SHKODËR-Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga Bashkia e Shkodrës! Pavarësisht tërheqjes së kryebashkiakut të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri, mësohet se Këshilli Bashkiak do të konstituohet. Gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri raporton se konstituimi do të bëhet në datën 19 gusht dhe jo 21 gusht siç ishte parashikuar më herët.

Kjo gjë sjellë që Shkodra do të vijojë që të udhëhiqet sërish nga kryebashkiakja aktuale Voltana Ademi, por me një këshill bashkiak me shumicë socialiste. Tërheqja nga marrja e detyrës e Pjetrit është e shoqëruar me pikëpyetje, sa i përket asaj që do të ndodhë me drejtimin e qytetit të Shkodrës. Kjo sepse duhet që presidenti Ilir Meta të dekretojë një datë për zgjedhje të parakohshme në këtë Bashki, por duke qenë se kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, gjasat janë që të mos ketë një datë të re, përveç 13 tetorit.

Pjetri u tërhoq pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike, e cila publikoi një dokument ku sipas tyre vërtetohej që ai ka qenë i dënuar në Itali në 2003 me burg për drogë. Në përgjigjen e tij, Pjetri tha se ajo ngjarje, kur ia ka qenë vetëm 20 vjeç,  është hequr nga konteksti dhe është shfrytëzuar për sulme politike.

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria ka nisur hetimet. Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i ka dërguar një letër-porosi drejtësisë italiane ku kërkon informacion lidhur me figurën e Valdrin Pjetrit, ku mes të tjerash kërkohen edhe shenjat e gishtave të tij. Ndërkohë nga ana tjetër, bëhet e ditur se edhe Prokuroria Shqiptare do të marrë gjurmët e gishtave të Pjetrit, për të bërë më pas një krahasim me ato që do të mbërrijnë nga autoritetet italiane.