Ishte parashikuar të ishte një mbledhje ku do të dilej me një qëndrimin që do t’i dërgohej Kuvendit mbi hartën e re territoriale, por Këshilli Bashkiak i Maliqit dështoi të prodhonte një vendimmarrje.

Kryebashkiaku Gëzim Topçiu nuk mori pjesë, ndërsa këshilltarët e majtë e braktisën mbledhjen që në minutat e para me argumentin se ende nuk janë qartësuar mbi propozimin e Partisë Socialiste.

“Mendojmë që është herët të shprehemi.”

Kjo shkaktoi irritim në sallë. Reiz Petritaj, i moshuari nga fshati Strelcë ngriti bastunin për të ndaluar largimin e kryetarit socialist të këshillit Bashkiak të Maliqit nga mbledhja e thirrur për të kundërshtuar bashkimin me Korçën. Revolta e tij erdhi ngaqë përfaqësuesit socialist ndryshuan qëndrim nga ajo që kishin deklaruar publikisht.

“Ulu atje! Kush e mbyll mbledhjen? Ulu shpejt!”, tha i moshuari, duke drejtuar bastunin e tij nga kryetari socialist i Këshillit.

Këshilltarët e opozitës hodhën akuza se kolegët socialistë nuk po ngrihen dot mbi interesat partiakë për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë së tyre.

"Kjo është qoka e fundit e këshilltarëve socialistë si vezë struci si qokë politike."

"Këta kanë frikë nga pushteti, nga kryeministri", thanë ata.

Për të ndjekur mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Maliq kishin shkuar edhe deputetët e opozitës.

Ata akuzuan se vetë drejtuesi politik i PS në qarkun e Korçës, Niko Peleshi, është angazhuar për të bërë pazare me këshilltarët socialistë si dhe me kryebashkiakun Topçiu që ata të mos kundërshtojnë më hartën që do të sillte shkrirjen e Maliqit.

“Fati i Maliqit është marrë peng i Gëzim Topçiut i cili, pasi mbaroi shtatë mandate si kryetar bashkie, tanimë po bën një pazar të fëlliqur në kurriz të këtyre banorëve për të përfituar një post drejtori në administratën e ardhshme të Bashkisë së Korçës, çka është totalisht e papranueshme”, tha sekretari i PL, Tedi Blushi.

“Kur je anëtar i Këshillit Bashkiak, je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu, janë ata që të kanë zgjedhur, nuk je për të përfaqësuar interesa partiake”, tha deputetja e PD, Ledina Alolli.

Kreu i Bashkisë së Maliqit një nga 15 bashkitë që synohet të shkrihet me propozimin e socialistëve, foli vetëm pak ditë më parë për herë të parë mbi draftin e hartës së re duke thënë se është ende i paqartë mbi funksionet e Maliqit sipas këtij propozimi, ndërsa ka kujtuar se në Komisionin e posaçëm parlamentar, ishte shprehur kundër shkrirjes apo bashkimit me një tjetër njësi vendore.

Harta e re, është kundërshtuar nga thuajse të gjithë kryebashkiakët socialistë që preken nga ndryshimet e propozuara. Mazhoranca ka deklaruar se drafti nuk do të miratohet pa u dëgjuar të gjithë zërat gjatë fazës së konsultimit 60 ditor. Por në një takim të mbajtur 8 ditë më parë, kryeministri Rama pati përplasje të ashpra me disa kryebashkiakë që kishin kundërshtuar publikisht variantin e shumicës që redukton numrin e bashkive nga 61 në 46 të tilla në të gjithë vendin.

P.J/R.Xh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
2.8 / 5 (4 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Gusht, 13:45

    Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?