KORÇË- Një 27-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi kishte përshtatur lokalin për shitjen e drogës. Gjatë kontrollit që është ushtruar në lokal, në lagjen nr.18 në Korçë, policia ka gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjete të tjera mbi banakun e lokalit, të cilat përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike.
Kështu është arrestuar pronari i lokalit, Nikolin Kapurani, si edhe është vënë në hetim në gjendje të lirë një klient, të cilit iu gjet një cigare me lëndë të dyshuar cannabis.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 18, në lokalin në përdorim të 27-vjeçarit, gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjete të tjera mbi banakun e lokalit, të cilat përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike. Gjithashtu, shtetasit tjetër N. K., iu gjet një cigare me lëndë të dyshuar cannabis”, njofton policia.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan sasitë e lëndëve narkotike, mjetet për përgatitjen e dozave dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.