Një 52-vjeçar u arrestua në Mirditë pasi dyshohet se i vuri flakën një dyqani me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri. Pas njoftimit për zjarrin, Policia shkoi në vendngjarje dhe nga veprimet e kryera dyshoi për zjarrvënie të qëllimshme. Hetimet çuan në identifikimin dhe arrestimin e L. V., alias A. V., banues në Ndërfushaz. Ai akuzohet për “shkatërrim të pronës me zjarr”. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”. Dogji një dyqan me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri, falë reagimit të shpejtë e profesional të Policisë, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga një 52-vjeçar. Autori i dyshuar, me precedent kriminal të mëparshëm, i dënuar më parë për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.Pas njoftimit të marrë se kishte rënë zjarr në një dyqan me materiale të përdorura, në pronësi të shtetasit Gj. D, dhe se ishin djegur disa goma në gomisterinë e shtetasit A. P., me qëllim djegien e gomisterisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të dy rasteve.Nga veprimet e shpejta të kryera në vendngjarje lindi dyshimi i arsyeshëm se të dy rastet ishin zjarrvënie të qëllimshme.Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fast”.Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i autorit të dyshuar, shtetasit L. V., alias A. V., 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë.Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të dy rasteve të zjarrvënies.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme"
Komente









