Tef Palushi, profili i një artisti
të madh me humor shpotitës

Tef Palushi, profili i një artisti<br />të madh me humor shpotitës
...Një ndër madhështitë apo vlerat e shumta që ka qytetit i Shkodres, asht humori popullor. Kurdoherë e në çdo situatë, qytetari i Shkodrës asht mundue me përballue problemet e ditës me humor apo me ndonji “lojë pa zarar” të sajueme aty për aty.

Edhe ndër shtërngesat e mëdha të jetës nën diktaturë, në fatkeqësi familjare e natyrore (tërmete  përmbytje), në katastrofa financiare apo ekonomike si ajo e skemave piramidale ose mbyllja e ndërmarrjeve e privatizimi i tyne, në kohën e eksodit apo mashtrimit me viza,  në kohën e rrëmujave të dhunshme të 97-ës, mbas ndonjë fushate të egër elektorale apo mitingu, mbas ndërprejeve të gjata të dritave, në terr e pa ujë,....qyteti ka marrë frymë nëpërmes humorit të dalë nga shpirti i paepun i qytetarëve të tij.....

Shkodranët, të “thamë prej murrlanit” apo të “lagshtitun prej shiut e shirokut”, “të mërdhitun” në dimër e të “zhegitun” në verë, me bicikletë apo në mercedes, me xhepa bosh apo në lokal me një kafe, kanë pasuni optimizmin e mendimin pozitiv, tuj gjetë mundësinë me zbutë sadopak problemet e mëdha, apo stresin “se duhet me u pagu fatura e shtrejtë aforfe e dritave” edhe pse në terr.

E kësaj atmosfere ngacmuese, i shtohen edhe “të bamet” e figurave të njoftuna në qytet si  “nana e qejfit”, persona të lindun për humor, me mosha e profesione të ndryshme, që  me dhuntinë e tyne “ja zbukurojnë jetën Shkodres”, tue shpotitë problemet e ditës, me shumë inteligjencë e kujdes, si “me lojë”, për ti ikë rrezikut të keqkuptimit nga Shteti - Parti e nga njerzit e politizuem. Në kohë të ndryshme, dolën përsonazhe e emna të ndryshëm, të humorit të rrugës, të kafes, të festave familjare apo kolektive. Brezi im, pat fatin me  “u rrit” me humorin e batutat e Pjeter Gjinit, Bik Pepës, Gjosho Vasisë, Tano Banushit, Paulin Prekës, Gëzim Krujës, Paulin Selimit, Mergim Muhjes apo Nexho Shabanit...

Sot shkrimin tim, dëshiroj të ja kushtoj, një prej personazheve më gazmor e më me humor të Shkodrës, karikaturistit të talentuem, Mjeshtrit të Madh, Shtjefen Palushi. Tefa, siç  thirret ai në qytetin tonë, ishte nji person inteligjent, shumë aktiv në  artin shqiptar me krijimet e tija në karikaturë, ku zotnonte (ashtu si në humor) një stil të veçantë. I dijtun e i edukuem, por që nuk “ta falte sekondin” në shkëmbim batutash, shumë social e miqsor, personalizohej në nji trup të vogël e të dobtë, me zhvillim të kufizuem fizik, gja që nuk e pengoj aspak në të përditshmen e tij.

Gjenialiteti i tij dallohej jo vetëm në krijimet e tija, që zanë vend në majat e Olimpit të karikaturës shqiptare, por edhe në kontaktet e përditshme e shoqnore në qytet apo ambientet e ndërmarrjes ku punonte. Më poshtë, dëshiroj të përshkruej disa përjetime të mijat personale me Tefen (por dhe te tjera), që shpresoj se do të kënaqin fansat e tij apo lexuesit e shumtë të gazetës.

..nuk më kujtohet vjeti..... por di që  ishte nji përvjetor i teatrit dhe ishte organizue një mbramje jubilare në shpinë e kulturës të qytetit (Shkodër) ku ishin të ftuem artistë të shumtë...e ndër to dhe Tefa. Për t´ju shmangë “rrumujës” dhe vrullit marramendës të atyne që vallzonin, Tefa kishte xanë nji karrige në nji qoshe të sallonit, pranë dritareve që shihnin nga oborri e rruga e madhe. Atmosfera ishte ndezë, e ndërsa, pothujse të gjithë vallzonin,... Tefa po kuriozohej tuj pa "qeflitë" tuj u hjedhë e përdredhë për hatër të parisë, drejtorisë e partisë.

Ndër kto raste, edhe pse “nën synin vigjilent” të instruktorve të komitetit të partisë së rrethit, gjindej ndonji shkak apo ndonji personazh për tu ba “viktimë” e lojnave ngacmuese, por pa të keq, të ndonji prej atyne që “nuk të lanë me dekë rehat”. E atë ditë dikush u kujtue me qitë ne lojë Tefen.

Një grup ngacmuesish, i kërkuen me lutje nji aktoreje të re që sapo kishte ardhë me punë në teatër, që ta "ftonte Tefen me kcye" .....Të gjithë sa ishin për rreth, të kënaqun nga idea, e shihnin vajzën me sy lutës që sikur e shtynin drejt Tefës.... Sigurisht që edhe kuadrot e partisë ishin dakort se pa miratimin e tyne loja do të kthehej në nji punë me "zarar" e ndoshta mund të ndëshkohej... Në fillim vajza nuk ndigjoj se ju duk e pabukur me u tall me nji “sakat”, por ma vonë, mbas kambëguljes së tjerve, edhe asaj filloj me ju dukë “interesant” propozimi.... Shumë kush në sallë e mori vesht “kurthin” që do ti bajshin Tefës dhe po prisnin të knaqeshin me reagimin....

Vallzimi i radhës....filloj muzika, ...pista ishte bosh sipas parashikimit ...të gjithë pritshin “ndodhinë”, kurioz për me pa Tefën se si do të reagonte...: ...Vajza e re me hap të lehtë, përshkon pisten bosh tue u drejtue nga “viktima”.....A MUND TE KCEJME BASHKE.....

Tefa, qe me inteligjencen e tij e kishte nuhatë “kurthin” e shokve, tue veshtrue me tallje ftyrat e qeshuna të atyne që e kishin organizue ktë lojë i pergjigjet.....ME KCY????? ....PO PREJ KU ME KCY MOJ MOLLE.........?????, e tuj i ba me mundim me gisht nga dritarja e madhe e sallonit shton me buzë në gaz.....PREJ KATIT TE DYT-AAAA???????

...ishte koha e festivalit të estradave të ndërmarrjeve në Shkodër dhe grupi i uzinës së telave ishte ndër ma të mirët. Axha Gjosho (Vasia), që ishte një ndër asat e humorit shqiptar, e pregadiste këtë trupë me shumë pasion. U bamë nji grup dhe vendosëm me shku me pa provën gjenerale që bahej në sallën e kulturës të uzinës, në prani të drejtoreshës.... Me grupin ishte edhe Tefa....U nisëm prej stacionit te turizmi me autobuz "fizarmonikë" të linjës së qytetit.

Disa u ulen ndej e do mbetem në kambë. Tefa zuni vend pranë dritares dhe meqenëse ishte nxehtë, kërkoj të hapte xhamin e dritares që kishte afër....Dora e gjymtume nuk po e lejonte, por ai prap po mundohej me kokëfortësi....Fatorinoja, nji grue e njoftun në Shkodër, sheh Tefen qi po hiqte zi, e qi donte me hapë se s´ban dhe i drejtohet

G...a: a të xen makina Tef-a...????? 
Tefa: ....poooo moooj G...., ba me i dalë përpara .....  
***
  ...nji ditë përpara se me shkue ushtarë Pavlini (i vëllau i Tefës), në darkë u mblodhën një grup i ngushtë shokësh e i shkuene për kafe. Familja Palushi atë kohë banonte në pallatin pranë shpisë së kulturës së Shkodrës, i cili ishte ndertue dikur për të kenë zyrat e degës së mbrendëshme dhe nuk kishte asnjifarë sistemit për nji familje. Dhomat e projektueme për zyra ishin të vogla dhe mjaftonin dy divana (me llastiqe) e nji tavolinë me mbush ambientin e mos me pasë se ku me u sjellë.

Shokët e Pavlinit mbushën dhomën e nuk kishte ku me hjedhë ma asnji "biskotë". Të gjithë ulë në 2 divanat, për rreth tavolinës me nga nji gotë raki përpara....dera ishte e hapun mbasi nuk mund të mbyllej prej ngushticet e shokve të shumtë që kishin ardhë......Aty nga ora 8 e pak(të darkës),  po vjen Tefa.......mbramja e mirë....
Të gjithë ngrihen në kambë me respektue artistin e madh....

