Terma humanitarë si fjala ''bombardim”
eleganca që i mungon letërsisë shqiptare

Terma humanitarë si fjala ''bombardim”<br />eleganca që i mungon letërsisë shqiptare
E keni vënë re që pas leximit të një libri të bukur, ndjesia e menjëhershme që të vjen pas shfletimit të faqes së fundit, është ajo e dehjes ose e turbullimit që ta jep vetëm shkëputja nga realiteti, prej përfshirjes totale në botën e librit?

Dhe gjëja e parë që të shkon në mendje, menjëherë mbas, është rileximi i tij, këtë herë më me qetësi, për të “ripërtypur” apo shijuar me nge, rresht pas rreshti, çdo fjalë e fjali, ndërtim fjalëformues e figurë letrare, që herën e parë i ke “gëlltitur” nxitimthi paragrafë-paragrafë prej padurimit për t`i shkuar historisë deri në fund.

Libri e fundit i Arlinda Gumës është i tillë. Një libër që, edhe në gjininë e romanit ku bën pjesë, kërkon vendin e vet të veçantë e të pangjashëm, të cilin mëton ta meritojë qysh prej titullit të pazakontë, e deri tek struktura tekniko-letrare shumë guximtare, që për hir të së vërtetës, autorja e ka eksperimentuar me sukses edhe në romanin e saj të parë.

“Terma humanitarë si fjala bombardim” është një roman që qysh në titull të mban larg romancës, sharmit, delikatesës, dashurisë, fluiditetit sentimental apo cilësdo karakteristikë tjetër që mund të jetësojë një vepër letrare. Në të vërtetë, krejt në kundërshtim me titullin, romani i ka të gjitha këto e më tepër, por nga ana tjetër, titulli nuk është një përpjekje për ta bërë librin interesant artificilaisht; përkundrazi; njëra prej shtyllave kryesore të narrativës ka të bëjë pikërisht me bombardimin.

Po si mund të jetë i bukur e i veçantë, elegant e trishtueshmërisht tërheqës, një roman që flet për një bombardim? Në fakt, siç është e veçantë edhe kjo vepër, ashtu është edhe e vështirë t`i bësh një analizë letrare normale.

Ky roman, me disa linja paralele, që diku bashkohen e diku ndahen, diku kryqëzohen e diku kalojnë poshtë e lart njëra-tjetrës, është një befasi, por jo për lexuesit e romanit të parë të Arlinda Gumës, “Bulevardi i Yjeve”, të cilët tashmë mund të identifikojnë stilin e autores. Kurse për lexuesit e rinj, kapitujt e titulluar, stili elegant, leksiku i veçantë e tejet original dhe karakteret e personazheve të romanit, natyrisht që do të jenë një zbulim i vërtetë.

Shtjellimi i disa historive paralelisht, secila me ngjyrën e saj, të krijon idenë se para teje po luan një orkestër e tërë ne vend të një solisti, me një muzikë që si fjongo të hedhura në ajër, të shpalosin sysh grinë e errët të realitetit të zymtë të bombardimeve që rëndom ndodhin në vendet e botës së tretë, sentimentalizmin e trishtë të një djali që jeton jo vetëm mes disa realiteteve, por nganjëherë edhe midis epokave të ndryshme që i vijnë përmes një dejavu-je të vazhdueshme, të cilat ai I kalon lehtësisht si kthinat e një banese të vetme,  trishtimin e thellë blu të pianisteje, jeta e së cilës përthyhet thekshëm përmes dramash të mëdha e gjithaq jobërtitëse, rozën e çiltër të një vajze që me qenien e saj fluide që shpeshherë i shket duarsh edhe vetë autores, aq kryeneçe është e nuk prangoset dot as nga hekurat e ftohtë të logjikës së psikologës, që kërkon ta mbyllë brenda kufijve të profesionit të saj pa shpirt.

