Uniformat/ PD akuza ministrisë: Kompania ishte e përjashtuar. Urgjenca: Shpifje, standartet janë ndërkombëtare

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka akuzuar ministrinë e Shëndetësisë, se i ka dhënë tenderin për pajisje me uniforma për urgjencën një kompanie që nuk duhet të merrte pjesë në këto tendera deri në vitin 2019.

PD akuzon se kjo kompani Marsi&Al ishte përjashtuar nga tenderat që 2 vite më parë, pasi Policia e Shtetit ndërpreu kontratën për uniformat e saj, pasi cilësia e tyre ishte skandaloze.  Agjencia e Prokurorimit Publik e ka përjashtuar këtë kompani nga tenderat deri në vitin 2019, tha Pampuri.

Ajo publikoi edhe njoftimin e policisë së Shtetit të 2 viteve më parë ku thuhet se kjo kompani ndërpret kontratën me Policinë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit në vitin 2016, publikuar sot nga Pampuri ku thuhet se ndërpritet kontrata me kompaninë Marsi&al

Deklarata e plotë e Orjola Pampurit nga selia e PD

Sistemi shëndetësor në vend është përkeqësuar nga viti në vit, sepse korrupsioni dhe babëzia qeveritare po e gërryen me shpejtësi, duke u hequr qytetarëve mundësinë e një shërbimi me standarte.

Shërbimi i Urgjencës është një nga modelet e abuzimeve dhe korrupsionit të Rilindjes që, nëpërmjet fasadës, vjedh dhe shpërdoron me qindra milionë lekë.

Tenderi për uniformat e punonjësve të urgjencës me vlerë rreth 450 milionë lekë përbën një rast revoltues sesi abuzohen paratë e taksapagursve.

Rasti i denoncuar nga emisioni investigativ “Boom” provoi me dokumenta zyrtarë se një uniformë për shërbimin e urgjencës kushton rreth 800 mijë lekë, ndërsa cilësia është nga më të këqijat.

Është e papranueshme që për shërbimin e urgjencës nuk ka autoambulanca mjaftueshëm dhe Ministrja e Shëndetësisë mburret me uniformat e shtrenjta të personit.

Është jo humane që autoambulancat të jenë në gjendje të mjerueshme, me mungesa në personel dhe në pajisje bazë për shpëtimin e jetëve, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë shpërdoron 450 milionë lekë për uniforma të cilavepo u del boja nga cilësia e dobët.

Dyshimet se tenderi me uniformat 800 mijë lekëshe të Urgjencës është korruptiv nuk ka të bëjë vetëm me çmimin e lartë dhe të pajustifikueshëm.

Fituesja e tenderit për uniformat që reklamon Manastirliu është një kompani që nuk duhet të merrte pjesë në tendera deri në vitin 2019.

Përveç dokumentave të tenderit, Partia Demokratike po ju vë në dispozicion njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit 2 vjet më parë, ku kërkon përjashtimin nga tenderat për 3 vjet të kompanisë Marsi&Al. Në atë kohë, Policia e Shtetit e ndërpreu kontratën për uniformat e saj, sepse cilësia më të cilën ato u prodhuan, ishte skandaloze.

Kompania u dërgua për ndjekje penale nga Policia e Shtetit dhe, sipas njoftimit të tyre, Agjencisë së Prokurimit Publik i shkoi dokumentacioni për përjashtimin e kompanisë deri në vitin 2019.

Ministrja Ogerta Manastirliu duhet të japë llogari për skandalin e uniformave 800 mijë lekëshe të urgjencës, që u reklamuan prej saj si standart I ri shërbimi, por që në të vërtetë fshehin një aferë korrupsioni dhe gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:28
Akuzat e PD për tenderin e uniformave, reagon Urgjenca: Shpifje, standartet janë ndërkombëtare

Pas akuzave të Partisë Demokratike dhe deputetes Orjola Pampuri për tenderin e uniformave të personelit të urgjencës, ka ardhur edhe një reagim nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

Në një deklaratë për mediat, QKUM hedh poshtë akuzat e ngritura nga PD, se kompania fituese e tenderit është e përjashtuar për 3 vite nga Agjencia e Prokurorimit Publik, dhe se uniformat e prodhuara prej saj në rastin e Policisë së Shtetit, kanë qenë jocilësore.

QKUM sqaron se këto uniforma janë të një standarti europian, me element mbrojtës për personelin nga infeksionet.

Reagimi i plotë i QKUM:

QKUM hedh poshtë akuzat: Urgjenca Mjekësore me standart të ri

Në lidhje me deklaratën e sotme të bërë nga deputetja e PD, për uniformat e shërbimit të urgjencës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron opinionin publik si më poshtë vijon: 
Uniforma e re e personelit mjekësor është sipas standarteve të urgjencës mjekësore, bazuar në ligjin 147/2014, i cili ka përcaktuar standartin e uniformave të urgjencës, në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare.
Procedura e blerjes së uniformave të personelit mjekësor të urgjencës është transparente, e bazuar në ligjin e prokurimit publik, dhe është kryer nga Ministria e Brendshme, që është autoriteti i ngarkuar me VKM për blerjen e përqëndruar të të gjitha uniformave, siç parashikohet në normativat EN 20471.

Përballë shpifjeve, po rendisim disa fakte dhe shifra në lidhje me uniformat e personelit të urgjencës.

1. Çmimi dhe specifikimet teknike janë deklaruar publikisht. Fondi total është 38 milion dhe jo 45 milion lekë siç thuhet në deklaratë dhe procedura është kryer nga organi qëndror blerës bazuar në legjislacionin në fuqi.

2. Uniforma standarte është e përbërë nga 10 pjesë, në total 3.760 copë, për 366 punonjës. 

3. Standartet janë ato ndërkombëtare për shërbimin e urgjencës, që nga xhupat me visibilitet të lartë, deri tek materiali i i pa përshkueshëm, dhe me elemente mbrojtëse për personelin mjekësor nga infeksionet. 

Përballë akuzave të pavërteta dhe me qëllime politike, sqarojmë qytetarët se sot, falë investimeve të kryera, urgjenca mjekësore ofron një standart krejt të ri. 
Më konkretisht vetëm gjatë 2018 shërbimit të urgjencës i janë shtuar:
- 23 monitorë e defibrilatorë. 
- 100 sete të urgjencës së traumës ;
- Shërbimi i urgjencës mjekësore nëpërmjet numrit unik 127/112 është shtrirë në tetë qarqe, të gjitha thirrjet e tyre vijnë pranë Njësisë së Koordinimit në QKUM në Tiranë gjë e cila ka përmirësuar mjaft cilësinë e shërbimit. Brenda vitit 2018 shërbimi do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me të gjitha standartet.
- 32 autoambulanca të reja të paisura me të gjitha aparaturat moderne do ti shtohen brenda 2018 flotës së autoambulancave të shërbimit kombëtar të urgjencës.

Teksa shërbimi i urgjencës mjekësore po përmirësohet dita ditës, duke plotësuar gradualisht projektin e modernizimit të saj, deklarata të tilla shërbejnë veçse për të njollosur padrejtësisht punën e palodhur të ekipeve të urgjencës mjekësore, që janë 24 orë në 24, në shërbim të jetës së qytetarëve.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja