Teatrot mbarëshqiptare,në Tiranë
të shpëtojnë dramën shqipe

Teatrot mbarëshqiptare,në Tiranë<br />të shpëtojnë dramën shqipe
“Drama shqipe do të jetë themeli i repertorit të TK”. Ky ka qenë një nga vizionet e drejtorit të Teatrit Kombëtar Hervin Çuli në platformën e tij për drejtimin e Teatrit Kombëtar. Por a do të ketë vepra të denja për t’u ngjitur në skenë të dramaturgëve të sotëm shqiptarë. Çfarë duhet të bëjnë regjisorët që të promovohet drama shqipe. Dhe cili do të jetë laboratori që do të filtrojë dramat me vlerë. Duket se kjo nismë në rrugën e realizimit të saj ka shumë çështje për të zgjidhur.

Këto çështje me problematikat e mbartura në vite gjatë përpjekjeve të lëvrimit të dramës shqipe do të jenë në qendër të “Takimit Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë Shqipe" me dramaturgë nga Kosova, Shkupi e Tirana. Ky takim do të ketë diskutime mbi dramaturgjinë shqipe dhe problemet me të cilat ndeshen autorët e dramës shqipe. Në tryezën e diskutimeve do të ketë debate për dilemat dhe problemet që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë; a ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli thekson se takimi ka rëndësi për repertorin e TK-së. Ai thotë se theksi do të vihet “për rrugën që do ndjekim për evidentimin e veprave më të mira të dramaturgjisë shqipe”. Duke e konsideruar këtë takim një hap konkret, Çuli zgjidhjen e sheh të lidhur me një filtër kritik nga i cili duhet të kalojnë dramat e shkruara në gjuhën shqipe që do të ngjiten në TK. Ai thotë se: “Veprat më të mira të përzgjedhura do t’u shpërndahen autorëve të Teatrit Kombëtar në Natën e Leximit të Dramës Shqipe. Leximi do të jetë i hapur për mediat dhe kamerat dhe ne do të evidentojmë se kush me të vërtetë janë dramat shqipe që meritojnë të ngjiten në skenë”.  
 
 
Drama shqipe në udhëkryq
 

 Pas viteve ’90 zhvillimi i dramës shqipe ka ngelur në udhëkryq, pavarësisht përpjekjeve sporadike të individëve. Mënyra për të dalë nga udhëkryqi dhe çështjet e zhvillimit të dramës shqipe do të shtrohen sot dhe nesër në Teatrin Kombëtar (më 15-16 prill) në takimin që zhvillohet mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Takimi do të jetë me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Në qendër të takimit do të jetë diskutimi mbi dramaturgjinë shqipe dhe problemet me të cilat ndeshen autorët. Dilemat dhe problemet që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë; ka dramaturgji të mirë shqipe, apo dramat shqipe nuk vlerësohen ashtu si e meritojnë?

Takimi do të përqendrohet në disa tema të rëndësishme si: “Dramaturgjia shqipe dhe temat e rëndësishme të historisë dhe të aktualitetit”, “Teknika e shkrimit dhe dega e dramaturgjisë” (ku për fat të keq shkolla jonë nuk e ka degën e dramaturgjisë), “Teatri dhe drama shqipe”, “Projekt ide “Laboratori i Dramës Shqipe ”Dramaturgjia shqipe dhe shoqëria”. “Kritika dhe Drama Shqipe”. Për këtë takim, burime nga Ministria e Kulturës në Tiranë pohojnë ndër të tjera se në tryezën e debateve do të diskutohet edhe roli i shtetit dhe politikat inkurajuese për dramën shqipe: Çfarë mund të bëhet më shumë nga strukturat shtetërore për të nxitur krijimtarinë e dramaturgëve tanë? Gjithashtu do të diskutohet nëse do të funksionojë ose jo festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe

Në relacionin e Ministrisë së Kulturës thuhet se “paragjykimin e cilësisë së dramës shqipe e ka rritur së tepërmi dhe kritika e zbehtë teatrore. Analizat në formën e qokave, duke lartësuar miqtë dhe zbehur “armiqtë”, nuk e kanë ndihmuar promovimin e vlerave të spikatura të krijimit. Kur themi se autorët duhet të diskutojnë midis tyre për probleme të ndryshme të dramaturgjisë, këtyre debateve duhet t’i paraprijë kritika profesionale, me dëshirën e mirë për të zbuluar dhe nxitur çdo fillesë interesante apo çdo element të dobishëm. A ka ardhur koha që të nxisim mendimin e kritikëve, veçanërisht të të rinjve, në mënyrë që gjithçka t’i nënshtrohet proceseve normale që bashkëshoqërojnë krijimtarinë e dramës shqipe?” Ky takim dyditor mbahet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, i cili u nënshkrua më 13 shkurt 2014 mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

teatri kombetar

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan