Protesta e banorëve të Divjakës sot ka hyrë në ditën e nëntë të saj. Kërkesat e protestuesve të cilët çdo mbrëmje dalin në shesh, janë që institucioni i bashkisë së Divjakës të mos shkrihet dhe t'i bashkohet Lushnjes siç e parashikon projekti i reformës së re territoriale.

Argumentet e protestuesve që kundërshtojnë këtë projekt mbeten të njëjtët: bashkia e Divjakës plotëson gjithë parametrat historikë gjeografikë dhe ekonomikë për të qëndruar kështu si është, pasi largimi i këtij institucioni është në dëm të tyre. Sipas protestuesve, ata do të humbasin kohë për të marrë shërbime dhe zhduket identiteti i tyre si qytet.

Veç kërkesave të tjera sot protestuesit kanë dalë me një kërkesë që në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësohen me divjakas.

Protesta u mbyll si çdo mbrëmje me marshimin në rrugët kryesore të qytetit pa cënuar qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.