Tedi Papavrami,u befasuam nga
dyndja e publikut në koncert

Tedi Papavrami,u befasuam nga <br />dyndja e publikut në koncert
Gjatë tre ditëve të "Different Trains Festival", ku interpretuan 8 instrumentistët e shkëlqyer, nuk kishe ku hidhje kokrrën e mollës. Salla të mbushura plot, të rinj të ulur në shkallët anësore të sallave, si në Tetarin e Operës dhe Akademinë e Arteve. Madje kishte edhe burra të kollarisur që ishin ulur nëpër shkallë e bordura anësore. Shumë të tjerë ngelën jashtë dyerve të koncertit. Tre ditë me radhë në Tiranë pati dyndje dhe pritje në radhë për të ndjekur muzikë dhome.

Gjë e rrallë, sipas violinistit të shquar Tedi Papavrami, por edhe sipas raporteve mediatike. Në të vërtetë me Tedi Papavramin nuk është hera e parë që ndodh kështu, por këtë herë kishin ardhur në Shqipëri edhe tre shqiptarë të tjerë të talentuar Vlorent Xhafaj, Dorian Xhoxhi e Klajdi Sahatxhiu. Për pak ditë duket sikur ka ndërruar mentaliteti dhe kultura muzikore në Tiranë. Ndryshe nga sa është paragjykuar del se publiku shqiptar është i etur për standarde. Këtë gjë e pohon edhe Tedi Papavrami, duke shprehur keqardhjen që institucionet që kanë në dorë nuk ndërtojnë salla koncertesh që t'i përgjigjen "etjes së publikut shqiptar", siç thotë ai. Sigurisht, rinia shqiptare dhe mbarë publiku i pranishëm në sallën e Akademisë së Arteve dhe Teatrit të Operës ku u zhvillua koncerti ishte kuriozë edhe për virtuozët e skenave të njohura ndërkombëtare si Andrea Rebaudengo-n, Joaquin Riquelme Garcia-s, François Frederic Guy-in dhe Adam Laloumi-n, por vetë violinisti i shquar Tedi Papavrami është i bindur se ka pasur edhe kuriozitet e krenari për virtuozët shqiptarë.

Ai e ka fjalën për veten e tij, sepse thotë se kudo e kanë ndjekur me koncerte shqiptarët, dhe për tre instrumentistët e tjerë Sahatçiun, Xhafajt dhe Dorian Xhoxhin. Siç duket edhe Tedi vet ndihet krenar për bashkëkombasit e tij. Ndërkohë në intervistën e dhënë për "Shqiptarja.com" Tedi Papavrami tërheq vëmendjen për nëvojën emer- gjente të sallave të koncerteve. Ai nuk preferon të shprehet më tepër për vështirësitë që ka ndjerë në kushte e sallave të vogla dhe pa foni të mirë, por i pëlqen të besojë se Tirana ka gati publikun e muzikës klasike dhe duhet të ketë tashmë një sallë me 1500-2000 vende.

Përgëzime Tedi! Ju dhe 7 instrumentistët e tjerë keni luajtur muzikë klasike, "të një natyre intime", siç thoni ju. Si e shpjegoni dyndjen e publikut në koncertet tuaja. Pse pati kaq popullaritet?
-Popullariteti ndoshta ka lidhje me njohjen që kanë shqiptarët për muzikantët e atdheut të tyre, si unë, si Klajdi Sahatçiu, të cilin e përgëzoj për mënyrën si luajti, e të tjerë. Nga këta një pjesë kanë kuriozitet dhe mbase edhe një ndjenjë krenarie dhe kjo e shton këtë publik. Sigurisht, ata që e duan muzikën klasike vijnë, por ka edhe të tjerë që e ndjejnë krenarinë duke dëgjuar për të talentuarit nga Shqipëria që shquhen në nivele ndërkombëtare. Realisht, duke menduar se kishim një repertor me muzikë dhome, që krijon më shumë intimitet, nuk e prisnim që të kishte efekte spektakolare. Pamë shumë të rinj të interesuar dhe kjo na dha kënaqësi dhe shtysë për të interpretuar ngrohtë, duke u ndjerë vetvetiu sa më pranë publikut. Me muzikë dhome publiku shqiptar është pak i mësuar, sepse muzika e dhomës mungon kryesisht në Shqipëri. "Different Trains Festival", duke marrë parasysh edhe një organizim më të mirë për sa i përket vendit ku jepet koncerti, do të bëjë të mundur një zhvillim dhe pasurim në kulturën muzikore shqiptare.

