TEPELENE - Moti i keq me reshje të shumta gjatë javës së fundit ka shkaktuar probleme ende të pazgjidhshme në infrastrukturën rurale. Dy komunat më të goditura nga dëmet që shkaktoi natyra, janë ato të Buzit dhe Luftinjës në rrethin e Tepelenës.

Gati 4 mijë banorë të tyre, prej më tepër se një jave kanë ngelur të izoluar për shkak të shkatërrimit total të një pjese rruge në afërsi të Sektorit të Tretë, në ish-minierën e qymyrgurit. Intensifikimi i rreshjeve ka spostuar dyshemenë e rrugës jo në dy, po në plot pesë vende prej të cilave, një është tërësisht e dalë jashtë funksionit.

Formacionet gjeologjike kanë pësuar çarje në sipërfaqe të rrugës dhe në thellësi të saj. Ata që guxojnë janë drejtuesit e automjeteve që ndonëse e përshkojnë me vështirësi kalimin në këtë aks, paguajnë haracin përditë në serviset e makinave në Tepelenë.

Kjo situatë u bë sebep për shmangien e tre ceremonive mortore në fshatrat Izvor dhe Canaj, pasi karvani mortor me automjete e kishte të vështirë të sfidonte kalimin në këtë rrugë, ç’ka solli që të vdekurit të varrosen në Memaliaj.

Kjo gjendje ka rënduar edhe tek 700 nxënësit e shkollave të mesme, 9-vjeçare dhe parashkollore, që të mos marrin dije në 10 ditët e fundit, për shkak të mungesës së mësuesve.

Deri tani asnjë ndërhyrje nuk është kryer nga ana e komunës apo dhe drejtorisë rajonale të rrugëve.  Banorët kanë dhënë alarmin me kohë për këtë gjendje, ndërkohë që askush nuk i ka dëgjuar ankesat e tyre.

Kjo rrugë, ka qenë e projektuar nga qeveria Berisha, si boshti i jugut që do të lidhte qarkun e Gjirokastrës me atë të Beratit. Mirëpo ky projekt ka ngelur në letër dhe pjesë e premtimeve të pambajtura nga deputetët e maxhorancës në Gjirokastër, njëkohësisht ministrat e kabinetit qeveritar, Ruli, Ksera e Tavo.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)