Situata e tensionuar prej 7 ditësh në veri të Kosovës bashkon qeverinë me opozitën! Dy avionë nga Serbia fluturojnë në afërsi të kufirit! SHBA: Po punojmë për uljen e tensioneve

Për 7 ditë me radhë, situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar, teksa dy pikat kufitare Jarinja dhe Bërnjaku vijojnë të jenë të bllokuara nga protestuesit serbë.

Kjo situatë shqetësuese ka bashkuar qeverinë me opozitën, pasi kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me liderat e opozitës. Kurti ka takuar liderin e opozitës, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun. Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve.

Situata në Zubin Potok, sot duket paksa më e qetë dhe Policia e Kosovës ndodhet në zonë për të vëzhguar zonën, ku mbrëmjen e së premtes, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve u dogj nga serbët, të cilët nuk pranojnë reciprocitetin për targat. Ata hodhën granata dore, por nuk ja arritën qëllimit të digjnin Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës. Por, në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Tensionimi i situatës bëri që Kurti të mblidhte një ditë më parë Këshillin e Sigurisë, e më pas publikoi foto të dy personave që sipas tij ishin 'kriminelët' që po mbajnë të bllokuara pikat kufitare të vendit. Sipas kreut të Qeverisë,dy nga këta persona janë Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, të cilët siç thotë Kurti janë “të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste". Prania e helikopterëve e avionëve luftarakë rusë dhe serbë në kufi, Kurti i cilësoi si provokime që tentojnë të nxisin konfliktin rajonal. 

Ndërkohë NATO dhe BE kanë i kanë bërë thirrje të dy vendeve për qetësim të situatës dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
Situata në veri të Kosovës, reagon SHBA: Po punojmë për uljen e tensioneve

Shtetet e Bashkuara po punojnë që të ulen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.

SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë javës së ardhme, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Ora 16:59
Tensionet në Kosovë/ Gjenerali serb i përgjigjet Ramës: Shqipëria mbështeti me gjithë zemër UÇK-në, thirrja e Tiranës nuk mund të plotësohet

Zëvendëskomandanti në pension i Batalionit të 53 -të Kufitar, Dragutin Dimcevski, deklaron për median serbe Kosova Online se “thirrja e Tiranës për të tërhequr forcat e ar ma tosura serbe nga vendkalimet administrative nuk mund plotësohet.

“Unë jam duke monitoruar situatën dhe mbështes plotësisht të gjitha masat e marra nga udhëheqja jonë shtetërore e udhëhequr nga Presidenti Vuçiq për të qetësuar situatën. Është mirë që trupat tona të ar matosura janë në gatishmëri në mënyrë që të ofrojmë mbështetje morale për njerëzit e prekur në Kosovë”, tha Dimchevski.

Lidhur me kërkesën e Tiranës, ai thotë se Shqipëria ishte vendi që mbështeti me gjithë zemër UÇK -në në su ,lmet ndaj trupave serbe gjatë viteve 1998 dhe 1999.

“Unë e di këtë nga përvoja personale, sepse si ushtar kam marrë pjesë në luftime gjatë viteve 1998 dhe 1999. Dhe sa i përket helikopterëve tanë që fluturojnë përgjatë vijës administrative, unë isha me zemrën plot kur i pashë dhe nuk e kuptoj cfarë ka për t’u diskutuar kur fluturojnë në hapësirën tonë ajrore. Unë e kam bërë atë vazhdimisht, Kosova është territor i okupuar për mua, por nuk do të qëndrojë kështu përgjithmonë,” tha Dimcevski.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij dy ditë më parë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kërkoi njohjen e Kosovës. Rama tha se asambleja e OKB-së nuk është e plotë dhe s'do të jetë e plotë pa Kosovën. 

Ora 15:36
Sekretari i NATO-s flet me Kurtin dhe Vuçiç: Prishtina dhe Beogradi të përmbahen

I shqetësuar nga situata në veri të Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka biseduar ditën e sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Stoltenberg tha se është jetike që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen dhe t’i kthehen dialogut.

 “Bisedova me Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin për nevojën e de-eksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje e ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Ora 14:43
Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri përmes dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia. Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Kjo ka qenë dhe arsyeja e rindezjes së konfliktit mes 2 vendeve.

 

Ora 14:39
Borell thirrje Kosovës e Serbisë: Hiqni menjëherë Policinë Speciale dhe barrikadat

Kosova dhe Serbia duhet të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës, ka bërë thirrje përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

 “Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqe. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara, andaj edhe siç ka thënë ai, të dy shtetet do të jenë përgjegjëse për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.

“BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti këtë javë”, ka theksuar ai.

Borell ka thënë tutje se dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis palëve, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.

“Ne e përsërisim që ne presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, ka thënë Borrell.

 

Ora 14:37
Vuçiç bisedon me sekretarin e NATO-s: Nuk e kuptoj pse po kritikohet Serbia

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s Jens Stoltenberg për situatën në kufij me Kosovën.

Mediat serbe bëjnë të ditur se Vuçiç i ka thënë Sotltenberg se Serbia nuk e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit ose Rezolutën 1244 në asnjë mënyrë, me asnjë lëvizje të saj dhe as nuk e ka rrezikuar ruajtjen e paqes në asnjë mënyrë.

 “Pushtimi i plotë me automjete të blinduara në veri të Kosovës, i cili po kryhet nga Prishtina, ka vazhduar për shtatë ditë dhe të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare heshtin me zë të lartë. Befas shqetësohen kur shohin helikopterë dhe aeroplanë serbë në territorin e Serbisë qendrore, sepse mendojnë se ata nuk duhet të ekzistojnë, ose nuk duhet të ngrihen derisa Kurti ose dikush nga bashkësia ndërkombëtare të miratojë atë””, ka deklaruar Vuçiç.

Duke folur më tej për bisedën që ka pasur me Stoltenbergun, Vuçiç thotë se e ka pyetur atë se cilën normë apo rregullore ka shkelur Serbia me veprimet e saj.

Ora 11:49
Tensionet në veri të Kosovës, banori serb: Kurti e Vuçiç të na lënë të jetojmë të qetë, shqiptarët janë shokët e mi

Teksa situata në veri të Kosovës nuk është qetësuar ende, banori i Bërnjakës, Kosta Milovanoviq, po e konsideron Njësinë Speciale, si pjesë edhe të serbëve të veriut. Në një prononcim për Ekonomia Online, Milanoviq, ka thënë se shtetësinë e Kosovës duhet ta pranojë Serbia, njëjtë siç pranohet nga shumë vende të botës.

“Situata nuk është aq e keqe. Diçka ka me qenë mirë, Njësia Speciale e Kosovës ROSU është njësia e jonë, e Kosovës që e pranojnë të gjitha organizatat botërore. Serbia është e vërtetë që nuk e pranon mirëpo ne duhet të jetojmë me shqiptarët. Si unë që i kam targat KM (Kosovë e Metohi) unë jam shembulli konkret, askush nuk më pengon me këto targa as shqiptarët as ROSU-ja askush, lirisht po udhëtoj”, tha ai.

Ndër të tjera ai ka pasur një lutje për kryeministrin Albin Kurti dhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiç që t’i lejojnë të jetojnë normalisht.

“I lutem Qeverisë dhe Albin Kurtit, kryeministrit tonë, që të na lejojnë të jetojmë normalisht, dhe e lus Vucicin, që të na lejojë të jetojmë normalisht dhe asgjë më shumë. Unë me shqiptarë duhet të jetojë, shqiptarët janë shokët e mi, unë jam i vitit 1970 dhe kam qenë në shkollën ‘Aziz Sylejmani’ që tash quhet Sveti Sava, shkolla e mesme, në Mitrovicë. Unë kur kam qenë në shkollë të mesme ajo vetëm është quajtur ‘Aziz Sylemajni’. Ju lus që të na lënë që të jetojmë të bashku të mund të shoqërohemi përsëri”, ka thënë ai.

Ora 11:43
Situata e tensionuar në veri, Kurti takohet me krerët e partive politike në vend

Pas tensionimit të situatës në veri të vendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me liderët e subjekteve opozitare në Kuvend. Ai në zyrën e tij në Qeveri e ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

 “U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë. Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.

Ora 11:42
Dita e shtatë e bllokadës, dy avionë nga Serbia fluturojnë në afërsi të kufirit

 

Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës të dielën raportohet të jetë e qetë.

Ekipi i REL, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës.

Por, në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

Kurti ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

Djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmi ndaj Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan janë dënuar nga autoritetet në Kosovë.

Për sulmet në veri Prishtina zyrtare ka akuzuar Beogradin.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të përshkallzojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë

 

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja