KRUJE- Janë bllokuar dje katër pika të furrave të gëlqeres në Krujë të cilat kishin tentuar të rihapeshin pas aksionit të madh të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit.

Ndërsa administratorët e furrave të rihapura janë shoqëruar në polici. 

Kryeinspektori në Ministrinë e Mjedisit, Ergys Agasi u shpreh se nuk do të tolerohet asnjë shkelje ligjore dhe se  do të merren masa për ndjekje penale për të gjithë abuzuesit. Vetëm një muaj pas pezullimit të këtij aktiviteti në këtë zonë, ata filluan të rilindin sërisht. Pastrimi i Krujës dhe pezullimi i këtyre furrave që punonin në mënyrë ilegale duke ndotur mjedisin ka qenë një nga prioritetet e kësaj ministrie. 

Vitin e shkuar janë mbyllur më shumë se 100 furra në rrethin e krujës nga Inspektoriati i Mjedisit në Bashkëpunim me INUK dhe policinë e shtetit . Ministria e Mjedisit thekson se bllokimi i tyre është bërë pasi të gjitha furrat e gelqeres prej vitesh ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim me të gjitha ligjet. Në lidhje me aktivitetitn e këtyre furrave dhe atij të guroreve Ministri ka marrë përsipër identifikimin e zonave të përshtatshme dhe më pas lejimin e tyre në përputhje me të gjitha ligjet. Por deri në këtë fazë, nuk do të lejojë askën të ndërmarrë nisma në dëm të mjedisit për përfitime personale.  


Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)