Deputetja e PD-së Jorida Tabaku shprehu shqetësimin mbi zhvillimin e tenderëve për mirëmbajtjen teknologjike të sistemeve shtetërore.

Ajo thotë se edhe krijimi i shoqërisë shtetërore ‘Albanian Digital Solution’ që mund të hyjë në partneritet me privatin duke zotëruar të paktën 51% të aksioneve, nuk krijon zgjidhje, por çon në rrezikun e ndërtimit të një monopoli të mbrojtur me ligj në një pjesë të rëndësishme të tregut të teknologjisë.

“Nga 94 tenderë të zhvilluar te AKSHI gjatë vitit 2025, 43 u ankimuan. Në 62,7% të ankimeve, kompanive ankuese iu dha e drejtë plotësisht ose pjesërisht. Procedurat e kundërshtuara kapnin një vlerë prej rreth 10,7 miliardë lekësh. Këto shifra tregojnë sa rëndësi ka që kompanitë të kenë mundësi të konkurrojnë lirshëm” thotë Tabaku,

Deputetja kërkon shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike që sipas saj krijon privilegje që mbyllin tregun, pa rregulla të barabarta, kontrata transparente dhe mundësi reale për të konkurruar.