Kanada, 8 persona janë vrarë gjatë një sulmi me armë zjarri në një shkollë në Tumbler Ridge, në British Columbia. Mes viktimave është edhe një grua që sipas policisë mund të jetë autorja e sulmit. Dy persona të tjerë janë gjetur të vdekur në një shtëpi pranë dhe autoritetet mendojnë mund të bëhet fjalë për një incident të lidhur me atë që ka ndodhur në shkollë.

Royal Canadian Mounted Police ka shtuar se të paktën 27 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre 2 që janë transportuar me helikopter në spital me plagë shumë të rënda. Qyteti i Tumbler Ridge, që ka një popullsi prej rreth 2.400 banorësh, ndodhet më shumë se 1.000 kilometra në veri të Vancouverit, pranë kufirit me Albertën. Shkolla e mesme Tumbler Ridge ka 175 nxënës nga cikli i mesëm i ulët dhe i lartë.

“Jam i shkatërruar nga të shtënat e tmerrshme që ndodhën sot. Lutjet e mia dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjet dhe miqtë që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë akt të tmerrshëm dhune”, ka shkruar kryeministri kanadez, Mark Carney, në një postim në X.

Ndërkohë, zyra e tij ka njoftuar se kryeministri do të pezullojë udhëtimet që kishte planifikuar në Halifax, në Nova Scotia, ku të mërkurën do të shpallte strategjinë industriale për mbrojtjen, dhe më pas në Mynih, Gjermani, për Konferencën e Sigurisë.