Shifrat e rritjes ekonomikë shënojnë një frenim të ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej vetëm 2.21% kundrejt tremujorit të parë të vitit 2018. Në të njejtën periudhë të 2018-ës kjo shifër ishte në nivelin 4.45%.
Krahasuar me një vit më parë, sipas sektorëve, ndryshimi është si më poshtë. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,33%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 6,05%. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë Aktivitetet Energjia dhe Industria Prodhimit të produkteve metalike, të cilat ka shënuar një rënie përkatësisht me 43,8% dhe 6,85%. Aktiviteti i Ndërtimit pati rritje me 5,95%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 4,61%, i ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 6,7%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,63%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 8,9%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 9,68%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 5,27%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rritje 2,88%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 20,13%. Kurse Taksat Neto mbi produktet u rritën me 3,88%.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 0,56%.
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e parë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, shfaqen si më poshtë: Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,25%; konsumi final i qeverisë u rrit me 0,54%; komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 1,79 %. Kurse eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 0,48%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,45%.
Reagimi
Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shifrat e mësipërme gjithnjë tregojnë një skenar pozitiv të zhvillimit të ekonomisë së vendit. Por faktor negativ që ndikon tanimë është edhe kriza politike.
Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë treguar momentin pozitiv që po kalon ekonomia e vendit. Shumica e sektorëve treguan një rritje të kënaqshme, në linjë meparashikimet pozitive të rritjes ekonomike, thuhet në një njoftim zyrtar të Financave. “Kështu, industria përpunuese u rrit me 4.7%, ndërtimi me 5.9%, shërbimet me 4.1%, industria nxjerrëse me 17%. Disa sektorë si bujqësia dhe energjia reflektuan më shumë efektet sezonale të thatësirës së fillimvitit, duke zbutur kontributin e tremujorit të parë në rritjen vjetore.
Në tremujorin e parë 2019 sektori i energjisë elektrike u tkurr me rreth -63% krahasuar me T-I 2018, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen reale të PBB në këtë tremujor prej rreth 1.7 pikë përqindje. Pra, nëse kontributi nga ky sektor do të kish qenë neutral, atëherë rritja e PBB për T-I 2019 do kish rezultuar në nivel të njejtë me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Gjithsesi, ndryshimet pozitive të tremujorit të dytë në sektorin e energjisë, pritet që të normalizojnë kontributin vjetor në rritjen ekonomike që pritet të mbetet brenda parashikimeve, thekson ministria.
Duke shtuar se “edhe efektet negative në tregun e lojrave të fatit, të cilat patën ndikim në tremujorin e pare është një kosto që e kemi përllogaritur sepse të mirat sociale janë shumë më të mëdha dhe ne afatgjatë do të përkthehet edhe në përfitim ekonomik”.
Performanca e ekonomisë është reflektuar edhe në ecurinë pozitive të treguesve të tjerë si tregu i punës, ku norma e papunësisë vijoi trendin rënës duke zbritur në nivelin 12.1% ndërkohë që punësimi vijon të rritet me rreth 1.5% (ose rreth 17.8 mijë të punësuar më tepër) se tremujori i parë i 2018.
Gjithashtu indeksi i besimit të bizneseve dhe konsumatorëve u përmirësua gjatë tremujorit të parë. Eksportet pa energjinë u rriten 7.4% në tremujorin e parë ndërkohë që Investimet e huaja direkte arritën vlerën e 286 milionë eurove, me 1.6% mbi një vit rekord si 2018, cka është tregues se dhe për vitin 2019 ato do të tejkalojnë 1 miliard euro. Kjo konfirmon që bazat e ekonomisë janë të qëndrueshme.
Por duhet theksuar që rreziqet e jashtme dhe të brendshme kanë ardhur në rritje. Rreziqet e ndryshme lidhen me shumë faktor global, një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë evropiane dhe situata e tensionuar e politikës të brendshme rrezikojnë të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, thekson Financa. Duke shtuar se “çdo tension politik apo çfarëdo lloj tensioni tjetër ka efektet e tij në ekonomi dhe nuk mund të anashkalohet, në qoftë se është i tejzgjatur dhe i përshkallëzuar.