Dështojnë bisedimet për targat në Bruksel/ BE e ashpër me Kurtin: Nuk pranoi propozimin tonë! Palët treguan papërgjegjshmëri, sjellje jo konstruktive

BRUSKEL- Kryedipolmati i Bashkimit Evropian Josep Borrell në Bruksel ka deklaruar se nuk është arritur asnjë dakordësi mes palëve për çështjen e targave nga takimi që u mbajt për katër orë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Borrell tha se një propozim i tyre ishte pranuar vetëm nga Vuçiç, por ishte kundërshtuar nga Kurti.

Borrell i ka Vuciçit që të ndalojë lëshimin e targave ilegale “KM”, ndërsa Kurtit i ka kërkuar që të pezullojë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe. 

“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne e dhamë një propozim që do të mund të evitonte këtë situatë të rrezikshme, që Presidenti Vuciç e pranoi sot, por Kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.

Fillimisht Borrell priti në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa më pas u zhvillua dhe takimi i përbashkët. Pas këtij takimi edhe presidenti serb tha se nuk është arritur asnjë marrëveshje. 

“Nuk kemi qenë në gjendje të arrijmë absolutisht asnjë marrëveshje”, kështu deklaroi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Një reagim të ashpër ka pasur dhe nga Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. Ai bënë përgjegjëse të dyja palët dhe thotë se nuk kanë respektuar detyrimet e tyre ndërkombëtare ligjore, veçanërisht Kosova.

Reagim pati dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Teksa shprehu zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje, Stoltenberg me një postim në Twitter shkruan se tani se është koha të gjendet një zgjidhje dhe se përshkallëzimi i situatës duhet të shmanget.

Takimi i sotëm në Bruksel u zhvillua në një kohë kur Prishtina do të nisë nesër vendosjen e gjobave 150 euro për të gjithë automjetet me targa serbe. Që prej 1 nëntorit, qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa “RKS”, ndonëse afati i fundit për ndalimin e qarkullimit të mjeteve me targa serbe ishte fundii shtatorit, por u shty me kërkesë të ndërkombëtarëve. 

Plani ka tri faza. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parashikon gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.

Duke filluar që prej ditës së nesërme, më 22 nëntor, çdo makinë që qarkullon me targa ilegale, do të gjobitet me 150 euro  nga policia e Kosovës Për shkak të këtij vendimi, situata në Veri të Kosovës është e tensionuar ku përfaqësuesit e serbëve janë larguar nga institucionet e Kosovës. Ata kanë deklaruar se me fillimin e shqiptimit të gjobave nga policia për serbët, në veri do të ketë rezistencë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Komandanti i KFOR-it takohet me Sveçlën: Kujdes, mund të përkeqësohet situata

Pas takimit të sotëm në Bruksel, gjeneralmajor Angelo Michele, komandat i KFOR-it të udhëhequr nga NATO, është mbrëmjen e sotme me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Në një njoftim thuhet se gjenerali ka bërë thirrjeve palëve që të shmangin çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës, si dhe të veprojnë me përgjegjësi dhe të marrin pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë.

“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë Komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë. të Mbrojtjes. Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, thuhet në njoftim.

Ora 22:10
Dështojnë negociatat për targat në Bruksel, ambasadori britanik në Kosovë: Zhgënjyese! Palët të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës

Nicholas Abbott

“Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje”, kështu shprehet ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott lidhur me dështimin e bisedimeve për çështjen e targave mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Abbott thotë se situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe bëri thirrje që gjitha palët të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensioneve.

“Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe largon vëmendjen nga misioni i qeverisë për të përmirësuar jetën e tyre. Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë. Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t'i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat.”, shkruan ambasadori britanik në Facebook.

Ora 21:38
Dështimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, eurodeputetja: Kurti e Vuçiç të kthehen në tryezë, në kohë luftërash përshkallëzimi është gjëja e fundit që duhet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon ka bërë thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiçqë të kthehen sërish në tavolinën e negociatave.

Nëpërmjet një postimi në twitter, Von Cramon shkruan se dy liderët duhet të ktheheshin në tryezën e dialogut pasi nuk kishte tjetër alternativë. Ajo theksoi se arritja e një kompromisi kërkon vullnet politik dhe udhëheqës të guximshëm.

“Arritja e një kompromisi kërkon vullnet politik dhe udhëheqësi të guximshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Prandaj i bëj thirrje të dyve Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të kthehen në tryezën e negociatave, pasi nuk ka alternativë ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja të ndihmuar nga Miroslav Lajçaku”- ka shkruar Von Cramon.

Eurodeputetja tha se nuk kishte pasur interesim të vërtetë për arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

“Më vjen thellësisht keq që nuk kishte interesim të vërtetë për të arritur një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e BE-së. Shumë gjëra janë në rrezik, përfshirë edhe integrimi i arritur tashmë në veri të Kosovës. Në kohë të luftërave, gjëja e fundit që duhet është një përshkallëzim në oborrin tonë të brendshëm” shkruan eurodeputetja.

Ora 21:33
Dështimi me negociatat me Serbinë, Haradinaj thirrje Kurtit: Tërhiqu nga vendimi për targat

1669062895_Screenshot8.jpg

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradniaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të tërhiqet nga vendimi për targat deri në arritjen e marrëveshjes.

“I bëj thirrje Kryeministrit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërrasë Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situates së krijuar. Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.

I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd. Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ora 20:59
Dështimi i bisedimeve për çështjen e targave, Vuçiç thirrje serbëve në Kosovë: Të ruajmë paqen

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është shprehur se gjatë mbrëmjes do të takojë në Beograd, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ndërsa, shton se do i kërkojë që të ruajnë paqen.

“Sonte do të kem një takim me serbët e Kosovës dhe Metohisë. Kërkesa është shumë e qartë, të përpiqemi të ruajmë paqen”, tha Vuçiç gjatë një fjalimi të mbajtur pas dështimit të negociatave në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiç ka thënë se nëse do të ketë protesta, ato duhet të jenë paqesore.

 “Duhet të përpiqemi të tregojmë se nuk donim konflikte as për një sekondë. Nëse protestojnë, duhet të protestojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Le të bëjmë çmos për të ruajtur paqen. Ne do të respektojmë kërkesën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrellit. Nuk do të nxjerrim të reja, dhe as nuk do t'i publikojmë”, u shpreh Vuçiç.

Ora 20:37
Takimi Kurti-Vuçiç/ Osmani akuzon Borrell: Shfaqi hapur njëanshmëri për Serbinë, nuk respektoi parimet bazë të neutralitetit

1666863051_vjosa.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka akuzuar përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell se ka qenë i njëanshëm gjatë diskutimeve të mbajtura ditën e sotme në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një reagim të bërë në facebook, Osmani shkruan se Borrel nuk i kishte respektuar parimet bazë të neutralitetit, duke akomoduar Serbinë dhe duke shfaqur një realitet të shtrembëruar.

Postimi i Plotë nga presidentja, Vjosa Osmani:

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.

Ora 20:24
Dështimi i negociatave për targat, thirrja e Stoltenberg: Përshkallëzimi duhet të shmanget


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pas dështimit të negociatave për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Stoltenberg, teksa ka shprehur zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje, shkruan se tani se është koha të gjendet një zgjidhje dhe se përshkallëzimi i situatës duhet të shmanget.

 “Fola me Josep Borrell . Jemi të zhgënjyer që nuk ishte e mundur të zgjidhej mosmarrëveshja e targave. Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, shkruan Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, pas bisedës që ai ka zhvilluar me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Ora 19:31
Dështojnë negociatat për targat në Bruksel, BE: Përgjegjësi e palëve, sjellje jo konstruktive, sidomos Kosova

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka pasur një reagim të ashpër lidhur me dështimin e negociatave për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel.

Stano bënë përgjegjëse të dyja palët dhe thotë se nuk kanë respektuar detyrimet e tyre ndërkombëtare ligjore, veçanërisht Kosova.

“Unë do të informoj Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ. Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne parashtruam një propozim që presidenti Vuçiq e pranoi sot ndërsa kryeministri Kurti jo.", shkruan Stano në Twitter.

 

Postimi i Peter Stano në Twitter
Ora 17:19
Kurti: Propozimi i BE-së për targat, i papranueshëm! Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për marrëveshjen finale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm. Kurti ka thënë  se propozimi i Borell që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM, ka qenë i papranueshëm për palën kosovare.

“Por për neve natyrisht se është e papranueshme nëse kjo nuk shoqërohet për atë çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë”

“E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët Borell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, ne që po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje them se ndërmjetësit e BE-së, me këtë rast përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Po them me keqardhje sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i BE-së”, u shpreh Kurti.

 

Ora 16:32
Borell: Propozimi jonë u pranua nga Vuçiç por jo nga Kurti! Të dy janë përgjegjës nëse situata përshkallëzohet në veri

Josep Borell, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç tha se dy krerët e dy vendeve mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e negociatave si dhe për çdo përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës. 

 “Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne parashtruam një propozim që presidenti Vuçiç e pranoi sot ndërsa kryeministri Kurti jo”, tha Borell.

Ai tha se BE-ja ka dhënë një propozim të cilin e Vuçiç e ka pranuar, por Kurti jo.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, u shpreh Borell.

“Pres nga Kosova që të ndalojë fazën e ardhshme për gjobat dhe Serbia të ndalojë dhënien e targave të reja”, tha ai.

Ora 16:17
Përfundon takimi në Bruksel, Borrell: Nuk arrihet asnjë marrëveshje për targat! Propozimi jonë u pranua nga Vuçiç por jo nga Kurti


Pas takimi të zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për çështjen targave, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell thotë se nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Borrell tha po ashtu se BE-ja ka paraqitur një propozim të cilin e ka pranuar Vuçic, por është refuzuar nga Kurti.

“Fatkeqësisht ata nuk ranë dakord për një zgjidhje sot”, tha Borrell.

Ora 15:43
Përfundon takimi në Bruksel, Vuçiç: Absolutisht nuk është arritur asnjë marrëveshje me Kurtin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Për arsye që janë të paqarta për mua, nuk kemi qenë në gjendje të arrijmë absolutisht asnjë marrëveshje. Pala serbe ishte krejtësisht konstruktive. I pranuam tekstet që u ndryshuan dhjetë herë... As nuk shtuam asgjë që nuk ishte e mundur... Na presin net pa gjumë dhe, sigurisht, shumë ditë të vështira”, u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ora 15:36
Kurti dhe Vuçiç në Bruksel, duke negociuar për më shumë se 4 orë


Për më shumë se 4 orësh, Kryeministri Albin Kurti ndodhet në një takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, takim i cili po ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Ende nuk ka asnjë informacion rreth përfundimit të takimit e negociatave mes dy liderëve të dy vendeve.

Në Kosovë, kryeministrit Kurtit po i shprehin përkrahje dhe mbështetje deputetët e Partisë Vetëvendosje. Zëdhënësi i Partisë, Arlind Manxhuka, si dhe disa deputetë të tjerë kanë postuar në rrjetet social hashtag-un #mekryeministrin dhe #RKS.

Ora 14:50
Në tryezë me Vuçiç dhe Borrell për negociatat e targave, aktivistë dhe deputetë mbështesin Kurtin në rrjete sociale: Me kryeministrin

1669031877_Screenshot2.jpg

Aktivistë të Vetëvendosjes por edhe zyrtarë të Qeverisë Kurti kanë filluar të mbështesin në rrjete socialie kryeministrin e Kosovës me një thurje në rrjetin social Facebook #mekryeministrin

Kryeministri Kurti zyrtarisht është ende pjesë e takimit me Vuçiqin që nisi në orën 10:15 të ditës së sotme.

Ora 10:38
Nis takimi i përbashkët Kurti-Vuçiç në Bruksel

1668941498_FR8I2EMWQAI5695.jpeg

Ka nisur takimi i përbashkët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel me ftesë nga kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

Takimi po zhvillohet me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell për të gjetur një zgjidhje sa i përket situatës në veri dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale të automjeteve.

Borrell kishte njoftuar se fillimisht do të mbajë takime ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç.

Borrell para këtyre takimeve deklaroi se është urgjent një takim i tillë dhe se është nevoja për de-eskalimin e situatës së krijuar në veri

“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.

G.MO/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fadili: 21/11/2022 23:49

    Kurre kjo evrope nuk ka qen per ne shqipetaret edhe sot jane me ruset e serbet

    Përgjigju
  • Max: 21/11/2022 22:59

    Borrell eshte spanjoll I ndyre ato jan me serbin nuk kan njohur Kosove akoma

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën