Lejet e ndërtimit, të dhëna nga pushteti lokal në Durrës tek pallatet e konstatuara me dëmtime serioze pas tërmetit të 26 nëntorit, janë duke u hetuar nga prokuroria e qytetit bregdetar.

Në një njoftim për mediat prokuroria bënë me dije se në procedimin penal 2512 të nisur prej 2019 ka në hetim për shpërdorim detyre e ndërtim të paligjshëm disa persona.

Sipas akuzës pjesë e hetimit është edhe leja e marrë për këtë pallat që shihni në pamje në të cilin janë konstatuar dëmtime serioze, pallat në të cilin janë prekur edhe prokurorë e familjarë të tyre që banojnë aty.

Ndaj këtij pallati ka patur edhe një kallëzim konkret ku sipas prokurorisë thuhet  ’’Ky procedim penal është filluar mbi bazë të kallëzimit të shtetasit Bashkim Xhika, banor i këtij pallati. Në kallezimin e tij të datës 04/12/2019, ky shtetas ngre pretendimin se si pasojë e ndërtimit tej lejes së miratuar nga ana e Bashkisë Durrës, nga 8+1 kat në 10+1, ka ndodhur edhe dëmtimi i godinës duke u mënjanuar. Objekti, pallati 10+1 kat, ndodhet në lagjen nr. 5, rruga “Stefan Dhima”, pallati nr. 8, i ndërtuar nga shoqëria ndërtuese “Ndregjoni”, me investitor shtetasin Osman Peposhi”.

Në 2019 sipas prokurorisë ky pallat është nxjerrë sipas ekspertizës së institutit të ndërtimit me dëmtime mesatare dhe serioze, klasifikuar DS2.

Me të drejtë kërkohet vënia para përgjegjesisë e personave përgjegjës por kjo do të arrihet vetëm mbi bazën e një hetimi të gjithanshëm që për vetë natyrën e çështjes penale kërkon një shtrirje në kohë, që kur është aplikuar për lejet e ndërtimit, si janë dhënë këto leje, si ka filluar të ndërtohet dhe mbi të gjitha mbi cilësinë e ndertimeve në këto objekte.

Duke sqaruar për ecurinë e hetimit të këtij rasti akuza e Durrësit sqaron se "Ngjarja per te cilen po hetohet eshte sensitive dhe ka demtuar e prekur jo vetem banoret te cilet kane shprehur shqetsimin e tyre per vijueshmerine e hetimit por ka prekur dhe demtuar gjithashtu prokuroret dhe te afermit e tyre duke e bere rastin shume te ndjeshesh dhe me pasoja tejet te renda per vazhdimin e jetës se tyre“.

Aktualisht për dëmet post tërmet dhe humbjen e jetës së 24 personave në Durrës askush nuk ndodhet në qeli. Pak ditë më parë reporttv mësoi nga burime pranë prokurorisë në Durrës se tek pallatet me viktima, ekspertiza kish nxjerr si shkak të pasojave të rënda edhe cilësin e dobët të hekurit dhe betonit në këto ndërtime.