Teatri i Ri, Ahmetaj: Do jetë 8 herë më i madh, s'do preket asnjë centimetër tokë publike

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka dhënë detaje për projektin e ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar.

Nga foltorja e Kuvendit, duke iu përgjigjur 40 pyetjeve të LSI, Ahmetaj tha se Teatri i Ri do ketë një sipërfaqe 8 herë më të madh se ai aktual dhe do të ndërtohet në të njëjtin vend ku ndodhet ai ekzistues. Sipas tij, prona shtetëtore nuk preket, ndërsa buxheti i shtetit nuk do shpenzojë as edhe një qindarkë. 

Projektligji për Teatrin është një domosdoshmëri për të sqaruar. Në thelb nuk është duke u shkatërruar asgjë, por është duke u ndërtuar Teatër Kombëtar për aktorët. Ajo godinë nuk i përmbush kushtet për të ushtruar art në favor të qytetarëve.

Po kaloj në terma shifrash. Prona e teatrit është 5522 metra katrorë. Brenda kësaj prone ka ndërtesën e teatrit që është 1126 metra ndërtim. Çfarë po ndodh me këtë pronë?

Kjo pronë i ngelet sërish shtetit edhe si metra katrorë tokë dhe nëse i referohemi draft ligjit, neni 4 thotë paragrafi i dytë: Sipërfaqja që përbën pronën e teatrit do të jetë po ajo dhe pas përfundimit të Teatrit Kombëtar. Ky diskutimi që u mor teatri u shkatërrua teatri jo.

Prona e teatrit është pronë publike, ku brenda kësaj prone... artistët përfitojnë 4 salla nga godina e re. Por nuk ka kate që do t'i shfrytëzojë privati në këtë pronë. Me godinën e re do të kemi një teatër 8 herë më të madh. Ka rritje të vlerës së pronës në favor të qytetarëve. Bashkia kërkon të bëjë zhvillim të integruar të pronës. 

Po vij tek faza e dytë e diskutimit. Çfarë propozohet? Ka qenë kusht i artistëve dhe aktorëve. Kjo pjesë e shkruar si vijë e kuqe ku interesi publik mbrohet në rritje. Nëse ndërtesa sot ka brenda 1126 metra katrorë kanë rënë dakord që nuk është funksionale.

Çfarë merr në këmbim shteti, teatri, qytetarët?  Teatri i ri do ketë 9000 m2, në funksion të artit, nga 1126 metra jo funksionale që janë tani. Pra, 8 herë më shumë. Buxheti i shtetit harxhon 0 lekë dhe merr 9000 m2 truall.

Qytetarët përfitojnë të njëjtën pronë, por më të madhe. Aktorët do përfitojnë katër salla të reja.  Prona e Teatrit ngelet e pacenuar, përfitojmë 8 herë më shumë m2 në favor të qytetarëve dhe artistëve. Ku shkoi Teatri? Teatri do të jetë atje, më i mirë nga sa është aktualisht. Janë 97 mln euro, shumëfishohet vlera e pronës.   

Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë dhe Financave

Shpjegimi i ministrit vjen pas insistimit të LSI, konkretisht deputetëve Nasip Naço dhe Luan Rama për t'iu përgjigjur 40 pyetjeve rreth Teatrit se pse kërkon qeveria ta shembë dhe të negociojë në një kompani private, pa garë, për një Teatër të Ri me kulla përreth.

Sipas projektit te qeverise ''Pronari-shtet, në zonën ku propozohet që të zhvillohet projekti, ka një sipërfaqe prej 8 465 m2, nga të cilat, rreth 2 100 m2 janë pronë e Bashkisë së Tiranës. Vlera e objektit të Teatrit Kombëtar, sipas të dhënave të bilancit të institucionit, përllogaritur këtu amortizimi i godinës në vite, është 95 567 619 lekë.

