Tensionet në Lindjen e Mesme, Biden mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare! Frika e sulmit të Iranit ndaj Izraelit po rritet

Tensionet në Lindjen e Mesme, Biden mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare! Frika e sulmit të Iranit ndaj Izraelit po rritet

presidenti amerikan Joe Biden, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, u takua të hënën me ekipin e tij të lartë të Sigurisë Kombëtare, ndërsa shqetësimet për një sulm të mundshëm hakmarrës iranian ndaj Izraelit u rritën.

Ai tha se ishte informuar për përgatitjet për të mbështetur Izraelin nëse sulmohej, ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh se “zyrtarët po punonin në tavolinën e rrumbullakët për të parandaluar një përshkallëzim”.

Tensionet janë rritur gjatë javës së fundit pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, për të cilin Irani ka fajësuar Izraelin dhe është zotuar për një hakmarrje "të ashpër". Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatin.

Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, u kanë thënë gjithashtu qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani, nga ku dyshohet se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani, mund të luajë një rol në çdo përgjigje.

Në një deklaratë të lëshuar pas konferencës, Biden tha:

"Ne morëm përditësime mbi kërcënimet e paraqitura nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, përpjekjet diplomatike për të de-përshkallëzuar tensionet rajonale dhe përgatitjet për të mbështetur Izraelin nëse ai sulmohet përsëri".

Ai shtoi se po ndërmerren hapa për t'iu përgjigjur sulmeve ndaj forcave amerikane, "në mënyrën dhe vendin e zgjedhur nga ne". Të hënën, disa anëtarë të personelit amerikan u plagosën në një sulm të dyshuar me raketa, në një bazë ushtarake amerikane në Irak.

Duke folur me gazetarët më herët gjatë ditës, Blinken tha se zyrtarët ishin "të angazhuar në diplomaci intensive pothuajse gjatë gjithë kohës”, me një mesazh shumë të thjeshtë: “Të gjitha palët duhet të përmbahen, e të mos shkojnë drejt përshkallëzimi". "Përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt. Ai do të çojë vetëm në më shumë konflikte, më shumë dhunë, më shumë pasiguri", u shpreh sekretari amerikan.

Gjithashtu shtoi se një armëpushim do të "hapte mundësitë për një qetësi më të qëndrueshme jo vetëm në vetë Gazën, por në zona të tjera ku konflikti mund të përhapet".

“Është urgjente që të gjitha palët të bëjnë zgjedhjet e duhura në orët dhe ditët në vazhdim”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, Biden foli me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, për "përpjekjet për të ulur tensionet rajonale, duke përfshirë një armëpushim të menjëhershëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve", thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Një deklaratë e përbashkët nga G7 shprehu gjithashtu "shqetësim të thellë për nivelin e rritur të tensionit në Lindjen e Mesme, që kërcënon të ndezë një konflikt më të gjerë në rajon".

"Asnjë vend apo komb nuk do të përfitojë nga një përshkallëzim i mëtejshëm në Lindjen e Mesme", nënvizoi ai.

Bisedimet që kishin sjellë shpresë të përtërirë për një marrëveshje armëpushimi për t'i dhënë fund konfliktit në Gaza, kanë dështuar pas ngjarjeve të javëve të fundit.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti, se vrasja e Ismail Hanyieh, liderit të Hamas, do të kishte një "ndikim negativ në negociatat në vazhdim". Izraeli nuk e ka komentuar vrasjen, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha më pas se Izraeli u kishte dhënë "goditje dërrmuese" grupeve përfaqësuese të Iranit ditët e fundit.

Pas vrasjeve në Liban dhe Iran, IRGC tha se Izraeli do të merrte një "dënim të rëndë në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur", ndërsa udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se konflikti kishte hyrë në një "fazë të re". Është përshkallëzimi më i afërt i konfliktit që nga prilli, kur Irani gjuajti rreth 300 dronë dhe raketa ndaj Izraelit në përgjigje të një sulmi izraelit në një konsullatë iraniane në Siri që vrau një numër komandantësh të lartë ushtarakë.

Konflikti në Gaza filloi pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi dhe grupe të tjera militante, ku u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 të tjerë u kthyen në Gaza si pengje. Që nga nisja e pushtimit tokësor hakmarrës të Izraelit në Gaza, më shumë se 39,600 palestinezë janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Fluturimet janë pezulluar

Të hënën, Jordania kërkoi nga të gjitha linjat ajrore që të planifikojnë të mbajnë karburant shtesë për 45 minuta në aeroport, një veprim që mendohet të jetë një masë paraprake në rast se Jordania duhet të mbyllë hapësirën e saj ajrore për shkak të konfliktit rajonal. Kompania gjermane “Lufthansa” ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Tel Avivit, Teheranit dhe Bejrutit deri dhe duke përfshirë 12 gusht. Linja ajrore amerikane Delta gjithashtu ka ndërprerë fluturimet për në Tel Aviv deri në të paktën 31 gusht "për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në rajon". Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar aktualisht këshillon kundër çdo udhëtimi në Liban dhe u ka kërkuar qytetarëve britanikë që janë në vend të largohen.

Ngjarjet që rritën tensionet në Lindjen e Mesme:

-Më 27 korrik, 12 fëmijë dhe adoleshentë u vranë në një sulm në lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli. Izraeli akuzoi Hezbollahun për kryerjen e sulmit, megjithëse Hezbollahu mohoi çdo përfshirje.

-Ditë më vonë, Fuad Shukr, një komandant i lartë ushtarak i Hezbollahut, u vra në një sulm ajror izraelit në një periferi të kryeqytetit libanez, Bejrut. Katër të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë, u vranë gjithashtu.

-Disa orë më vonë, Ismail Haniyeh, kreu politik i Hamasit, u vra në Iran. Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) tha se Haniyeh u vra në një "shpërthim të fortë" të shkaktuar nga një "predhë me rreze të shkurtër", e qëlluar nga jashtë një shtëpie ku ai po qëndronte teksa vizitonte kryeqytetin, Teheran.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja