Teodor Laço, një vit pas vdekjes
vepra letrare në tri dimensione

Teodor Laço, një vit pas vdekjes<br />vepra letrare në tri dimensione<br>
Në historinë e letërsisë shqipe, Teodor Laço është padyshim një ndër emrat më të spikatur. Ai ka hyrë në analët e kësaj historie si një shkrimtar shumëdismensional: si një nga romancierët dhe tregimtarët më të lexuar, si dramaturgu, komediani e skenaristi – ndër më të preferuarit e regjisorëve shqiptarë me emër, dhe së fundmi, edhe si një ndër poetët e esseistët më të mirë.

Laço, me korpusin e tij letrar, që përfshin mëse 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, është mjaftë i njohur për lexuesin shqiptar. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet dhe nga lexuesi i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe. Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.

POEZIA E “PANJOHUR” E SHKRIMTARIT TË MIRËNJOHUR

Një vit më parë (vetëm një muaj para se të largohej për në botën e përtejme, më 15 Tetor 2016) ishta unë fatlumi që më dhuroi fletoren me poezitë e tij, të krijuara për afro gjysmë shekulli, nga e cila përveçova më të mirat për t’i botuar në një të përjavshme letrare.

Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, (29 shtator 2016) nga labirintet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.

Mjafton qoftë edhe një lexim i vëmendshëm për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqëndrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit, si p.sh tek vjersha e titulluar: “MOTIV LASGUSHIAN” (kushtuar bashkëshortes, MIRJANËS): “Më trokite prej së largu/ me një degëz dashurie/ miturisht e çmendurisht/ më vjen natën si një hije./ Grua je a lozonjare/ kërkon prehje apo halle/ qofsh çapkëne apo manare/ ti më vdiqe, ti më ngjalle….”.

Apo dhe tek poezia: “KAFENETË E TIRANËS” :“Kioska, kafene/ kryqëzime kryefjalësh/ kryeqendra kryeqyteti/ Pagat në pus/ Çmimet në qiell/ raca e çuditshme/ shtyn ditën,/ vret kohën kafeneve…./ Edhe një kafe e pimë/ një “koka”, një çaj/ Bajmë fjalë/ qeveria të rrëzohet/ duhet të bjerë/ qeveri e mjerë! /…nga kioskat tryeza: /qeverisim më mire/ pak kryeministër/ pak president/  lumi i nxori në breg/  ne lundrojmë në pritje  me turmën!...”

Gjen në poezitë e tij  tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet: “O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”

Në tërësinë e tij, ky cikël  (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

Këto risi të poezisë së tij mund t’i dallojmë më së miri në vargjet e vjershës me titull: “Pendim”: “Kur zë e ngryset dita e përhime/ dhe nisin të përgjumen plot vegime/ ca mllefe, ca inate, ca metime;/ Një tog me hi, një mal zhgënjime/ Filloj i flas e vras vetveten time.../ Pse rashë pre e kotësisë/ e kohëhumbjes, rastësisë/ e rrethit mëkatar të prapësisë/ ku plot shtriganë të babëzisë/ Shtrëngojnë lakun e fatkeqësisë?/ Kur zë e ngryset dita e përhime/ filloji i flas e vras vetveten time….”

Apo dhe te poezia:“FUNDSHEKULLI SHQIPTAR”: “Tymtarët e krimit/ vjellin shtëllunga…/ qiell i mbyllur, i blozët/ hedh shira blozë./ Tymtarët e kartës/ brerojnë breshër rrenash/ tymtarët e gojës/ cipën e ndrangur hedhin…/ Fundshekulli shqiptar/ ceremonial pambarim/ i kortezhit të shpresave…..”.

Ky cikël, të cilin personaliteti i shquar i letrave shqipe ma besoi mua për ta botuar në ndonjë të përditshme letrare, disa muaj para se ai të mbushte 80 vjeç, do të përbënte embrinon e vëllimit poetik “Hapjani dritaren pulëbardhës”, të cilin familja e tij e botoi tetë muaj pas ndarjes nga jeta të Teodor Laços. Siç është shprehur poeti Bardhyl Londo, vetë titulli i poezisë “Hapjani dritaren pulëbardhës” që shërbeu si titull i librit është një metaforë që të gozhdon menjëherë. “Një himn për dashurinë, mirësinë, humanizmin, shpirtin lirik. Pulëbardha është pastërtia njerëzore është humanizmi, dashuria, dhembshuria, miqësia, lirizmi, shpirt i pavdekshëm dhe i panjollosur nga djallëzitë dhe paudhësitë e përjetshme njerëzore. kësaj pulëbardhe simbol duhet t’ia mbajmë gjithmonë derën hapur, të mos ia mbyllim kurrë edhe kur shfryjnë erërat e ftohta dhe të tërbuara të dimrit të egër. Pulëbardha është vet shpirti i Teodor Laços, që do të na trokasë gjithmonë në dritare”, shprehet B.Londo. Dhe në të vërtetë: “Hapjani dritaren pulëbardhës /Që stërkala shpresash po iu shkund,/ Që çan me afsh këtë qiell mardhës dhe zgjon e ngre e shkund e mund...”, është një imazh i rrallë, me një lirizëm dhe humanizëm që shok ka vetëm veten. Vargu i fundit vjen si një kreshendo shpërthyese që godet, ngre stërkala, shkumëzon: është një varg, i cili nga mënyra si është ndërtuar të kujton gjithmonë për mirë mjeshtërinë e Lasgushit dhe të Nolit. Madje, sipas Londos: “Interesi i Laços për të shfrytëzuar hapësirat artistike, që t’i jep vetëm poezia, për më tepër se intuitën e lindur të një prozatori, të sjell ndër mend kërkimet këmbëngulëse të një poeti të talentuar që është vazhdimisht në lëvizje në udhën e vet poetike. Sensi i masës dhe hapësirës së fjalës, ngjyrimi stilistik, përdorimi i tingëllimit të saj për të bashkuar hapësirën vizive me tingëllimin kumbues, veti të vyera këto të Teodorit prozator, në poezi arrijnë të marrin dhe të fitojnë një hapësirë të re, hapësirë që shpesh herë të detyron t’i rikthehesh poezisë sërish. Dhuntitë që Laço si prozator i ka me shumicë, e ndihmojnë që në poezitë më të mira të krijojë imazhe të goditura, të cilat imponohen, të ravijëzojë situata poetike ku imazhi gërshetohet natyrshëm me një ritëm dhe muzikalitet elegant ku imazhi flet me gojë, këndon kumbon me një harmoni të plotë solide”.

KUJTIME PËR KOHË TË SHKUARA DHE NOSTALGJI RINIE

Todi siç e thërrisnin miqtë, me një diplomë në bujqësi, për të cilën punoi si agronom për një periudhë të shkurtër në vendlindje, Korçë, do t’i përkushtohej letrave në fillim viteve 60-të.

Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ‘90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ‘94-‘97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse.

Gjatë dy dekadave bashkëpunimi të ngushtë me kolosin e letrave shqipe T.Laço (1996-2016), në memorien time janë skalitur kujtime, kohë të shkuara dhe nostalgji rinie, punë dhe përpjekje mes njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, prej të cilëve (siç shprehet ai me modesti), një pjesë të mbeten bashkudhëtarë dhe plot të tjerë, kanë kohë që kanë shkuar nga kjo botë duke lënë pas kujtimet.

Por për një shkrimtar të mirënjohur si Ai,  jeta dhe bota, fare mirë mund të vijnë edhe përmes letërsisë së shkruar dhe botuar ndër vite, si një dritare e së shkuarës dhe të tashmes.

Ai u lind dhe u rrit në Dardhë të Korçës. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë; “në fshatin tim malor,- do shkruaj në një tregim,- netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë. Gjithësia e hap gjirin në një tejdukshmëri të ndritshme dhe atëherë, etja të duket më pranë së kurrë me hënën e madhe që lëviz si mbi një lundër në detin e errët të kreshtës mbi korijen e Shën Pjetrit, me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.

Në fushën e letërsisë, veprat e tij do të përbënin një zgjedhje të preferuar për lexuesit që më tregimin “Malaji” e deri në romanin e fundit “Gropas 67”, botuar në 2014.

Në gjithë krijimtarinë e tij, Teodor Laço, krijoi karaktere të çdo kohe, e disa prej tyre u mishëruan edhe në prodhime të Kinostudios Shqipëria e Re, si “Përballimi” “Shi në plazh” e shume pelikula të tjera.

VEPRA LETRARE E LAÇOS KA VEND PËR ANALIZA TË THELLA

Në letërsinë e Laços lëvrijnë pafundësisht vajza dhe gra, studente dhe gjeologe, agronome dhe fshatare, mjeke dhe artiste. Të dashuruara dhe fatkeqe. Me dramë të jashtëzakonshme si partizania e plagosur që përdhunohet prej Demos, deri edhe e vdekur, apo me fund të lumtur si Ana, tek tregimi me një antagonizëm dashuror të jashtëzakonshëm kur njeriu provon ta zgjojë atë tek vetvetja e harruar dhe e fjetur, apo “Ngrohtësia e të tjerëve”.

Në veprat poetike e prozaike, dramaturgjike apo studimore të Laços ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe me dramaticitet drithërues, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Siç është shprehur shkrimtari Andon Andoni  “vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione, të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli”.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Klaudio Prendit, ngjarja i kalon në kompetencë SPAK-ut! Autorët i përkasin një grupi të strukturuar kriminal

Vrasja e Klaudio Prendit, ngjarja i kalon në kompetencë SPAK-ut! Autorët i përkasin një grupi të strukturuar kriminal