Vlera e pronave shtetërore truall, e përcaktuar në zonën e projektit, sipas çmimit të referencës së miratuar me vendimin nr.89/2016, të Këshillit të Ministrave, është rreth 500 milionë lekë. Në pamundësi për të realizuar zhvillimin publik me fonde buxhetore, ky propozim siguron që të merret më e mira e bashkëpunimit ndërmjet pronarëve (shtetëror dhe privatë), publikut, investitorit:

- duke maksimizuar vlerën e asetit publik apo privat që kanë në dispozicion;

- duke optimizuar vlerën e zhvillimit në qendër të Tiranës dhe të nevojës publike për teatër e shërbime të tjera;

- duke maksimizuar vlerën e financimit të sipërmarrjes;

- duke transferuar të gjitha risqet te zhvilluesi.

Sipas këtij bashkëpunimi me partnerin privat, avantazhi kryesor është që shteti realizon ndërtimit e Teatrit të ri Kombëtar në një kohë shumë të shpejtë (3 vjet), vetëm nëpërmjet dhënies të së drejtave për zhvillim dhe pa asnjë financim publik apo fond buxhetor.

Ekstrakt nga relacioni qeveritar mbi projekt-ligjin

Fjala e plotë e ministrit Arben Ahmetaj sot në Kuvend

Natyrshëm unë e kuptoj edhe debatin që ekstremizohet në debat politik, pastaj ekstremizimi në sharje dhe fyerje tregon mungesë racionaliteti apo edhe argumenti, nga kushdo që e bën. Kjo është histori tjetër, nuk besoj se është vendi për të shkëmbyer sharje dhe fyerje, por është domosdoshmëri për të sqaruar.

Unë do marr parimin e ligjit të veçantë, dhe pastaj do kaloj në pyetjet që ju keni bërë duke u munduar të sqaroj publikun, të sqaroj edhe ata artistë, aktorë në pension apo aktivë, për çka është duke përfituar bota e artit dhe qytetarët.

Në thelb çfarë është duke ndodhur? Në thelb nuk është duke u shkatërruar dhe rrëzuar asnjë gjë. Në thelb, është duke u ndërtuar teatër kombëtar në favor të qytetarëve dhe në favor të aktorëve. S’e di kur ka qenë hera e fundit që ju keni qenë në teatër, po ky nuk është kusht për askënd që të kuptojë nga teatri, por ajo godinë në aspektin fizik është e ezauruar dhe në aspektin funksional është nxjerrë një konkluzion përtej nesh, se ne mund të themi çfarë të duam, që nuk i përmbush kushtet për të ushtruar art në favor të qytetarëve.

Prona e teatrit, që është pronë publike dhe jo pronë e bashkisë së Tiranës, është 5,522 m². Brenda kësaj prone, ka ndërtesën e teatrit e cila është 1,126 m² ndërtim. Cfarë po ndodh me këtë pronë? Kjo pronë i ngelet sërish shtetit edhe si metra katrorë tokë, dhe nëse i referoheni draftligjit, neni 4. Eshtë shumë e rëndësishme që ta kuptojnë njëri-tjetrin, mirëkuptimin mbase s’e kemi kusht këtë sekondë, (jo nga ana jonë, nga ana jonë patjetër, edhe ekstremizimin tuaj e mirëkuptojmë në një moment).

Neni 4, paragrafi 2 thotë: “Sipërfaqja që përbën pronën e teatrit do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të teatrit kombëtar”. Pra, ky diskutimi që “u mor teatri, u shkatërrua teatri”, jo! Teatri, prona e teatrit dhe metrat katrorë ngelen pronë publike dhe mbi këtë pronë ndërtohet, e tani po vij tek faza e dytë e diskutimit.

Çfarë propozohet? Dhe ky ka qenë propozimi i artistëve, pra ka qenë kusht i artistëve dhe aktorëve që kjo pjesë e shkruar e zeza në të bardhë si kusht, po e them në mënyrë metaforike “si vijë e kuqe” ku interesi publik mbrohet në rritje. Sot nëqoftëse ndërtesa brenda ka 1,126 m² dhe është konceptuar nga të gjithë aktorët dhe artistët, edhe nga ata që janë dakord me këtë projekt dhe ata që e kundërshtojnë në të drejtë të tyre këtë projekt, kanë rënë dakord që nuk është funksionale dhe çfarë merr në këmbim shteti, teatri, qytetarët?

