
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova do duhet të formojë asociacionin e komunave serbe.
Ai madje është shprehur se Prishtina është e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur ndonjëherë me kërcënime të këtij lloji. Sipas tij, kjo retorikë e amerikanëve për asosacionin do të jetë edhe nga BE për Kurtin.
“Prishtina është mësuar të jetë e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur me kërcënime deri më tani. Këtë që e kanë thënë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e evropianëve”, tha Daçiç për Televizionin Prva të Serbisë.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta, ai vlerësoi se tensionet në veri të Kosovës janë shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë”.
“Prandaj tani, në vend të normalizimit në Kosovë, kemi përshkallëzim të dhunës”, tha Daçiç.
Ai shtoi se zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë zgjidhje, por se tani “është më e rëndësishme të qetësohet situata”.
Daçiç tha se qëllim i Beogradit është që serbët t’i kenë të drejtat e tyre.
“Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë, por shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë”, tha Daçiç.
Lajmi kryesor:
Tensionet në veri të Kosovës, Franca dhe Gjermania kërkojnë ripërsëritjen e zgjedhjeve në 4 komunat! Osmani: Të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi








