Aksioni i policisë dhe fadromave, që në 03:00 të mëngjesit rrethuan e më pas shembën Teatrin Eksperimental dhe Teatrin Kombëtar, zuri të papërgatitur opozitën që të enjten siguroi se do të bënte roje 24 orë në mbrojtje të godinës, ashtu si e kishte organizuar prej shumë muajsh një grup artistësh. Por në mbërritjen e fadromave Teatri ishte gati bosh.

Lulzim Basha, ashtu siç ndodhi edhe të enjten në mbrëmje në natën e parë të turnit të tij, kishte qëndruar aty deri në orën 01:00 dhe lajmi i prishjes e kapi përmes një telefonate ndërsa flinte. Brenda Teatrit kishin mbetur një grup artistësh dhe Flamur Noka, Edi Paloka, Gent Strazimiri, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi nga PD.

Rreth orës 3 të mëngjesit fadromat e nisën prishjen e Teatrit Eksperimental, ndërkohë që të gjithë ndodheshin brenda sallës tjetër të Teatrit Kombëtar pa marrë vesh se çfarë po ndodhte. Monika Kryemadhi, ndryshe nga sa tha, nuk ndodhej aty por u kthye nga shtepia pasi kishte nisur shembja e Teatrit Eksperimental. Policia më pas ka vazhduar shembjen e Teatrit Kombëtar duke e nxjerrë më parë të gjithë politikanët dhe artistët aty.

Disa militantë e akuzuan Monika se kishte ulur vigjilencën, pasi u kishte bërë thirrje të gjithëve të shkonin në shtëpi sepse do të mjaftonte prania e saj për të mbrojtur Teatrin nga fadromat. Edhe shkrimtarja Flututa Açka e akuzoi publikisht se u kishte kërkuar të largoheshin. Por ndryshe nga sa siguroi Monika, ngjarjet rrodhën ndryshe. Kur gazetarët e pyetën se pse kishte larguar militantët, Kryemadhi u përgjigj e nervozuar duke akuzuar gjithë mediat.