Tensionet në PD-në e Fierit, Baçi: Nuk e njoh komandimin e Bashës, me kaçavida ndërruan bravën e derës! PD është e anëtarëve, jo e zyrave

FIER- lsh kreu i PD-së së Fierit, Luan Baçi dhe aleatët e degës kanë protestuar ditën e sotme lidhur me ndërrimin e bravës së derës nga drejtuesi i komanduar, Agron Kapllanaj. Baçi thotë se nuk e njeh komandimin e bërë nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Ndërrimin e bravës së derës, Baçi e konsideron një veprim të turpshëm, ndërsa thekson se janë futur me kaçavida për ta ndërruar. Luan Baçi ka konfirmuar edhe njëheërë se do të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Sot ka ardhur momenti që të denoncohet ky veprim i turpshëm dhe ofendues për të gjithë. Sekretari i degës dhe sekretari organizativ erdhën të kryenin disa veprime, për të marrë disa karta dhe gjendën dyert e mbyllura. Për këtë arsye u bë dhe denoncimi në polici. Nuk ka punë mirëkuptimi, dega vazhdon aktivitetin e vet. PD nuk është aty ku janë zyrat, por aty ku janë njerëzit. Më 11 dhjetor do të ketë një pjesëmarrje të madhe delegatësh, është dëshira e vetë delegatëve e të gjithë anëtarëve që të jenë pjesë.

Ju e keni parë vetë, foltorja që u bë e dyta ishte Fieri pas Tiranës dhe e patë se çfarë pjesëmarrjeje kishte. Bashkërisht do t’ia dalim mbanë pasi unë nuk jam për ndarjen e PD-së. Kundërshtari ynë është Edi Rama. Mund t’i merrni edhe zotërinjtë në pyetje. Unë nuk e njoh fare atë komandimin që ka bërë Basha, nuk e njoh. Zyrat i ka uzurpuar një ekip që erdhi nga Tirana, u futën me kaçavida e ndërruan bravat. I gjithë problemi i degës së Fierit është me qendrën. PD janë anëtarët, nuk janë as zyra dhe as vula. Mund ta merrni dhe ju vulën dhe të thoni që jeni PD-ja, por nuk jeni, ju jeni gazetarë”, tha Baçi.

Por pse erdhi ky tension në degën e PD-së në Fier?!

E gjitha daton më 20 tetor, atëherë kur kryedemokrati Lulzim Basha komandoi në krye të degës së PD-së në Fier, ish-kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Por sipas Luan Baçit, i cili mbante këtë post, shkarkimi është bërë pa u njoftuar ai zyrtarisht.

Ka një paqartësi në lidhje me largimin e Baçit nga drejtimi i degës së PD Fier, pasi përkundër deklaratave të tij, para zgjedhjeve të 25 prillit Lulzim Basha nxori një urdhër ku kryetarët e degëve që donin të garonin për deputet, duhej të hiqnin fillimisht dorë nga posti lokal. Luan Baçi garoi si deputet në Fier në zgjedhjet e 25 prillit, ku edhe fitoi.

Megjithatë nisur edhe nga kjo, Baçi u pa në foltoren e Sali Berishës në Fier dhe pretendon se e gjitha ka ardhur si një hakmarrje e Lulzim Bashës pse doli hapur krah ish-kryeministrit.

Tensionet arritën kulmin ditën e djeshme kur Kapllanaj ndërroi bravën e zyrës së PD-së në Fier duke e argumentuar këtë veprim me faktin se ai është komanduar për ta drejtuar derisa kjo degë të dalë në zgjedhje sipas statutit të PD-së.

Ndërkohë, prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për ndryshimin e bravës së derës në zyrën e degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. Hetimet nisën pasi sekretari  i PD në degën e Fierit, Emiliano Mone ka kallëzuar dy ditë më parë në prokurori se selisë së PD në Fier i janë ndryshuar bravat e derës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës