Vala e ngrohjes ekstreme në prag të periudhës së shirave muson në Pakistan ka marrë jetën e të paktën 450 personave në 3 ditët e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Situata më e vështirë paraqitet në provincën jugore të Pakistanit Sindh dhe qendrën e saj administrative Karaçi ku dje nga pasojat e drejtpërdrejta të valëve të nxehtit kanë vdekur 200 persona, dhe në tri ditët e fundit, rreth 400 persona.
 
Karaçi është qendra administrative dhe tregtare e këtij rajoni të Pakistanit, ku vala e të nxehtit ka sjellë probleme të shumta, duke dëmtuar rrjetin e shpërndarjes elektrike dhe të ujit. Në qendrën më të madhe spitalore Junnah në tre ditët e kaluara janë trajtuar në spital 1500 pacientë me probleme shëndetësore të shkaktuara nga vala e të nxehtit.
 
Kreu i shërbimeve emergjente mjekësore në spitalin në fjalë, Seemi Jamali ka thënë se kapacitetet e këtij dhe spitaleve tjera tashmë janë stërngarkuar dhe se situata në terren është alarmante.
 
Universiteti i Karaçit dhe të gjitha institucionet tjera arsimore tashmë kanë pezulluar procesin mësimor deri në një urdhër të radhës.
 
Temperaturat ditore në qytetet qendrore dhe jugore të Pakistanit dje arritën 47 gradë Celsius, dhe më shumë se 50 persona kanë vdekur në vendet Badin, Dadu, Tharparkar dhe Sukkur.
 
Departamenti i Meteorologjisë të Pakistanit njoftoi se ulje të temperaturave në rajonet e prekura pritet në natën nga e mërkura në të enjten. Vala e ngrohjes ekstreme në prag të shirave muson muajin e kaluar goditi disa rajone të Indisë, ku nga pasojat e drejtpërdrejta të valëve të nxehtit vdiqën më shumë se 2000 persona.
 
 
Redaksia Online
(b.h/Shqiptarja.com )