Nga ana tjetër, disiplinimi mund të shihet si proces që i përket fëmijëve në kopsht, në shkollë apo adoleshentëve, por në të vërtetë praktikat disiplinore fillojnë në moshë më të hershme. Në këtë proces, pyetja me të cilat përballen shumë prindër është: Cilat teknika disiplinore shihen si më të përshtatshme dhe cilat shihen si teknikat të papërshtatshme për t’u përdorur me fëmijët e vegjël?
Kërkuesit e Rinj të Shoqatës Evropiane të Psikologjisë së Zhvillimit i përcaktojnë teknikat disiplinore si metoda që përdoren nga prindërit, për të nxitur sjelljet sociale ose për të dekujaruar sjelljet negative, jo sociale të fëmijëve gjatë mësimit të rregullave. Teknikat më të përshtatshme për fëmijët e vegjël janë teknika që nxisin dëshirën, vullnetin e fëmijës për t’u përshtatur me rregullat dhe kërkesat e prindërve, si edhe teknikat që rrisin bindjen e menjëhershme, duke ulur kundërshtimin e fëmijës.
Teknikat që kanë si qëllim të nxisin dëshirën e fëmijës për t’iu përshtatur rregullave i japin shumë rëndësi mënyrës se si prindërit shpjegojnë dhe arsyetojnë sjelljen e dëshiruar nga fëmija dhe, gjithashtu, japin arsyetime përse nuk duhet shfaqur një sjellje e padëshiruar nga fëmija. Ndërsa teknikat që kanë si qëllim bindjen e menjëhershme të fëmijës i japin shumë rëndësi mënyrës se si prindërit mundohen të nxisin sjelljet e dëshiruar menjëherë me anën e lavdërimit, shpërblimit, ose me anën e pasojave negative, si: heqja e një privilegji (diçka që fëmijës i pëlqen), injorimi (i sjelljes së padëshiruar) apo koha e veçimit (koha e shkurtër e qëndrimit vetëm mbasi është shfaqur një sjellje e padëshiruar) të fëmijës.
Prindërit që përdorin arsyetimin me fëmijët e tyre që të vegjël ka më shumë gjasa të kenë adoleshentë të cilët kanë pwrvetësuar më shumë normat morale. Nënat që përdorin më shumë arsyetimin, sugjerimet apo shfaqin kërkesat ndaj fëmijëve me mirësjellje kanë fëmijë më të vullnetshëm për t’i pranuar kërkesat, sidomos kur fëmijët janë të ndrojtur. Ndërsa kur fëmijët priren të jenë më kundërshtues ndaj kërkesave, vërehet se teknikat e lavdërimit, shpërblimit, heqjes së privilegjit, injorimit apo kohës së veçuar janë sidomos efikase.
Ndërsa teknikat e papërshtatshme lidhen me përdorimin e ndëshkimit negativ te fëmijët, si e bërtitura, shuplakat apo gjuajtja e në pjesë të caktuara të trupit të fëmijës. Këto teknika negative shihen si jo efikase në nxitjen e vullnetit të fëmijës për sjelljet e dëshirueshme, por nga ana tjetër këto teknika kanë potencial për të përçarë/prishur marrëdhënien prind-fëmijë.
Studjuesja Baumrind (1971) ka identifikuar dy dimensione të prindërimit: a) ndjeshmëria, që lidhet me mbështetjen emocionale të fëmijës, duke i shfaqur ngrohtësi, duke ju përgjigjur në mënyrë të favorshme nevojave dhe kërkesave të fëmijëve, duke krijuar një klimë emocionale që promovon marrëdhënien pozitive midis prindërve dhe fëmijëve; b) kërkesat, që lidhen me mësimin e kodeve të sjelljes së prindwrve, gadishmërinë e prindërve për të përballuar sjelljen kundërshtuese të fëmijës dhe vazhdimit me kërkesat e shfaqura, pavarësisht reagimeve të fëmijës për të mos u bindur.
Duke u bazuar në këto dy dimensione, Baumrind identifikoi tre mënyra të prindërimit: 1. autoritar; 2. autoritativ; 3. lejues. Si stili i prindërimit autoritar (kërkesa shumë të larta dhe ndjeshmëri e ulët), edhe stili i prindërimit lejues (ndjeshmëri e lartë por kërkesa të ulëta) lidhen me pasoja më të pafavorshme për fëmijën. Ndërsa, stili i prindërimit autoritativ (ndjeshmëri e lartë por dhe kërkesa të përshtatshme për moshën e fëmijës) shoqërohet me rezultate më optimale te fëmijët. Prindërit autoritativ përdorin më shumë teknika disiplinore që nxisin sjelljet e dëshiruara nga fëmijët. Këta prindër përdorin më pak dhe në formë më të zbutur teknika disiplinore negative.
Nga ana tjetër, prindërit autoritar priren të mbështeten më shumë te pasojat negative të sjelljes, si ndëshkimet e rënda, duke përdorur më shumë të bërtiturën apo shuplakat, por pa përdorur arsyetim për rëndësinë e kërkesave dhe urdhërave që fëmija duhet të ndjekë. Kurse prindërit lejues shmangin ndëshkimin negativ dhe përdorin arsyetimin me fëmijët e tyre, kur ata shfaqin sjellje negative, por kërkesat e veta ndaj fëmijëve janë të ulëta. Studjuesit argumentojnë se, mënyra e prindërimit përcakton tonin e përgjithshëm emocional te lidhja prind-fëmijë, por për të kuptuar më mirë sjelljet disiplinore të prindërve duhet të studjohen praktikat e tyre disiplinore.
Kërkuesit marrin në konsideratë modelin disiplinor të propozuar nga Stein dhe Perrin (1998) me këta tre elementë të rëndësishëm: a) mbështetja pozitive e marrëdhënies prind-fëmijë, që stimulon të nxënit; b) përdorimi i vazhdueshëm i teknikave disiplinore, që nxisin sjelljen dhe dëshiruar te fëmijët; c) përdorimi i teknikave specifike disiplinore, që ulin ose eliminojnë sjelljen e padëshirueshme te fëmijët, kur kjo sjellje shfaqet. Ky model i disiplinës i jep rëndësi marrëdhënies pozitive midis prindit dhe fëmijës, si një marrëdhënie e domosdoshme për të promovuar sjelljet sociale të fëmijëve, sepse rrit vetë-vlerësimin e fëmijës, sigurinë dhe dëshirën për të bashkëpunuar me prindërit.
Kërkimet tregojnë se, fëmijët janë më bashkëpunues edhe gjatë disiplinimit, kur të rriturit kanë marrëdhënie pozitive me ‘ta. Përdorimi i teknikave disiplinore kërkohet që të përdoren më shumë për parandalimin e sjelljeve problematike, dhe të fuqizohen sjellje specifike që prindërit vlerësojnë. Nga ana tjetër, fëmijëve duhet t’u mësohet që përfshirja në sjellje të padëshirueshme shoqërohet me pasoja. Ky model e vendos vëmendjen te rëndësia e parandalimit të sjelljeve negative të fëmijës, pasi kur theksi i përdorimit të teknikave disiplinore nuk është te parandalimi, por tek korrigimi i sjelljes, vërehet që rritet përfshirja e fëmijëve në sjellje problematike.
*) Autorja është përfaqësuese e Shqipërisë
në Unionin e Kërkuesve të Rinj të Shoqatës
Evropiane të Psikologjisë së Zhvillimit
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)