TIRANË- Ndonëse PS e PD nuk u dakordësuan për ndarjen e re territoriale, drafti i socialistëve po diskutohet në Konferencën e Kryetarëve, ku pritet te miratohet edhe projektkalendari. Opozita thotë se një reformë kaq e rëndësishme nuk mund të kalojë pa konsensusin e saj dhe kërkon që të hiqet nga projektkalendari.

“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë. Së pari, nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët. Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme. Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione. Prandaj, ne jemi kundër”, tha kreu i grupit të PD, për Gazment Bardhin.

Pasi të miratohet kalendari i punimeve të Kuvendit, drafti shqyrtohet në komisione dhe më pas i hapet rrugë votimit në seancë plenare.

Opozita kundërshton draftin e shumicës, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. PD kërkon tërheqjen e projektit që synon shkrirjen e 15 bashkive dhe propozon rritjen e numrit të tyre në 100.

Lajmi në përditësim....