TIRANË- Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i ka dërguar një letër-porosi drejtësisë italiane ku kërkon informacion lidhur me figurën e Valdrin Pjetrit, ku mes të tjerash kërkohen edhe shenjat e gishtave të tij. Ndërkohë nga ana tjetër, bëhet e ditur se edhe Prokuroria Shqiptare do të marrë gjurmët e gishtave të Pjetrit, për të bërë më pas një krahasim me ato që do të mbërrijnë nga autoritetet italiane.

Partia Demokratike ka publikuar ditën e djeshme disa dokumente, sipas të cilëve vërtetojnë se Valdrin Pjetri, kryebashkiaku i dalë fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, është dënuar me burg për drogë. Një akuzë e tillë është mohuar nga Pjetri, megjithatë Prokuroria ka nisur hetimet ku pritet të zbardhet e vërteta mbi të shkuarën e Pjetrit.

Report Tv ka raportuar më herët se pas denoncimit të PD, nga Prokuroria e Përgjithshme është kërkuar informacion nga pala italiane nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndonjëherë ndalim, arrestim, dënim për trafik narkotikësh apo dëbim nga shteti fqinj.

Kjo është një procedurë e cila kryhet për verifikim të akuzave të ngritura në këtë rast nga Partia Demokratike.