Teodor Keko, dorëshkrimet
në bodrumet e Kryeministrisë

Teodor Keko,  dorëshkrimet <br />në bodrumet e Kryeministrisë
Fletë të zverdhura, me vargje, shënime e fragmente letrare, mbuluar me skica ngacmuese gjithandej, me ndonjë shënim të kujdesshëm a zhubravitje e lehtë…
Janë shënimet e fundit që hodhi në letër Teodor Keko. Në muajt e vështirë kur ai luftonte me vdekjen, atje lart në zyrën e tij në katin e tretë të Kryeministrisë, nëpër këto copëza letrash gjente shtegun e arratisë drejt dashurisë së tij të përhershme shkrimit. Ishte një sfidë ndaj vdekjes, që e priste diku syçelët. Ajo atje në pragun e fundëm dhe Dori pak hapa larg duke e qesëndisur…
Prej vitesh, këto dorëshkrime të vyera flinin, mbuluar në heshtje e në pritje, në bodrumet e kryeministrisë. Mandej një ditë Arben Shkodra, drejtor i personelit në këtë institucion, gjeti mundësinë t’i çojë në destinacionin e duhur.
Ai e mbante mend atë kutizë, ku vetë ishte kujdesur të vendoste dorëshkrimet dhe sendet e tjera personale të Teodor Kekos, që kishin mbetur në zyrën e tij në kryeministri. Pasi i kishte sistemuar mes shumë dosjeve e materialeve të tjera, kësaj kutie me dorëshkrime i erdhi radha të binte sërish në duart e tij pas disa vitesh. “Po bëhej një sistemim i materialeve dhe u kujtova për kutinë e dorëshkrimeve të Dorit”, thotë Arben Shkodra, ndërsa tregon më tej se nga ajo kohë e deri më sot i ka mbajtur në zyrën e tij në pritje që të lidhej një ditë me një nga familjarët e Teodor Kekos. “Rasti e solli që Ilir Keko, vëllai i Dorit, po kërkonte disa VKM në Kryeministri që lidheshin me muajt e fundit të jetës së Teodor Kekos dhe ndihmën që iu dha atij nga Këshilli i Ministrave për mjekim. Kur e mësova këtë fakt e kërkova Ilirin dhe ia dorëzova dokumentet që kishin qëndruar në kryeministri që nga muaji gusht i 2002, kur Teodor Keko u nda nga jeta”, rrëfen Arben shkodra.

* * *
Kësisoj, për Ilir Kekon fundviti i 2011-ës ka qenë fatlum. Kishte kohë që punonte për të mbledhur çdo dëshmi, shkrim, fakt a kujtim që do të zbardhte aktivitetin e Teodor Kekos në 365 ditët e fundit të jetës së tij, me të cilat do të ndërtonte një botim të ri. Këto dorëshkrime të sapozbuluara, plotësonin mozaikun e trishtë, të dhimbshëm e njëherazi plot nerv e dashuri të këtij viti lamtumire të të vëllait. Nga këto dorëshkrime të panjohura, RILINDASI, do të botojë sot një kolazh me dorëshkrime e skica të përzgjedhura nga vetë Ilir Keko, i cili na tregon me hollësi përmbajtjen e këtyre dorëshkrimeve.
“Janë afro 50 faqe dorëshkrim. Janë letra format të mëdha, fletë blloku, copa letre nga blloqe te kamarierëve të shkëputura nga fatura të ndryshme, sepse duket që është grisur pjesa e kapseve të bllokut… ndër to ka shënime të shumta, shprehje e koncentrate bisedash me miqtë me të cilët ai është gjendur…”, tregon Iliri, ndërsa saktëson se mes dorëshkrimeve gjendet kapitulli i dytë i romanit “Qiejt e vetmisë”, një roman i shumëpërfolur i Teodor Kekos që nuk arriti të shihte dritën e botimit sa ishte gjallë shkrimtari. Romani i nis ngjarjet në vitin 1985 edhe mbaron mbas viteve të demokracisë 96’-97’. “Ky kapitull që kemi gjetur së fundmi i takon vitit 1986”, thotë Ilir Keko, ndërsa tregon se ishte konceptuar si “një roman shumë voluminoz që Dori gjithmonë e ka patur nëpër duar dhe ndoshta e ka munduar më shumë sesa sëmundja, sepse asnjëherë nuk arriti ta shkruante. Kjo ndoshta lidhet dhe me faktin që ai ishte më i prirur për tregimin, si gjini më e shkurtër më konçize, e që i përshtatej shumë natyrës së tij impulsive”, rrëfen vëllai i shkrimtarit, sipas të cilit dorëshkrimet e këtij romani mund të qëndronin edhe si tregime më vete.
Më tej mes dorëshkrimeve të fundit është gjetur edhe pjesa e dytë e poemës “E të tjera, e të tjera…”, një poemë kushtuar 40-vjeçarëve, tre poezi, një tregim, bocete tregimesh, novelash e dramash, shënime të ndryshme etj.
Ndërsa e pyesim për poezitë, Iliri tregon se njëra nga këto tre poezi, është poezi personale, dedikuar dikujt, ndërsa dy të tjerat janë vargje që reflektojnë qëndrimin e tij intelektual, një këndvështrim të veçantë ndaj jetës dhe fenomeneve.

Disa faqe të tjera nga dorëshkrimet janë shënime personale, që hedhin dritë mbi faktin se si i mendonte ai gjërat. Dhe nuk janë shënime të thjeshta mbi çka shihte e dëgjonte. Në ato shënime Teodor Keko bënte analiza dhe nxirrte konkluzione, nga marrëdhëniet e tij me njerëzit që i ka njohur mjaft mire dhe fenomenet me të cilat përballej çdo ditë.
Vlera e këtyre dorëshkrimeve është jo vetëm shpirtërore për familjarët e tij. Por nuk është as vetëm vlerë letrare a dokumentare. “Mbi gjithçka këto dokumente hedhin dritë mbi një gjë shumë të rëndësishme, mbi intensitetin e jetës së Dorit vitin e fundit”, thotë Ilir Keko, duke theksuar se kjo është edhe vlera më e madhe e tyre.
Ilir Keko na zbulon me këtë rast edhe projektin e tij për veprën që synon të botojë për 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Kekos. Mendohet që në 20 gusht 2011, krahas përmbledhjes voluminoze me shkrime dhe intervista të miqve dhe kolegëve të Teodor Kekos, botuar e transmetuar gjatë këtyre 10 vjetëve të mungesës së shkrimtarit në shtyp e media, të botohet edhe kjo përmbledhje e titulluar “365 ditët e fundit”. Ilir Keko shpjegon se ky botim është konceptuar si në format edhe në përmbajtje mes librit dhe albumit. “Ky botim do të përmbajë gjithçka lidhet me aktivitetin e tij gjatë vitit të fundit të jetës: krijimtari, letra, shënime, foto… dhe kjo me synimin për të hedhur dritë mbi angazhimin qytetar dhe intelektual si dhe intensitetin e të jetuarit të jetës, duke e ditur fare mirë fundin e tij”, thotë Ilir Keko, duke saktësuar se në këtë botim do të përfshijë edhe një pjesë të tregimeve të “Amanetit”, sepse i takojnë kësaj periudhe edhe pse janë të botuara më parë, por edhe dy kapituj të romanit, njëri i botuar, tjetri i pabotuar (dorëshkrimi i sapozbuluar). Po ashtu do të përfshihen edhe poezitë e fundit të cilat kanë qenë të botuara, e që do tu bashkëngjiten edhe tre poezitë e reja, të panjohura, si edhe fillimi i një drame që pat nisur ta shkruante. Siç shpjegon Iliri, ky botim do t’i rrinte shumë bukur këtij përvjetori dhe do të përcjellë tek lexuesi çdo mendim, dëshirë, shpresë, revoltë, përpjekje… çdo ndjesi e reflektim të Teodor Kekos, para se të takohej me vdekjen atë ditë të nxehtë të 20 gushtit 2002, në Selanik.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK