Shkurti pritet që të vijë me të tjera surpriza, me vënien në skenë të premierës “Engjëlli i katit 11” me autor Stefan Çapalikun, e më pas me “Natën e mirë, nënë” një vepër e shkruar nga Marsha Norman, “Qielli i heshtur”, një vepër repertori e autores Loren Gunderson, duke vazhduar më pas me “Ditari i Ana Frankut”, shfaqje e cila do të ketë premierën gjatë muajit maj.
Ndërsa vjeshta rezervon një tjetër vepër të suksesshme e vënë në skenat më të mëdha të teatrove botërore. “Sherloch Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludwing, një vepër jashtëzakonisht e njohur dhe e dashur nga publiku pritet që të zgjojë interesin e publikut kryeqytetas. Pas suksesit të vitit që lamë pas, në nëntor do të çelet edicioni i dytë i “Metrofest”, festivalit të veprave shqipe e për ta kurorëzuar sezonin e shfaqjeve për të rritur në Teatrin Metropol, me vënien në skenë të shfaqjes “Njëmijë e një net” e autores Mary Zimmerman.
Po kaq konkurruese janë edhe veprat për fëmijë e të rinj, në Teatrin Metropol duke synuar edukimin e një brezi të ri që të jetë gjithmonë e më shumë pranë artit dhe të bukurës. Shfaqja “Romeo e Zhuljeta” e William Shekspir, një përshtatje për të rinj të grupmoshës 10-16 vjeç do të ngrejë siparin e shfaqjeve që do të jepen në Teatrin Metropol. Një eksperiencë e re është vënia në skenë e “Don Kishotit”, e realizuar me kukulla si dhe vepra “Atje ku hëna takon malin” e autores Grace Lin.
Shfaqjet për fëmijë, përveç platformës edukuese, janë shfaqje interaktive, ku publiku i vogël është pjesë e rëndësishme e skenës. “Miushet e Shkathëta” nga Janet Standford, “Tullumbaci i kuq” i Barry Kornhauser, si dhe dy shfaqje me fëmijë e aftësi të veçanta pritet që të tërheqin vëmendjen e dashamirësve të vegjël pas artit. Gjatë vitit 2017, Teatri Metropol ka tërhequr vazhdimisht të rinj krijues, regjisorë, aktorë, duke iu dhënë mundësinë të shprehin aftësitë dhe profesionalizmin e tyre për teatrin.
d.b/shqiptarja.com










