Reforma në arsimin parauniversitar, e me theks të veçantë, ajo e teksteve shkollore kap një gamë problemesh të përbashkëta, por dhe specifike për secilin vend, në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Shqipëria po bën një reformë të re në tekstet shkollore, duke ndryshuar që nga klasa e parë deri tek e mesmja; këtë vit janë në konkurrim klasa e katër dhe e nëntë, si dhe klasa e dymbëdhjetë. Risi në këtë reformë është numri i kufizuar i alternativave deri në tre libra për një lëndë, si dhe futja e lëndëve shkencore nga autorë të huaj dhe shtëpi botuese angleze. Pavarësisht nga vështirësitë që hasin mësuesit, për shkak të konceptimeve të reja të mësimdhënies, gjë që shprehet dhe te nxënësit, pozitive në këtë drejtim është se në këto tekste iu jepet më shumë rëndësi anës praktike, se asaj teorike, si dhe të mësuarit aktiv të nxënësit.

Mendoj se kjo është një ide shumë demokratike dhe didaktike, të marrësh dije pa u ndjerë i lodhur e i mërzitur, por duke u zbavitur. Kjo përveç aktiviteteve të ndryshme mund të realizohet edhe përmes platformës së E-Librit digjital, e cila tanimë ekziston dhe është në përdorim në disa shkolla në Shqipëri. Nga ana tjetër, problemi për shkak të mospërputhjes me programin, është zgjidhur pasi lejohet dhe përshtatja e tekstit në një masë që mos prishet koncepti i përkthimit.

Çdo e re ka vështirësitë e veta, por e rëndësishme është se uji i ndenjur edhe mësuesin e lë të vjetruar, si dhe nxënësin peng të këtij mentaliteti të vjetruar. Normal që e gjitha kjo kërkon mësues të trajnuar, që duhet të jetë dhe prioritet i politikave arsimore. Konkurrenca mes shtëpive botuese dhe autorëve shqiptarë dhe të huaj është rritur, kështu që kjo sjell veç të mira, cilësi më të lartë të teksteve për nxënësit.

Kosova në drejtim të teksteve shkollore vazhdon me tekstet me programe të vjetra, duke deklaruar pothuaj çdo vit se do të hapë konkurse të reja, por në fakt kjo nuk ndodh. Deri sot vazhdohet me tekstet që nuk kanë ndryshuar për njëzet vjet, pra, sado me vlerë të kenë patur, tashmë iu ka ikur koha. Një numër i madh tekstesh fotokopjohen, duke humbur kështu edhe cilësinë e shtypit.

Nga ana tjetër teksti i Abetares (në Kosovë dhe në Shqipëri) mbetet peng i një programi njëzetë vjet të vjetër (ndonëse doli si produkt i një konkursi mbarëkombëtar para 7 vjetësh), dhe sado cilësor të jetë, mbetet peng i politikave dhe i mendësive të vjetruara. Në botë fëmijët mësojnë që 3 vjeç shkronjat dhe tashmë ka ikur koha kur Abetarja të trajtohet si në kohën e Rilindjes, se askush nuk i ndalon shqiptarët të mësojnë gjuhën amtare. Madje në shumë kurrikula evropiane nuk emërtohet më (A,BC; Abetare por si teksti i  Gjuhës 1).

Në Maqedoni, reforma e teksteve shkollore është e pesta apo e gjashta brenda shumë pak viteve, e cila nuk ka sjellë asgjë të dobishme për nxënësit shqiptarë, për shkak se ata bashkë me mësuesit dhe prindërit e tyre, duke pasur statusin e qytetarit të rendit të dytë, janë detyruar të pranojnë çfarë u është servirur nga politika arsimore, dhe më keq akoma, u është dashur të mbyllin gojën dhe të falënderojnë eprorët apo shpëtimtarët politikë, që ua kanë mundësuar këtë, sepse mund të ishte edhe më keq. Maqedonasit kanë qenë të bindur se përfaqësuesit e politikës shqiptare janë të paditur dhe të padenjë për t’i pyetur për vendimmarrje. Kështu me vite është vendosur që librat do t’i bëjnë maqedonasit, si për vete njësoj edhe për shqiptarët “e paditur” dhe kjo po vazhdon edhe sot.

Elementi kombëtar (si dokumenti bazë në programet shkollore) duhet të vijë në përshtatje me kurrikulën lëndore (plan-programi i lëndës mësimore në përputhshmëri me nivelin e moshës së nxënësit).

Në Maqedoni ka shumë vështirësi, sepse realizimi i pjesës kombëtare të programit u takon maqedonasve, prandaj problemet më të mëdha janë sidomos tek librat e historisë; po kështu tekstet në gjuhën shqipe zhvishen nga pjesa kombëtare e programit dhe nxënësit nuk mësojnë si duhet kulturën dhe historinë e kombit, por atë të censuruarën nga shteti.

Normal që shtrohet pyetja: Pse përkthime nga gjuha maqedonase, kur fare mirë shqiptarët me dy - tre universitete në Tetovë e Shkup, me pedagogë, profesorë e doktorë shkencash nuk qenkan të aftë të shkruajnë librat për fëmijët e tyre?

Tani që gjuha shqipe po zyrtarizohet, mendoj se autorët shqiptarë duhet të lejohen të përpilojnë tekste për nxënësit shqiptarë në gjuhën shqipe pa pasur nevojë të përkthehen nga gjuha maqedonase. Nga ana tjetër, mësuesit shqiptarë duhet të lejohen të përdorin tekste nga Shqipëria ose Kosova, sigurisht në ato pjesë ku ato janë në përputhje me programin e miratuar nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë.

Presheva, Bujanovci kryesisht furnizohet me libra nga Shqipëria dhe Kosova, kurse Mali zi përdor disa përkthime nga serbishtja dhe disa tekste nga Kosova. Meqenëse e njoh mirë këtë fushë nga përvoja gati njëzetë vjeçare në fushën e botimeve shkollore (nëpërmjet shtëpisë botuese Albas) që është e pranishme me tekstet e sa në të gjitha trevat shqiptare, mund të them me bindje dhe kurajë se për shqiptarët do të ishte momenti më i përshtatshëm të krijonin tekste të përbashkëta në bazë të të njëjtave planprograme. Kjo do të mundësonte që të gjithë nxënësit të merrnin të njëjtat njohuri në lidhje me lëndët me karakter kombëtar, siç janë historia dhe gjuha e letërsia shqipe.  Po kështu çmimi i teksteve detyrimisht do të ishte afërsisht edhe më i lirë. Kjo do të ishte më se e realizueshme dhe kërkon vetëm koordinim të punëve nga një grup profesionistësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të ngritura nga ministritë përkatëse të arsimit (për ta shtirë mësimin e shqipes edhe më tej, Në Mal të Zi, si dhe në diasporë).

Prandaj, përfitoj nga rasti të apeloj te të gjithë ata që duan arsimin dhe më të mirën për edukimin e fëmijëve të tyre, dhe që kanë mundësi të kontribuojnë në këtë drejtim, tani është koha për ndryshime dhe një herë e përgjithmonë të vendosen rregullat në fushën e teksteve shkollore dhe të programeve, veçanërisht për lëndët me rëndësi kombëtare.

d.b/shqiptarja.com