Urdhri i ri i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin me terapi hormonale të personave transgjinorë ka ngjallur reagime të ndryshme në publik. Për aktivisten Lindita Pano nga koalicioni “Pro familjes”, ideja është e thjeshtë: nuk ka pse të paguajë taksa për dikë që është konfuz lidhur me identitetin gjinor.
“Unë nuk dua të paguaj nga taksat e mia për një person që është konfuz për identitetin e tij gjinor. Unë nuk e besoj atë gjë, pse duhet të paguaj unë për një gjë që nuk e besoj?”, tha Pano në një bisedë për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv.
Sipas saj, gjithçka buron nga ligji për barazinë gjinore, i cili sipas saj “hapi portat” për udhëzimin e ri.
Në parim, ligji për barazinë gjinore adresoi dallimet, përjashtimet, kufizimet me bazë gjinore dhe mos njohje të të drejtave të një gjinie të caktuar. Megjithatë, shkaktoi diskutime në termat e përdorur për gjininë, që përkufizohej si kontekst social dhe jo e lindur si sinonim i seksit. Por, qeveria deklaroi se ligji e ka të qartë konceptin binar të gjinisë: vetëm burrë dhe grua.
“Ai ligj famëkeq është thjesht i maskuar nën termin barazi gjinore. Ai ligj hap portat për transgjinorizmin, idenë e trajtimit me hormone të fëmijëve nga mosha 14-vjeçare, ndërkohë që ne nuk lejojmë fëmijët as të bëjmë tatuazh në trup, të pijnë pije alkoolike apo të ngasin makinën”, tha Pano.
Sipas aktivistes, adoleshentët shtyhen drejt terapisë hormonale dhe tranzicionit gjinor. Pano thotë se ata ‘janë peshkuar’ dhe më vonë, kanë arritur të fitojnë shuma të majme në gjyqe duke deklaruar se janë cenuar.
“Ka me miliona euro të fituara në procese gjyqësore nga persona që kur ishin 14-15 vjeçarë, psikologu apo mjeku i ka filluar terapinë hormonale apo procesin e tranzicionit. Ata kanë thënë ne kemi qenë konfuzë kur kemi qenë adoleshentë dhe kam filluar terapinë hormonale apo tranzicionin kur kam qenë vulnerabël. Janë penduar dhe kanë thënë nuk e kam ditur çfarë kam bërë dhe në pozicionin tim si adoleshent, në vend të ndihmohesha, jam shtyrë drejt tranzicionit. Kthimi mbrapsht nga tranzicioni është ferr i vërtetë”, tha Pano.
Ndërsa aktivistja Linda Kalemi, njëkohësisht koreografe, thotë se është dakord që terapia e tranzicioni të mbështeten nga shteti nëse vërtet bëhet fjalë për njerëz që gjithë jetën e tyre kanë ndier se i përkasin një gjinie tjetër. Ajo thotë se kjo mund të reflektohet në gjeste apo edhe në ndikimin e cilësisë së shëndetit të tyre fizik, mendor dhe përshtatjes në shoqëri.
“Në qoftë se është problem që në minoritet për këtë orientim dhe është vërtet shumë shqetësues për shëndetin fizik të fëmijës, ka pasur nëna që tregonin shiko si e kam djalin, i vogël, ishte mashkull me gjeste femre. Ky është problem shëndetësor dhe mbase duhet parë në tjetër aspekt. Nëse është pretendim, dëshirë, bashkohem me Panon sepse komuniteti të paguajë taksat për gjërat më të rëndësishme, mjekimet për sëmundjet jetike. Sa ndikon ky projekt te personi dhe sa duhet të ndihmohet? Nëse është pretendim a dëshirë që do të kalojë nga një anë në tjetrën, s’jam dakord”, tha Kalemi.
Si Pano, edhe Kalemi, shfaqën një qëndrim të përbashkët dhe të ngjashëm lidhur me parimet e familjes tradicionale dhe mbrojtën marrjen e vendimit të tranzicionit apo terapisë hormonale për individët në moshë madhore (18 vjeç) apo me problematika shëndetësore.
Megjithatë, Pano tha se akte të tilla si urdhri i sapomiratuar, janë pjesë e axhendës së komunitetit LGBT+.
“Prindër, kujdesuni për fëmijët tuaj se axhenda nuk do jua kursejë. Axhenda përfshin fëmijët e vegjël. Nuk kanë mëshirë!”, përfundoi Pano.
Komente