Në këmbim merr 9 mijë m² ndërtim nga 1,126 m² që është sot, me zero lekë. Buxheti i shtetit harxhon zero lekë dhe merr 9 mijë m² nga 1,126 m² jo funksionale në të njëjtën pronë. Pra, për të sqaruar qytetarët, çfarë përfitojnë artistët? E para, përfitojnë 4 salla, 1 sallë është me 600 vende, 2 salla të tjera janë me nga 100 vende, pra që mund të kthehet edhe në qendër multifunksionale dhe ka edhe 1 sallë tjetër amfiteatër, jashtë në pjesën e katit të tretë dhe nuk ka më kate që do t’i shfrytëzojë privati në këtë prone. Ta sqarojmë njëherë e mirë pastaj fillojmë e bëjmë debatin me emocion, pa emocion, me shifra, pa shifra, me racionalitet pa racionalitet, kjo nuk ka rëndësi. Që do të thotë, cili është thelbi i këtij draftligji? Qytetarët përfitojnë mbrapsht të njëjtën pronë por me gati 8 herë një teatër më të madh, më funksional dhe modern nëse duam. Do kemi sfidën pastaj ta mbushim me përmirësimin e shfaqjeve po kjo nuk është pjesë e ligjit, kjo është pjesë që i takon aktorëve, artistëve dhe Ministrisë së Kulturës për të zhvilluar artin në Tiranë dhe në Shqipëri, kjo është histori tjetër.

Pra, ta sqarojmë këtë gjë! Nuk ka marrje prone, nuk ka shkëmbim prone, përkundrazi, ka rritje të vlerës së pronës në favor të qytetarëve shqiptarë, të artistëve nga 1,126 m² në 9 mijë m² , në të njëtën prone, me zero lekë nga buxheti i shtetit.

E mbani mend që dikur, ju bëtë një përpjekje tek Piramida, me ligj të veçantë dhe aty u groposën 3 milionë euro. E nisët më 6 milionë euro, nuk u realizua qëllimi, firma e Agim Ramës nuk e realizoi qëllimin, 3 milionë euro u groposën atje dhe qytetarët shqiptarë nuk përfituan asnjë gjë. Sot, jo vetëm që asnjë lekë nga buxheti i shtetit, por janë 8 herë më shumë m² në funksion të artit dhe nëse do të diskutonim edhe vlerën financiare, që do ta bëjë komisioni sepse po të lexoni nenet me kujdes, vetëm po të mos duash të lexosh atëherë mund të bësh pyetje që s’kanë lidhje fare me ligjin dhe ta ngresh pastaj në nivel tradhëtie kombëtare që në proces të japësh mbrapsht 9 mijë m² nga 1000 që sot nuk funksionojnë, t`ju japësh qytetarëve 9 mijë m² me zero lekë nga buxheti I shtetit, pa kosto nga buxhjeti i shtetit, domethënë t`u japësh një teatër të ri qytetarëve në pronë publike, qenka tradhëti kombëtare. Ky është diskutim pastaj politik që unë nuk i hyj në këtë sekond, kur të vijë seanca e sharjeve mbase do t’i hyj me qetësi, jo me sharje, po prap me argument.

Sa I takon pyetjes së dytë, kompania në fjalë ka pronë dhe marrëveshje dhe koncepti i zhvillimit të integruar të pronës që e ka përgjegjësi Bashkia e Tiranës ndodh kështu. Pra, po t’i kthehemi të gjitha kontratave që mund të kenë bërë privatët ndër vite, leja e parë i merret komshiut të pronës, ajo historia pastaj që bëhet e shëmtuar, jo varianti kallkan, jo varianti jo kallkan. Përkundrazi, këtu bashkia po me ndihmën edhe të këtij Parlamenti, edhe të kësaj qeverie, kërkon të bëjë zhvillim të integruar të pronës dhe po, është e bazuar në të gjitha klauzolat në nenet përkatëse të Kodit Civil, dhe nuk është këtu logjika a ka ndodhur ndonjëherë kjo. Ka ndodhur. Ka ndodhur rëndom, në kuptimin më të mirë të fjalës, ka ligje specifike për shkak të integrimit të çështjeve që ligjet specifike nuk i mbledhin dot në një vend, ky draftligj i ka mbledhur të gjitha çështjet bashkë në një procedurë dhe draftligji vendos vijën e kuqe, e pastaj kuptohet që Komisioni ka tagër, e do jua lexoj këtu se çfarë tagri ka komisioni.

