TIRANË, 3 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Personat e kategorisë së vetëdeklaruesve me statusin e të verbërit, do u falet detyrimi financiar për parcelën ndërtimore të cilën kanë aplikuar për legalizim, tha sot, Drejtori i Përgjitshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata "Ndihmoni Jetën" në kuadër të Ditës Ndërkombëtarë të Personave me Aftësi të Kufizuar.
Drejtori i ALUIZNI-t, Lame gjatë fjalës së tij prezantoi vendimin e fundit të marrë nga Këshilli i Ministrave për përfshirjen e kategorisë së vetëdeklaruesve me statusin e të verbërit, të cilëve u falet detyrimi financiar për parcelën ndërtimore të cilën kanë aplikuar për legalizim.
"Më herët ne kemi parashikuar lehtësi financiare dhe falje edhe për kategorinë e personave para dhe tetraplegjikëve. Konkretisht këta persona-aplikues për legalizim përfitojnë falje të pagesës së truallit/tokës ku është ngritur ndërtimi i tyre pa leje. Ndërsa vetëdeklaruesit që kanë familjarë me status të tillë (para dhe tetraplegjikeve) paguajnë vetëm 50 % të vlerës së saj (tokës). Të njëjtat lehtësi u parashikuan edhe për të verbërit, duke ia falur pagesën personave të kësaj kategorie si dhe duke duke zbritur me 50 % pagesën për ata që kanë në familjet e tyre, persona të verbër" - u shpreh Lame.
Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame theksoi: "Ne do të vijojmë të punojmë së bashku për të përfshirë në procesin e legalizimit edhe kategori të tjera, pa asnjë veçori dhe pa pagesë siç e parashikon ligji".
/f.n/











