MALIQ- Protesta kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit dhe bashkimit të saj me Korçën u shoqërua me tensione, ndërsa organizatori Arian Asimi dhe disa prej protestuesve sulmuan gazetarët që po raportonin ngjarjen në terren, mes tyre edhe korrespondentin e Report Tv në Korçë, Armand Braho.

Në momentin kur grupet e xhirimit po intervistonin disa prej protestuesve, organizatori i protestës, Arian Asimi, i njohur edhe si eksponent politik i Adriatik Lapajt, iu drejtua gazetarëve me akuza dhe ofendime, duke i cilësuar mediat si të shitura dhe në shërbim të pushtetit. Situata degradoi edhe në përplasje fizike, duke penguar gazetarët gjatë ushtrimit të detyrës.

Arian Asimi: Ta tregoj unë këtë fytyrë, që i shërben këtij sistemi dhe vjen këtu për të prishur protestën.

Gazetarët: Po sulmoni të gjithë gazetarët.

Asimi: Shporru që këtu, mos provoko në protestë. Do të dilni para të gjithë shqiptarëve. Pse filmon? Ti duhet të largohesh se i shërben këtij sistemi.

Përballë ofendimeve dhe akuzave, gazetarët ndërprenë intervistat, hoqën mikrofonat dhe u larguan nga protesta, duke refuzuar të vijonin raportimin në këto kushte.

Më pas ata iu drejtuan Komisariatit të Policisë së Maliqit për të bërë denoncim për rastin. Asimi është shoqëruar dhe po merret në pyetje në polici. Më pas Policia njoftoi se referoi materialet në Prokurori, ku nisi hetimi ndaj shtetasit Arian Asimi për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Sakaq, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi sulmin dhe pengimin e gazetarëve gjatë protestës në Maliq. AGSH thekson se asnjë pakënaqësi ndaj medias nuk justifikon intimidimin, kërcënimin apo dhunën ndaj gazetarëve.

Arian Asimi në foto me Adriatik Lapajn

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:15
Sulmoi gazetarët gjatë protestës për ‘Territorialen’ në Maliq, nisin hetimet për aktivistin e Lapajt

1787847272_gazetari.jpg

Policia ka njoftuar se ka dërguar materialet në prokurori, ku nisën hetimet ndaj 45-vjeçarit Arian Asimi, i cili gjatë ditës së sotme në fshatin Libonik të Maliqit kanosi dhe fyeu disa gazetarë, mes të cilëve edhe korrespodentin e Report Tv në Korçë, Armand Braho.

Ngjarja ndodhi në protestën që po zhvillohej me qëllim mos-shkrirjen e bashkisë Maliq, ndërsa organizatori Arian Asimi (i njohur edhe si aktivist i partisë së Adriatik Lapajt) dhe disa prej protestuesve sulmuan gazetarët që po raportonin ngjarjen në terren.

Njoftimi i Policisë:

Maliq/ Kanosi dhe fyeu gazetarët gjatë një proteste, procedohet penalisht 45-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal ndaj shtetasit A. A., 45 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Fyerja”.

Ditën e sotme, gjatë protestës së organizuar nga shtetasi A. A., përpara Bashkisë Maliq, ky shtetas kanosi dhe fyeu shtetasit Xh. Sh., A. B., I. R., S. Xh., Dh. Ç. dhe E. Xh., me profesion gazetarë, të cilët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Ora 13:20
Sulmi ndaj gazetarëve në protestën e Maliqit, AGSH: E papranueshme dhuna dhe pengimi i medias

1787829969_perplasjamaliq.jpg

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve që po mbulonin në terren protestën kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit. Gazetarët u sulmuan dhe u penguan gjatë ushtrimit të detyrës nga organizatori i protestës, Arjan Asimi, i cili i akuzoi mediat si “të shitura” dhe “në shërbim të pushtetit”.

AGSH e cilëson të papranueshme çdo formë intimidimi, fyerjeje apo dhune ndaj gazetarëve, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të cenojë të drejtën e medias për të raportuar lirisht.

Shoqata kërkon nga Policia e Shtetit që të dokumentojë plotësisht ngjarjen, të verifikojë denoncimet e gazetarëve dhe të marrë masat e parashikuara nga ligji.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim serioz për incidentin e ndodhur gjatë një proteste të zhvilluar në Maliq, ku gazetarët që po raportonin nga terreni janë penguar dhe sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas dëshmive të gazetarëve të pranishëm, organizatori i protestës, Arjan Asimi, ka ndërhyrë në momentin kur ata po intervistonin qytetarë pjesëmarrës në protestë, duke ndërprerë intervistat dhe duke i akuzuar mediat si “të shitura” dhe “në shërbim të pushtetit”. Situata më pas është përshkallëzuar me ofendime dhe përplasje fizike, duke detyruar gazetarët të ndërpresin raportimin dhe të largohen nga protesta.

AGSH e konsideron të papranueshme çdo formë intimidimi, fyerjeje, kërcënimi apo dhune ndaj gazetarëve, pavarësisht se nga kush ushtrohet ajo dhe pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike të personave të përfshirë.

Protesta është një e drejtë demokratike, por po aq themelore është e drejta e gazetarëve për ta raportuar atë lirisht, pa u penguar, fyer apo sulmuar. Pakënaqësia ndaj mënyrës se si një media raporton nuk mund të shërbejë në asnjë rrethanë si justifikim për agresion ndaj punonjësve të medias.

Gazetarët e përfshirë në incident i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Maliq. AGSH u kërkon Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente të dokumentojnë plotësisht ngjarjen, të verifikojnë me seriozitet denoncimet e gazetarëve dhe të marrin masat e parashikuara nga ligji.

AGSH u bën thirrje gjithashtu organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe çdo personi publik që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të garantojnë që aktivitetet publike të jenë mjedise të sigurta për raportimin e lirë”, shkruan AGSH.