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, kur shërbimet e Policisë, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, i bënë shenjë ndalimi një automjeti me dy persona brenda për kryerjen e kontrolleve.

Drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, por shtoi shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët ta ndjekin. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri i automjetit, Bajram Bregu, qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Policia arriti të arrestonte vetëm shoferin dhe pasagjerin e mitur.

Në momentin kur Barush Bregu ka qëlluar në ajër, efektivët e shërbimit kanë kërkuar forca mbështetëse për shkak se bëhej fjalë për një person i dyshuar me rrezikshmëri të lartë, por derisa kanë mbërritur trupa të tjerë të policisë, ka mjaftuar që Bajram Bregu të largohet në drejtim të paditur.

Policia përveç forcave të shumta shtesë, për lokalizimin e tij përdori edhe dronin nga ajri për kontrollin e zonës. Në banesën ku u mendua se fshihej për momentin, policia nuk e gjeti aty pavarësisht kontrolleve aty.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti.

Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E. B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.

43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.

Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajër me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.

Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volksëagen Seat” me të cilin lëviznin këta shtetas.

Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:45
Profil/ Njeriu kryesor i vrasjeve për llogari të grupit Lici, kush është Barush Bregu që i shpëtoi dje policisë në Kiras

Ibrahim Lici dhe Barush Bregu

Barush alias Bajram Bregu është personi që ka qëlluar dje me armë zjarri në ajër në Kiras të Shkodrës teksa policia i ishte vënë në ndjekje së bashku me një tjetër person, i cili tashmë është arrestuar. Barush Bregu është shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër me autor Ragip Gilën, ngjarje e ndodhur më 8 shtator 2025.  Ai dyshohet si personi që i siguroi armën autorit, i cili la të vdekur Liridon Krajën dhe Armaldo Palin, ndërsa u plagos aksidentalisht kamerierja e lokalit. Shënjestër ishte Erogen Bajri.

Barush Bregu është një emër i njohur për blutë e Shkodrës dhe me një të kaluar kriminale në fushën e narkotikëve, por jo vetëm. Prej vitesh, Bregu njihet një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.

Në vitin 2012, ai ka ndryshuar emrin nga Bajram në Barush. 39-vjeçari është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda  kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike".

Më 4 maj 2019, Bregu u arrestua në Komunën e Parisit në Tiranë, pasi rezultonte i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në vitin 2016, si dhe kishte masë sigurie "Arrest në burg", për armëmbajtje pa leje. Po ashtu, gjatë një aksioni në shtatorin e 2018-ës, pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjet një armë zjarri automatike e cila kishte gjurmët e gishtave të Bregut.

Bregu u arrestua në 2019-ën nga një operacion i RENEA-s me snajperë të vendosur në pika të larta të pallateve, e cila bastisi banesën ku fshihej i riu. Në pranga ra edhe Bajram Çekorja nga Shkodra, personi që e kishte ndihmuar të fshihej.