Vija e kuqe është “buxheti nuk jep asnjë lek, prona e Teatrit mbetet e pa cënuar, pra prona publike, përfitohen tetë herë më shumë metra katrorë në favor të qytetarëve dhe në favor të artistëve”. Marrin një teatër të ri. Teatri do të jetë atje, më i mirë se sa është ky dhe fatmirësisht brenda Komisionit të Negociimit kemi artistë dhe janë disa institucione që marrin pjesë, me ministri Kulture, me ministri Energjie, me Avokat Shteti, me ministri Financash dhe Ekonomie, me artistë, dhe Komisioni, në bazë të këtij ligji, e ka të drejtën, e ka tagrin të thërrasë për konsulencë të huaj, privat, individ, entitet, pra të marrë konsulencë ligjore, teknike, financiare nëse duan, në vazhdimësi të negociatës së projektit.

Dhe po ta shikoni, tagri i komisionit është shumë i mirëdetajuar dhe i gjerë, dhe kushti është që kontrata do të quhet e suksesshme kur ato pika që janë vendosur si kushte kryesore në draftligj të jenë të plotësuara. Pra, do të ketë një proces negociimi, i cili do të jetë inxhinierik, do të jetë financiar, do të jetë në logjikë territoriale, do të jetë në logjikën e artistëve nëse e duam, e kjo është e garantuar.

Doni një llogari që gjithsesi, diku vlen, diku nuk vlen, por për qytetarët vlen? Shteti do të përfitojë 9 mijë metra katrorë, po e zbres diskutimin nga arti tek logjika financiare, dhe në qendër aty, po e marr sikur të jetë 3 mijë euro m² me logjikën e kontratave private, është 27 milionë euro. A e dini që në pesë vite kemi mundur të investojmë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës në art vetëm 23 milionë dollarë? Debatin nëse janë pak apo shumë le ta bëjmë një ditë tjetër, por këto janë mundësitë e shtetit, të mos e gënjejmë veten. 23 milionë dollarë në 5 vite. Me një objekt, janë 27 milionë euro që do të futen në asetet e shtetit, do t’i takojnë shtetit, do t’i marrë shteti dhe do t’i futë në bilancin e vet, me 9 mijë m², me 3 mijë euro, 27 milionë euro, nëse doni një llogari fare të thjeshtë, e cila i referohet edhe sipërmarrjes private. Nuk ka kundërshti fare, nuk shkelet e drejta e pushtetit vendor.

Këtu ka një pyetje tjetër, a ka ekspertizë firma në fjalë. Po mirë mo, ligjin e keni diskutuar? Patjetër që ka dhe mund t’i kërkoni dhe në detaje, e kishit mundësinë në komision, duke mos bërë atë zhurmën e panevojshme, t’i shikonit një e një nga të gjithë elementët.

Do ju lexoj të gjithë procedurën nëse doni. Procedura e negocimit për lidhjen e kontratës do të kryhet nga komisioni i negocimit i përcaktuar sipas këtij ligji. Procedura e negocimit do të përfundojë, ka afatin, komisioni i negociatës mund të asistohet për marrjen e ekspertizave të specializuara nga konsulent i përzgjedhur sipas një procedure të veçantë të përshpejtuar, nga ana e bashkisë së Tiranës, sepse bashkia e Tiranës është përgjegjëse për zhvillimin e territorit. Pra, është bashkia e Tiranës që do të bëjë zhvillimin e territorit dhe negociimi mund të jetë i suksesshëm sepse praktikisht kompania private mund të mos jetë e kënaqur me kushtet që i ka vendosur ligji, por mund dhe të jetë, dhe në finale kontrata e detajuar, sepse Komisioni do të bëjë dhe komplet skanimin e pronës, skanimin e logjikës financiare të kompanisë private dhe do e vijë e do ta sjellë në Parlament kontratën, e atë ditë gjithashtu, me të drejtë, në legjitimitet të plotë të transparencës publike, do të kemi mundësi ta diskutojmë sërish kontratën detaj më detaj.

Pse ka ardhur pa konkurrim? Këtu kemi një pronësi të caktuar që e ka firma në fjalë, qoftë pronësi, qoftë marrëdhënie. Tani logjika është që të bëhet konkurs mbi tokën e tij? Pra, do të fillojmë të bëjmë konkurs mbi tokën e dikujt tjetër? Absolutisht jo. Ne mbrojmë interesin publik duke shumëfishuar vlerën e pronës, dhe në anën tjetër të logjikës është zhvillimi i territorit, sa i bukur, sa efektiv, sa funksional, që ka një institucion i bërë përgjegjës nga ligje, dhe nga ligji i veçantë, që është bashkia e Tiranës.

Po cili është debati këtu, se fillojmë e bëjmë sikur fshihemi pas gishtit. U shkatërrua teatri. Çfarë teatri u shkatërrua? Teatri është 1,126 m² ndërtim brenda së njëjtës pronë që do të trashëgojë teatri, ndërsa do të marrë mbrapsht pa asnjë lek 9 mijë metra katrorë funksionale. Në qoftë se kjo nuk ju bezdis, atëherë votojeni. Në qoftë se zhvillimi ekonomik ju bezdis, mos e votoni.

Pyetja tjetër sërish është për metrat katrorë. Unë detyrohem që t’i përsëris prapë metrat katrorë se e keni bërë dy herë të njëjtën pyetje z. Nasip, me të drejtën tuaj. Keni bërë pyetjen sa metra katrorë është teatri, sa ndërtim ka brenda, sa do të përfitohet nga ndërtimi. Unë po jua kthej prapë përgjigjen meqë e keni bërë dy herë pyetjen. Për qytetarët, se unë jam i bindur se ti e di, se ti

shkon shpesh në teatër. Prona e teatrit është 5,522 metra, pra e gjithë toka. Brenda është 1,126 m2 ndërtim. Sërish, neni katër, të lutem lexoje meqë e kë bërë pyetjen dy herë në të drejtën tënde, thotë: “Sipërfaqja që përbën pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo dhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar”. Pra, ajo sipërfaqe toke që është sot, ajo do të jetë sërish për teatrin, nuk do të cënohet. Ndërsa, për metrat katrorë, janë 1,126 jo funksional dhe do të marrim 9 mijë m² teatër me zero lekë nga buxheti i shtetit.

Këto ishin një përmbledhje e pyetjeve tuaja. Më duhet që t’ju falënderoj sërish se na dhatë mundësinë që t’I përgjigjemi, t’i sqarojmë qytetarët që do të përfitojnë një teatër modern dhe nëse doni mund t’ju lexoj dhe emrat e artistëve dhe aktorëve që kanë rënë dakord. Kur bëhet një vepër e kësaj natyre publike është normale që të ketë debat, një pjesë e shikon kështu, një pjesë e shikon ashtu, ama shifrat janë kokëforte. E njëjta pronë që është sot, e njëjta pronë do të mbetet. Metrat katrorë të ndërtimit janë 1,126 sot, do të jenë 9 mijë nesër. E treta, që është baza kryesore, buxheti i shtetit harxhon zero lekë. Thënë kjo Nasip, ti do të vazhdosh të shkosh në teatër dhe më shpesh se sa ke shkuar dhe unë të falënderoj shumë për pyetjet sepse janë realisht dritë-hedhëse. Faleminderit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Efi: 06/07/2018 22:30

    Ky merr vesh per cdo gje mer jahu sidomos me drejtoret qe ka emeruar ne faf, atk e cdo zyre. Po ik o anglez veni se lam more toc. Turp per Ramen ti sje as per mesues ne fshatrat e gjirokastres nga sorollopi yt. Yttttyy ta ben Mire Erjon Brace u meke sot matuf!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase