Teatri Kombëtar Abuzimet me
800 milionë lekë për 2013-n

Teatri Kombëtar Abuzimet me<br />800 milionë lekë për 2013-n
TIRANE- “Ndryshimi në radhë të parë duhet të jetë në koncept, ai institucion duhet të reformohet”. Kështu tha dje ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, për Teatrin Kombëtar në praninë e mediave dhe specialistëve të teatrit, të cilët i kishte thirrur për t’u konsultuar për krijimin e  një modeli të ri të menaxhimit të teatrove kombëtare dhe teatrove të tjera të vendit.

Drejtues të teatrove dhe artistë të njohur të  mbledhur dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës kanë prezantuar të gjitha problemet që kanë sjellë degradimin e Teatrit Kombëtar. Duke tërhequr vëmendjen se problemet po vijonë të thellohen, ministrja Kumbaro tha se “duhet ndryshim në koncept dhe të hapin debatin dhe për gjërat që na dhëmbim”.

Një nga pikat më të “dhimbshme” është ajo që të talentuarit janë lënë jashtë dyerve të teatrit dhe artistët të tjerë paguhen pa dhënë asnjë kontribut. Ndërsa ky problem është trajtuar shpesh edhe nga gazeta Shqiptarja.com, dje Ministrja e Kulturës e ka konfirmuar se janë paguar rregullisht me rroga 32 artistë të Teatrit Kombëtar dhe gjatë vitit 2013 janë ngjitur vetëm dy premiera në skenë. Ky u quajt një rast flagrant, sepse është edhe një çështje nga më të vështirat që lidhet me menaxhimin e fondeve dhe pagesat e aktorëve në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

“Për vitin 2013 Teatri Komëbtar ka marrë nga buxheti i shtetit 79 milionë e 800 mijë lekë (të reja), nga të cilat 78 për qind janë vetëm pagat dhe sigurimet shoqërore dhe 14 për qind e këtij buxheti shkon për projekte artistike, 8 për qind janë shërbime operative”, tha dje ministrja Kumbaro duke konfirmuar ndërkohë se “Teatri Kombëtar në vitin 2013 ka dhënë vetëm dy produksione, që do të thotë që rreth 800 milionë lekët të vjetra ndahen në dy produksione...” Ministrja e Kulturës përmendi edhe faktin që gjatë verës Teatri Kombëtar rri me dyer të mbyllura, ndërkohë që sipas konstatimit të saj e ka gjetur “buxhetin e ministrisë së kulturës edhe më varfër”.
 
Kumbaro: Po na zë frika nga borxhet e mbartuara
“Ka një varg  kontratash, projektesh artistike që të zë frika”, tha dje ministrja e Kulturës për borxhet e mbartura. Megjithëse ishin mbledhur posaçërisht për teatrin, ministrja e Kulturës e drejtoi vëmendjen tek shpenzimet pa produkt të Teatrit Kombëtar. “Ka aktorë të cilët për vite të tëra pa asnjë premierë dhe rrogën e kanë marrë sikur kanë qenë çdo ditë në punë”, tha Kumbaro. Në fokusin e debateve të ndezura për mënyrën sesi duhet të paguhen artistët, të kontraktohen apo të atashohen në TK, propozimet ishin të shumta.

Regjisori Kiço Londo, i tha ministres Kumbaro se “kemi katër ligje dhe të katër kanë dështuar, dhe sot kemi një gjendje teatri për të ardhur keq”. Londo dha disa mendime sesi duhet bërë reforma në Teatrin Kombëtar, ndërsa u shpreh se “rruga e teatrit është errësuar nga mediokriteti, nga mungesa  e vizionit dhe menaxhimit, të cilat kanë gjunjëzuar teatrin”. Të talentuarit nuk kanë hapësira dhe profesoinistët kanë humbur arsyen dhe ndërgjegjen artistike, konstatoi Londo, duke dhënë një shembull mbijetese të teatrit të Fierit, i cili qëndron ende në këmbë sepse kryetari i bashkisë ka qëlluar dashamirës i artit. “Është një teatër që ka në krye një kryetar bashkie, nuk ka drejtor”, tha Londo.

Blerjen e shfaqjeve në tetër, Londo e përshkroi në këtë mënyrë: “Në vitin 2004-2005 salla e Teatrit Kombëtar është pushtuar nga 113 shfaqje dhe sot ka dy salla. Të dyja teatrot kanë 230 milionë lekë më shumë se ç’kishin në 2004, dhe të dyja teatrot nuk bëjnë dot numrin 100 të shfaqjeve”. Londo ka kujtuar protestat e artistëve vite më parë për ligjin që do të ekulibronte këto probleme. “Përpara dy vjetësh kur menduam që në komisionin e artit dhe kulturës e fituam betejen e ligjit dhe do të shtyhej, shumë vetë kanë hyrë ne zyrën e ministrit më pas i kanë vënë vulën ligjit dhe ne kemi dy vjet kohë të humbur”. Ideja  e Londos për lëvrimin e fondeve ishte që “fondi që ka një teatër të konsiderohet 50 për qind e buxhetit, 20 për qind ta marrin nga ministrija e kulturës, 20 për qind nga bashkitë dhe komunat e rajonit dhe 10 për qind të sigurohet nga drejtori i institucionit”.

Pra 10 për qind të jenë sprovë e drejtorit. “Nuk mund të mendohet që drejtor të jetë pasha e të shkoj e të bëjë kontrata me aktorët”, tha Londo. Për sistemin e punës me kontrata në Teatro ishin të një mendimi Zamira Kita, Stefan çapaliku, Mihal Luarasi dhe aktorë të talentuar, të cilët të privuar për vite me radhë nga punësimi në TK dhe nga rolet, tashmë besojnë se pasuria e vetme që kanë, talenti, do t’i çlirojë nga makthi i punësimit, duke u bërë të preferuar nga regjisorët dhe të aftë të kontratohen. Shumë probleme u thanë dje për teatrin, por marrja e dhjetëra rrogave mujore në kurriz të taksapaguesve shqiptarë pa bërë asnjë punë nuk duhet të përfundojë me këtu...
 
Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futet nga stoli dhe shkakton penallti, Kumbulla me Sassuolon në Serie B! Mirlind Daku tjetër gol në Rusi

VIDEO/ Futet nga stoli dhe shkakton penallti, Kumbulla me Sassuolon në Serie B! Mirlind Daku tjetër gol në Rusi