Propozimi i socialistëve për hartën e re territoriale ishte një raport që s’mund të paraqitej në komision, tha Sali Berisha, por u prezantua në parlament.

Në konferencën për shtyp, kreu i PD tha se Edi Rama kuptoi që ishte “betejë e humbur” dhe “u tërhoq në mënyrë të njëanshme.”

Shkrirjen e 15 bashkive Berisha e quajti qëllim shpopullimi e pasurimi të kryeministrit.

“Dhe pas kësaj antireformë vazhdohet në mënyrën më të papërgjegjshme, më antishqiptare që nga 60 të kalojnë në 40. Unë duhet të përgëzoj zotin Luçiano Boçi dhe të gjithë anëtarët dhe ekspertët e komisionit, të cilët punuan me një përkushtim të madh për një reformë te re elektorale, e përcaktuar si kusht për integrimin edhe në raportin e tetorit të Komisionit Evropian. Natyrisht në 14 vite nuk zhbëhen dot ajo boshatisje e madhe që ka ndodhur, ajo braktisje e madhe që ka ndodhur, por një hap i rëndësishëm edhe drejt ripopullimit të zonave të devastuara, drejt ripopullimit të tyre, duhet të jetë edhe reforma territoriale. Grupi i punës për reformën territoriale me bashkëkryetar Arbër Maznikun, një peng i njohur për shumë vese të tij, kur e them këtë, e them, një njeri që zbaton verbërisht urdhra bashkë me Ervin Demon, dy armiq kryesorë të komuniteteve lokale në Shqipëri me në krye Edi Ramën, dhe punuan, bënë konsulta në mbar vendin, mbeti konsulta në Tiranë për të finalizuar serinë e konsultave. Ndërkohë që sigurisht grupi punoi për hartën, por atë do ta përfundonte pas konsultave të plota dhe pas ekspertizës ndërkombëtare që do merrnim. Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur. E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD. U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës. Në vendin që 80 përqind të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi, etj”, tha Berisha.

Ai përgëzoi edhe banorët e Poliçanit për protestën e tyre në përgjigje të draftit të PS për ‘Territorialen’ duke nxitur edhe banorët e bashkive të tjera të ndjekin të njëjtin shembull.

"Do ta mbyll duke përshëndetur banorët e Poliçanit, u treguan patriotë të vërtetë, çfarëdo që ishin, pa parti, socialistë, demokratë.  Me mbrojtjen që i bënë bashkisë së tyre, ata mbrojnë një të drejtë, ata mbrojnë një qeverisje që i duhet Shqipërisë për zhvillimin e saj dhe ndalimin e shpopullimin. Shembulli i banorëve të Poliçanit duhet të frymëzojë, dhe jam i sigurt që do frymëzojë, banorët e të gjitha komunave që Edi Rama me një të rënë të lapsit u bie kryq vetëm për qëllime të zeza elektorale dhe mafioze të pasurimit të tij për të centralizuar gjithçka sa më shumë në duart e tij. Dhe ftoj të gjithë banorët e bashkive të tjera të ndjekin shembullin e tyre. Por ftoj edhe të gjithë banorët e bashkive të parashikuara për t’u ngritur pas një studimi pas një studimi shumë serioz të ndjekin shembullin e tyre. Nuk mundet më një tiran të marrë vendime të tilla që shkelmojnë interesat e të gjithë shqiptarëve", tha Berisha. 

Ndërsa për bashkëkryetarin e komisionit të Posaçëm, Luçiano Boçin, harta e propozuar nga PS largon shërbimet nga qytetari si dhe çon drejt shpopullimit.

“Shkrirja e një bashkie do të thotë largim i shërbimeve, mungesë përfaqësimi, rrëzim i llogaridhënies dhe pasoja më e fortë, shpopullimi dhe largimi i banorëve nga trevat dhe zonat e tyre. Intensiteti më i madh shihet qartazi në zonat rurale. Kjo është arsyeja që ne morëm pjesë me dëshirën dhe përkushtimin për të realizuar një reformë që e kthen pushtetin vendor te qytetari, përcakton një standard shërbimesh, përfaqëson qytetarin dhe qytetari mund të kërkojë llogari për gjithçka që ai pret nga pushteti vendor”, tha Boçi.

Sipas tij, harta s’ka ndryshim nga e mëparshmja dhe rrezikon të sjellë pasojat e lartpërmendura.

“Është hartë elektorale e vjetër me pamje të re që rrezikon të sjellë po ato pasoja që ne sot i përjetojmë”, u shpreh Boçi.

Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas tij, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit. 39 njësi vendore të reja shtohen kryesisht në qarqet Fier, Tiranë dhe Lezhë.

Lajmi në përditësim....