Po të duam të përshkruajmë historikun e romanit duhet të themi shkurt që një djalë i ri, përfshihet në një mision humanitar për një periudhë tre-vjeçare dhe përveç të tjerash bëhet atje edhe dëshmitar i një bombardimi të gabuar të civilëve të pafajshëm. I kthyer në atdhe me peshën e rëndë të trishtimit të atjeshëm, atij i duhet të përballet edhe me një trishtim të tijin; humbjen e së dashurës, e cila edhe ajo nga ana e saj duhet të përballet me një trishtim tjetër të madh përveç humbjes së dashurisë; humbjen e duarve, një humbje fatale po të mendosh se ajo është pianiste. Përveç kësaj ai vendos të shkruajë një artikull për bombardimet në një gazetë të njohur botërore, një punë e cila do shumë t`i piqet në kokë e që ndodh gati në fund të romanit, thuajse me një proces shtatzënie.

Por përmes trishtimit të humbjeve, bulëzojnë edhe disa gjetje të magjishme. Djali, që autorja ka preferuar ta quajë thjesht H., e gjen veten nëpër ca vegime që e thërrasin vazhdimisht nëpër ëndrra dhe e çojnë në epoka të tjera me princër e mbretër, ku një grua i rri vazhdimisht para syve, e shtrirë në një oaz të mrekullueshëm. (Në realitetin e sotëm kjo ngjarje-vegim lidhet me vjedhjen e një diamanti në Luvër). Dhe nuk është vetëm në gjetjet e tij, sepse këto përjetime të vazhdueshme, gjysmë-ëndërr e gjysmë-jetë, i ka edhe një tjetër personazh interesant, me një emër po aq interesant Didú. Nëse personazhet dhe ngjarjet e të gjithë narrativës i përshkon një tis i zymtë trishtimi që thyhet shpeshherë në blu, Diduja është drita e këtij romani.

Ajo është antikonformistja që ndjek vetëm instinktin e jetës, të ëndrrës, të thirrjes së brendshme, të “kurrizit” të saj të dashur që ashtu siç ai, e bën të jetojë në disa realitete njëherësh e ku hyn e del që andej si nëpër dhomat e shtëpisë së vet të bukur. Takimi i tyre i pashmagshëm e i etur, kishte shekuj që priste të ndodhte. E megjithë atmosferën kulminante që krijon botimi dhe efekti i bujshëm i artikullit, bashkimi i vegimeve është ngjyra më e bukur e romanit, është ajo fjongoja e kaltër, është bluja e zymtë e tij, puqur me të bardhën e saj të qashtër, që ndonëse nuk është një happy-end, është një idil, është limfa e jetës, është ëndërrimi për të cilin të gjithë kemi nevojë, që thellë-thellë të gjithë e kemi pjesë të nënvetëdijes, por që nuk dimë ta nxjerrim jashtë e na fle përjetësisht aty.

Po, autores nuk i pëlqejnë as fundet e lumtura dhe as tragjeditë komike të telenovelave. Asaj i pëlqen jeta ashtu siç është… dhe nëse jetës i duhen dhënë ca penelata për ta bërë më të bukur, ato nuk duhet të jenë bojatisje, por motive, si ato të Monesë për shembull… Sepse edhe jeta e vërtetë nuk ka një fund, ajo është një vazhdimësi brenda një  qerthulli ngjarjesh e ndjenjash, që të gjitha bashkë, bëjnë ekzistencën e secilit prej nesh.

Terma Humanitarë si fjala “bombardim” është një roman që i mungonte letërsisë shqipe. E duke pasur parasysh edhe përsiatjet e herëpashershme të autores, që i gjejmë të ndërfutura edhe në roman, për dyshimin e saj të thellë në lidhje me domosdoshmërinë e pasjes së këtij romani në fondin e letërsisë, po përpiqemi ta qartësojmë me një fjali të thjeshtë; po, letërsia jote vlen! Vazhdo e shkruaj!

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit