Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë dhe tentativës së Beogradit, për të futur në territorin e Kosovës një tren me shkrime nacionaliste, kanë vënë në lëvizje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Numri dy SHBA-ve, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin ka analizuar zhvillimet e fundit në rajon. 

Ka qenë vetë presidenti Thaçi i cili ka konfirmuar lajmin përmes një statusi në Facebook. Sipas tij, në bisedën me Biden është rënë dakord se zgjidhje mbetet dialogu mes dy vendeve. 

"Sapo zhvillova një bisedë telefonike me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me të cilin biseduam për zhvillimet e fundit në rajon.

Falënderova zëvendëspresidentin Biden për angazhimin e menjëhershëm të tij, por edhe të SHBA-së që të evitohen tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

U pajtuam që dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetmja rrugë përpara për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, jemi të përkushtuar për dialog, për normalizim, për pajtim"
, shkruan Thaçi. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com