A tregon kjo se shqiptarët janë të etur për standarde, sepse nuk janë aq të shumtë frekuentuesit e koncerteve muzikore që bëhen zakonisht në Shqipëri?
-Unë nuk di të them sesi bëhen koncertet këtu, sepse nuk jetoj këtu dhe nuk e di nivelin e muzikantëve që jetojnë këtu. Por mund t'ju them diçka në lidhje me publikun. Si u ndjeva unë para publikut shqiptar. Publiku ishte shumë i ngrohtë dhe mua më erdhi keq, sigurisht, që mungon një sallë më e madhe, që kjo sallë të mundet t'i presë të gjithë të dëshiruarit për të ndjekur koncertin, dhe të ketë një sallë sigurisht me kondita më të mira. Kjo anë mungon të paktën për koncerte të kësaj natyre që bëmë, por publiku ishte i shkëlqyeshëm. Ishte një publik shumë i etur për të dëgjuar, shumë kurioz. Kishte edhe shumë të rinj, gjithashtu. Gjë që ishte shumë e bukur.

Po pse ndodhi lëvizja nga Teatri i Operës në Akademi që kishte një sallë të vogël, ndërsa edhe në vetë Tetarin e Operës kishte dyndje?
-Nuk jam unë që i ka organizuar këto koncerte, por mendoj se shkuam te Akademia, ngaqë ka një akustikë më të mirë. Pora salla e saj është shumë e vogël. Për mendimin tim edhe Teatri i Operës ka një sallë të vogël. Më duhet të them se duhet të jetë dikush që të interesohet për të pasur salla më të mëdha koncertesh, duke i llogaritur sallat me publikun e interesuar, me kërkesat që ka publiku shqiptar për muzikën, kërkesat që kanë sidomos të rinjtë. Publiku i Tiranës mund të mbushi një sallë me 1500 ose 2000 vende mjaft lehtë. Por kjo sallë nuk mendoj se duhet vetëm për koncerte të tilla. Në vijimësi sallat mendoj se do të ishin plot, nëse u bëhej një reklamë më e mirë koncerteve, ose duke përdorur politika të tilla me bileta të ulura, që përshtatet me mundësitë e vendit, etj. Duhet vënë re që publiku shqiptar është i etur për koncerte dhe nuk i lë sallat bosh nëse ato kanë cilësi. Për mua si violinist ka rëndësi salla për të qenë më komod në interpretim.

Një pjesë nga ata që erdhën në festival janë muzikantë të famshëm ndërkombëtar. Ju keni dhe miq të ngushtë mes tyre, Si janë ndier ata në Shqipëri. Janë shprehur me ju?
-Po. Miku im më i ngushtë, pianisti Francois- Frederic Guy, që në fakt është francez dhe më ka njohur si francez në Francë ishte shumë i kënaqur me mënyrën sesi na priti publiku në Tiranë. Unë i kam treguar për Shqipërinë dhe ai është ndjerë sikur ka ardhur në shtëpinë time. Ishte shumë i lumtur, sepse ndjeu ngrohtësinë e publikut, mikpritjen e shqiptarëve dhe pati kuriozitet. Sidomos ai u ndje mirë se këtu pa një anë tjetër të komunikimit me publikun, ndryshe nga ajo që sheh në Francë.

Po a do të ishte më mirë që edhe publiku në këtë të kishte pak komoditet për ta ndjekur koncertin?
-Nuk është faji i organizatorëve, siç është Vlorent Xhafa, i cili vetëm duhet përgëzuar që e mori përsipër organizmin e këtij festivali. Atë vetëm mund ta falënderojmë dhe ta urojmë se ai është muzikantë dhe mendoj se kjo puna e sallave të koncerteve u përket organizmave shtetërore që janë për këtë punë. Pengesa ka pasur gjithandej me sa kuptohet, por është mirë të pyesin atë vetë organizatorin sesi ia doli. Por, dua të them se është vështirë këtu që t'i çosh projektet në fund, sepse pengesa dalin kudo, dhe kjo rezulton në probleme të organizimit.

Çfarë të reje jeni duke bërë në këtë periudhë krijimtarie?
-Unë po punoj për një album muzikor, i cili do të jetë me vepra me muzikë për violinë solo. Në këtë album do të jenë veprat e kompozitorëve të njohur botërorë. Përmend këtu Bahun, Paganinin, Mozart, etj. Shpresoj që albumi im në prill të vitit që vjen do të jetë në treg.

Çfarë aktivitetesh ju presin pas ikjes nga Shqipëria?
-Si gjithmonë do të vijojë me koncerte. të shtunën do të kem një koncert në Kanë. Më pas do të shkoj të jap koncert në Luksemburg. Pastaj kam edhe një koncert tjetër në Danimarkë. Kjo është jeta ime e zakonshme

Meqë po përgatisni edhe albumin tuaj muzikor, ka ndonjë ndryshim në stil, në mënyrën si po performoni vitet e fundit?
-Ka gjithmonë ndryshime, por këto janë gjëra shumë të holla që u përkasin specialistëve dhe janë të vështira për t'u kuptuar. Gjithmonë unë jam në kërkim të ndryshimeve. Kjo i jep edhe kuptimit përkushtimit tim të përhershëm ndaj muzikës.

Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 dhjetor 2012

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij

Vlorë/ Dhunuan fizikisht një person dhe i dëmtuan makinën, në pranga 28-vjeçari, në kërkim xhaxhai i tij