Tensione Turqi – Greqi, provokon ministri turk: Në dashtë Zoti, një ditë mund ta marrim ishullin grek me not

Tensione Turqi – Greqi, provokon ministri turk: Në dashtë Zoti, një ditë mund ta marrim ishullin grek me not

Foto ilustruese

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka shtuar tensionet me Greqinë pak para nisjes së platformës së re të shpimit në Mesdhe, “Abdul Hamid Khan”.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e ambasadorëve turq në Ankara, ai iu referua sërish ishullit Kastelorizos, ku theksoi se ishulli është 580 kilometra nga Greqia dhe vetëm 1950 metra nga Turqia, pra, një distancë që arrihet “me not”.

“Është në distancë noti për nxënësit e shkollave tona ushtarake. Ata e keqkuptojnë atë që themi sepse atje notojnë studentët. Një ditë më parë një ministër grek tha “Nëse duan le të vijnë, nëse dinë not” dhe ne deklaruam se “Në dashtë Zoti, një ditë mund të ndodhë edhe kjo”, tha Akar, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të ministrit grek të Shëndetësisë, Nikos Panagiotopulos.

Më pas, Hulusi Akar foli për çmilitarizimin e ishujve të Egjeut. Konkretisht, ai tha: Kushtet e Traktatit të Lozanës janë të qarta në nenin 12 të Marrëveshjes së Parisit, paragrafi 18. Tregojnë qartë se ishujt nuk mund të militarizohen. Ne, përkundër gjithë kësaj, jemi të duruar dhe themi “ejani të bisedojmë”.

Ministri turk i Mbrojtjes provokoi edhe me deklarata të tjera, duke përmendur se Turqia ka epërsi ushtarake.

“Grekëve u themi vetëm aq: As mos e mendoni të luftoni me ne. Lufta është çështje numerike. Përpjekjet që bëni për pajisje ushtarake janë shumë në krahasim me mbrojtjen tuaj, por janë pak për Turqinë”, tha Akar.

Përgjigja e Athinës

Përfaqësuesi i qeverisë, Yiannis Oikonomou tha se Greqia fillimisht po merret me lundrimin e platformës turke të shpimit, Abdul Hamid Khan, me vigjilencën dhe vëmendjen e nevojshme.

“Ne gjithmonë bëjmë atë që duhet bërë, me maturi dhe vendosmëri për të siguruar paqen në rajon”, theksoi ai.

Ai i cilësoi deklaratat e Akar për Kastelorizon si “retorikë e ekzagjeruar dhe provokime, që nuk kanë asgjë për të shtuar në marrëdhëniet greko-turke”.

“Gjithmonë përballë sfidave, retorike apo jo, qeveria ka treguar se di të pozicionohet me qetësi dhe vendosmëri”, nënvizoi ai, duke dhënë garancinë se “të drejtat kombëtare mbrohen absolutisht në bazë të traktateve ndërkombëtare dhe kapaciteteve parandaluese, dhe bazohen kryesisht në faktin se komuniteti global e di se Greqia është faktor stabiliteti dhe në anën e së drejtës ndërkombëtare”.

Ai i dërgoi Turqisë mesazhin se Greqia nuk është e gatshme të bëjë një hap prapa për çështjet e sovranitetit të saj kombëtar dhe në përgjigje të “notarëve turq”, tha se “është një ide e mirë të bëhet një garë paqësore në det të hapur, mes grekëve dhe turqve. Është më mirë ta shikojmë çështjen në një mënyrë të qetë dhe me theksin në të drejtën ndërkombëtare për të mos krijuar vatra tensioni”.

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)