Tefa, i jep dorën atij qi pat ma afër tue i ba pyetjet e zakonshme kur dy vetë që njihen takohen: .... si je? si janë ka shpija? a je lodhë?....flitte me te dhe i tundte dorën.... e tuj përfundue me të i drejtohet të tjerve: ....ju të tjerët jepnia dorën ktij...

.....Me thanë të drejtën, cilido shkodranë rrinte me kënaqësi të madhe me Tef Palushin, mbasi ishte një argëtim i vecantë, humor extra, pa kufi, pa të keq, unik... Edhe unë kur e shifsha i shkojsha, nganjiherë edhe me qëllim, për me e “ngacmu pak” sa me e qitë në gojë e me i hapë rrugë fantazisë së batutave të tij. Nji ditë hyna te klubi i veteranve ku zakonisht u gjejshin artistat, mbasi e kisha lanë me u taku me një autor ....... Në nji ndejse të butë (si tip kolltukut) në anën e majtë të lokalit ishte Tefa me nji gotë përpara, kishte marrë gazeten dhe po i hidhte nji sy. I afrohem e mbasi e përshendes e pyes se mos e ka pa autorin (që unë kerkojshe)? 

Nuk e kam pa më thotë, po ulu e prite. U ula i knaqun që “ra në kurthin” tem. Më tregoj qi gazeta Jeta e Re kishte botue do karikatura e fjalë të tjera.....Ndërkohë në klub po hyn nji burrë i madh dhe i pashëm që për nga madhësia ishte sa nji mal. Në Shkodër ai ishte figurë e njohur e partisë dhe punonte në zyrat që ishin në katin e dytë apo të tretë të godinës. Babaxhani të habiste me numrin e madh të kambës sa me i terhjek vemendjen e kujtdo...

 -Tefë, i tham, sa asht,....sa nji plep....
Tefa i hjedh një sy burrit që qëndronte në mes të lokalit duke i dhanë “direktiva” me zë të lartë një mvartësi dhe më përgjigjet:
.... E ka pasë plehin e mirë e ka lshu shtat...
***
...në familjen Palushi nuk ishte vetëm Tefa që kishte humor, por edhe i vellai Tonini apo motra Angjelina, nga të cilët kam ndigju disa herë batuta "me mbajtë barkun me dorë" prej gazit. Një herë u takova me Toninin i cili ishte mjeshtër i njohur në artistiken e Shkodrës. Ndërsa po bisedonim ai më zgjati kutinë e duhanit që ishte një punim me rrahje në bakër të cilën ai vetë e kishte realizue. Ndërsa po kundrojshe kutinë-art që me kishte zgjatur e pyes: ....mos asht duhan i fortë??
Tonini: ....s’di çka me të thanë....nuk e kam futë ala me u rrahë me kend....


..nji herë po kalojshe para shpisë së oficerave në Shkodër, kur rastësisht takoj Tefen me dy miqtë e tij, Paulinin e Gligorin, qi po delshin prej klubit aty. Tuj kenë qi kishim estraden e ndermarrjes dhe më interesonte një dekor, mendova me gjujtë rastin me e bisedue me Tefen.....

Ndërsa po i tregoja Tefës për tematikat e shfaqjes, në trotuarin perballë (nga Kinema Republika) rastësisht po kalonte S.B,  nje nenpunës i naltë i partisë i cili kishte pak kohë që për “merita” ishte transferue në Tiranë. Tefa, i cili i kishte ba komitetit një kërkesë për një ambient, studio punet (që ti jepej një dhomë ma shumë në pallatin ku jetonte, pasi ishte me aftësi të kufizueme) e përshendet S-ne. Me qëllim që të merrte vesh prej tij ndonji lajm të mirë në lidhje me kërkesën qi i kishte ba atij.....

S....: Tefë, edhe pse kam ikë, e kam lanë porosi që të interesohen për ty e ta ndjekin problemin tand deri në fund, e do të rregullohet ......
Tefa
: faleminders shoku S......, kalosh mirë, ....E meqë kishte kenë në një klasë me të shoqen e S-së i thotë:.....selam bashkëshortes. (tuj shqiptue me zor emnin e grues së S-së)
Me të ndigjue “salamin” ...gati e lëshova tuj u shtërngue me mbajtë të qeshunen, mbasi ...ishte një "batutë antiparti".....

Nje natë, Tefa, ishte për darkë në familjen e L.GJ-it., nji muzikant me të cilin kishte ruejtë miqsinë qysh prej shkolle. Biseda ra për mikpritjen shkodrane, e Tefa, për me mbajtë biseden gjallë, i thotë grues së L-së, e cila ishte prej Gjinokastre.....e paske shtru taman shkodranshe, meze raki, pilaf me mish e mbrapa ambelcinë...!!!!
Na në Gjinokastër, - krenohet e zoja e shpisë,.. kur na vijnë miq, e shtrojmë ma bukur se ju,.....gjellë të parë, të dytë, të tretë, ambelcina e fruta.....
Tefa - ...... po moj po..., por ju  nuk të thirrni kurr....
 
...ishe koha e talonit t ushqimit, kur cdo familje merrte nji kg mish n muej. Nga eksporti vinte nji lloj mishi frigoriferi, qi dukej se ishte kofsh nga nj kafsh e madhe e shkodrant me humor thojshin se ....asht mish kanguri nga Australia...Mishi para se t shprndahej, ashtu sic ishte i ngrim coptohej me sopat....E n Shkodr nuk pushonte humori i tavolinave n kafe eklube. ...N nj grup shoqnor ku ishte edhe Tefa, po tallshin me temn e dits, ...MISHI I KANGURIT...., e secili lshonte nn za nji batut. Njeni prej shokve q rrinte n periferi t qytetit, tregohet ma “objektiv” ... kur ske pulë han sorrë, e na në familje e hajmë se nuk kena tjer. M´kan thanë qi asht mish kanguri, por unë e ha e knaqem me te.
Tefa: .. Po ti kenke me fat mor djalë, se prej atje kur rrin, ti si kanguri, me tre kërcime delke në piacë.

Gjatë viteve të socializmit, mundësia e udhëtimit nga Shkodra për në Tiranë me tren, ishte e vetmja. Në trenin kinez, ku rraseshim si kinezët, uleshim ndër sedilet që ishin perballë njëra tjetrës  dhe për 4 orë (deri në Tiranë), kishte pak variante për të “vra” kohën. Mvarej sipas fantazisë. Mujshe me gjetë fillin e nji bisede me personin perballë apo në krah, të flije me kokën të mbështetun në xham apo të lëshume mbrapa, por kishte edhe nga ato  që fiksojshin  me sy lakmues ndonji “bukuroshe” a ndoj “tip” përballë apo në krahin tjetër.

Një nga ditët, i ulur në formacionin 6 vendesh në tren ndodhej Tef Palushi, i cili udhëtonte për një aktivitet në Tiranë. Pranë tij, të ulur, burrë e grue fshatare nga Lezha. Grueja e ngarkueme me ushqime, filloj ti tregojë se shkonte te i biri që e kishte ushtarë diku afër Tiranës. Tefa, që nuk ja kishte qejfin bisedës, po i hidhte nji sy gazetës tuj e sjellë nëpër duer me vështirësi. Grueja, e cila vërejti problemet fizike të Tefës filloj ta fiksojë e të  kuriozohej për Tefen.

Grueja: Po ti moj nanë, a je i martuem? Tefa i pergjigjet tue lujtë me mundim kokën në shenjë mohimit.
Grueja: Na kena tre djelm, dy janë të martuem e me fmi, jena familje e madhe. Po ti sa rob ke në shpi? Tefa fillon me u qeshë, me nji gaz qi dukej ma shumë si kollitje, tuj përsëritë fjalët e fshatares.....

Tefa: ...Hahaha, sa rob ke n´shpi?...Hahaha..... Po pse moj shoqe, a po të dukem si skllavopronar...aaa?
 
....ndonjiherë qëllonte që ndoj Tip, qi e mbante vedin për të mendshem ose qi nuk e njihte mirë Tefen, mundohej me i drejtue atij ndonji batute tallëse,  që Tefa e merrte me shumë sportivitet. Nji ditë do djelm qi po rrijshin si “të bukur” para vitrinës te farmacia e dugajve të reja, e ndalojnë Tefen “per me ndez cingaren” dhe njeni fillon me e “ngacmue”....

Djali: A e ke marrë vesht Tefë qi kanë dalë do hapa (ilace)....nji prej tyne me pi, bahesh 5 vjet ma i ri??
Tefa: ....  E sa vjec je ba ti?
Djali: Kam hi për 20.
Tefa: Pi nja katër prej tyne e hin edhe nji herë ka ke dalë, se nuk i duhesh gja kujt.
 
Vjenë, me 27.1.2015
tef palushi












































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin