Kërkimi për të zhdukurit në Shqipëri po hyn në një fazë më të avancuar, por edhe më kërkuese për vendimmarrje.
Në përmbyllje të projektit AIDSSH–ICMP, Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, deklaroi se tashmë ekziston një bazë më e plotë provash dhe dokumentimi, që duhet të kalojë në duart e drejtësisë.
“Këtë herë kemi një ndryshim thelbësor: prova më të plota, dokumentim më të strukturuar dhe një bazë më të fortë për hetim,” u shpreh ajo, duke kërkuar që Prokuroria të marrë në shqyrtim gjetjet.
Aktualisht, AIDSSH po avancon në verifikimin e 17 vendvarrimeve të dyshuara, ndërsa në 6 prej tyre ICMP ka konfirmuar praninë e mbetjeve mortore përmes metodave shkencore, një zhvillim që konsiderohet si provë e fortë për vijimin e hetimeve.
Paralelisht, është ndërtuar dhe konsoliduar databaza për personat e zhdukur, ku deri më tani janë regjistruar rreth 410 raste, të mbështetura në kërkesat e familjarëve dhe verifikimet institucionale.
Kjo databazë përbën bazën kryesore për hetim, identifikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
Në hapje të aktivitetit, përfaqësuesja e ICMP, Samira Krehic, theksoi se projekti ka vendosur themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet europiane, por paralajmëroi se mijëra familje vijojnë të presin përgjigje dhe se kjo mbetet një përgjegjësi e hapur e shtetit.
Ky mesazh u reflektua edhe në diskutimet që pasuan.
Anëtari i Autoritetit, Gjergj Marku, theksoi nevojën për një koordinim real dhe të detyrueshëm ndërinstitucional, në mënyrë që puna e bërë të mos mbetet e fragmentuar.
Vrioni, anëtar i AIDSSH, theksoi qartë se pa rregullime ligjore dhe miratimin e akteve nënligjore, procesi rrezikon të ngecë, pavarësisht progresit të arritur.
Altin Hoxha, anëtar, vuri theksin te angazhimi më aktiv i strukturave të drejtësisë, duke e konsideruar këtë si momentin për të kaluar nga dokumentimi në veprim konkret.
Ndërsa Nikolla vlerësoi analizën antropologjike të ICMP-së si thelbësore për identifikimin e mbetjeve mortore.
Në thelb, mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: është ndërtuar një bazë serioze pune, por hapi vendimtar nuk është më teknik, është politik dhe institucional
Luigj Ndou, koordinator i ICMP për Shqipërinë, shprehu gatishmërinë e organizatës për të qenë në krah të qeverisë shqiptare dhe për të mbështetur procesin me ekspertizë teknike, por theksoi se ndërmarrja e hapave konkretë dhe vendimmarrja mbetet përgjegjësi e institucioneve shqiptare.
Juristja e njohur dhe përfaqësuese e shoqërisë civile, Erinda Bllaca, vlerësoi përpjekjet e AIDSSH dhe deklaroi se kërkohet vendimmarrje e qartë politike dhe institucionale për ta çuar procesin përpara.
Sepse pa vendime të qarta, pa koordinim të plotë dhe pa kuadër të konsoliduar ligjor, edhe provat më të forta rrezikojnë të mbeten pa përgjigje. Dhe ndërkohë, familjet vazhdojnë të presin.
Komente









