Për të 28-ën ditë, banorët e Divjakës kanë protestuar sërish mbrëmjen e sotme kundër propozimit të PS për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë me Lushnjën.

Megjithëse më të paktë në numër, të pranishmit në tubim kanë premtuar se do të vijojnë qëndresën derisa kërkesa e tyre që Divjaka të mbetet bashki të plotësohet.

Sipas banorëve bashkimi me Lushnjën nuk duhet të ndodhë pasi Divjaka ka krijuar prej vitesh identitetin e saj dhe realiteti sipas tyre tregon se ekonomia e saj është shumë më lartë sesa e bashkive të tjera që nuk fshihen nga harta e re.

“Kam bredhur sot gjithë Myzeqenë për punët e mia dhe kur mbërrita në vendin tim u çela, u rinova e u zbukurova. Belinda kërkon me sakrificat e saj dhe politikat e çmendura që Divjakën ta elimonojnë. Jemi të 26-27 si qytet i ri që lulëzon. Si do bashkohem unë me Lushnjën, kur Lushnja nuk mban dot veten. Lushnja nuk na mban neve dot mbi kurriz”, tha një protestues.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan në rrugët e qytetit me thirrjet ‘arrestoni Ramën’ dhe ‘Divjaka bashki’, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen.